Saimir Vishaj: Shtatori do jetë i nxehtë për politikën, disa do përfundojnë në burg, ja skema që po ndjekin magjistratët për t’i shpëtuar vetingut

0
56

Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj ka komentuar ecurinë e reformës në drejtësi, ngritjen e organeve të drejtësisë, situatën brenda gjyqësorit dhe institucionit të akuzës, ndërsa ka paralajmëruar se vjeshta do t’iu rezervojë surpriza të gjithë pushtetarëve dhe politikanëve që kanë punë me drejtësinë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokat i njohur theksoi se shtatori do jetë tepër i nxehtë për politikën, nisur nga aksionet dhe arrestimet e fundit të ndërmarra nga Prokuroria Speciale. Po ashtu, zoti Vishaj ka zbuluar skema që po ndjekin magjistratët për t’i shpëtuar vetingut, ndërsa i bëri thirrje KLGJ-së dhe KLP-së që të mos pranojnë asnjë dorëheqje nga prokurorët dhe gjyqtarët që duan të shmangin procesin e vetingut.

-Zoti Vishaj, pak javë më parë u kremtua 5-vjetori i reformës në drejtësi, ju si avokat, por dhe si person që keni kontribuar në këtë proces, mund të në thoni si e shihni reformën pas 5 vitesh? I ka arritur qëllimet?

Më në fund që nga 1 gushti me ngritjen e institucionit të Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të themi se janë krijuar të gjitha institucionet e dalë nga reforma në drejtësi. Nuk mund të kishte kuptim reforma pa ngritjen e institucioneve, siç janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që janë organet që do të sillnin vlerësimin e magjistratëve në kuadër të procesit të vetingut në të treja kriteret, atë pasuror, pastërtinë e figurës dhe atë profesional, ndërkohë që kanë ikur gati 200 gjyqtarë dhe prokurorë nga sistemi, mendoj se duhet patjetër që të ngriheshin edhe institucionet e tjera që janë SPAK që brenda saj ka Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme, si dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Aktualisht me ngritjen e BKH-së, ku agjentët e parë që janë trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës besoj se institucionet tashmë janë të plota dhe 1 shtatori do të jetë me të vërtetë një ditë e shënuar, pasi do të fillojnë nga puna të gjithë institucionet në kuadër të reformës në drejtësi. Kjo e fundit nuk do të thotë vetëm ajo që kemi ngritur në fillim, si zëvendësimi i disa subjekteve (prokurorë dhe gjyqtarë) me gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, por do të sillte një revolucion në të gjithë sistemin e drejtësisë që nga mënyra e të paprekshmëve, që nuk ka më asnjë mbi ligjin, por edhe funksionimi i gjithë institucioneve të pavarura. Tashmë kemi institucione si Këshilli i Lartë Gjyqësor që nuk është më i varur nga Ministria e Drejtësisë apo nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, sepse tashmë gjyqtarët dhe prokurorët kanë pushtetin e tyre qeverisës. Nga një anë prokurorët kanë pushtetin e tyre që është Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa gjyqtarët kanë Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku ajo që është primare që sot njerëzit sot akoma nuk po e kuptojmë, është shkëputja e politikës nga gjyqësori. Kjo është një nga parimet bazë që ne luftuam për reformën në drejtësi dhe e dyta ndërrimi i mentalitetit për t’iu larguar njëherë e mirë korrupsionit, i cili kishte nisur nga viti 1993, fenomen ky që po e gërryente sistemin e drejtësisë në të gjitha gjykatat në vend. Ndërsa aktualisht gjyqtarët janë të pavarur, prokurorët janë të pavarur dhe besoj se ka filluar që publiku të ketë besim tek drejtësia. Ndërkohë dua të shtoj se shoh që një prokuror nuk merr pjesë në shumë seanca gjyqësore dhe nuk ka nga kush kontrollohet, nga drejtuesi i prokurorisë apo Prokurorisë së Përgjithshme. Dhe nisur nga kjo mendoj se duhet t’i japim më shumë atribute dhe kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm, në mënyrë që funksionimi dhe organizimi i prokurorisë të ketë një lloj përgjegjësie edhe për Prokurorinë e Përgjithshme. Nga njëra anë është pushteti qeverisës që është KLP-ja, nga ana tjetër kemi drejtuesit e prokurorisë, por mendimi im është që roli i Prokurorit të Përgjithshëm duhet të ndryshojë dhe të fuqizohet në drejtim të mbarëvajtjes dhe funksionimit të punës së prokurorisë, pasi gjyqësori është vënë në lëvizje, nëpërmjet KLGJ-së, ku ka fituar një përgjegjshmëri, ndërsa akuza është ende jashtë standardeve për shkak të këtij trinomi Prokuroria e Përgjithshme-Këshilli i Lartë i Prokurorisë-Drejtuesi i Prokurorisë, pasi në fund fare është shprehur edhe në Kushtetutën e Shqipërisë që prokurori është i pavarur. Por kjo pavarësi më duket se iu ka dhënë shumë kompetenca dhe liri prokurorëve, aq sa të thyejnë Kodin Etik, duke mos marrë pjesë në seanca gjyqësore dhe ndërkohë që mbajnë qëndrime të ndryshme në kundërshtim me praktikat e tjera. Por ajo që është funksionale sot është fakti se Prokuroria e Posaçme edhe pse nuk është një prokurori më vete, po është një prokurori e një sistemi akuzator që është pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme, por për mënyrat dhe kompetencat që i ka dhënë ligji mendoj se ka filluar punën, pasi nga 1 shtatori do të fillojë të lëvizë dhe të ketë rezultate, kjo edhe për shkak se Byroja e Hetimit është gati, që të dy si institucione do të godasin fort të paprekshmit.

-Procesi i vetingut ka sjellë afro 200 shkarkime në sistemin e drejtësisë dhe kjo ka krijuar vakanca të shumta në sistem. A mund të parandalohej një gjë e tillë? Duhet theksuar se janë dhe gati gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë dalë në seanca dëgjimore?

Askush nuk e kishte imagjinuar një largim kaq masiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë në kuadër të procesit të vetingut. Madje edhe ata që iniciuan dhe asistuan reformën në drejtësi nuk e mendonin që mund të iknin nga sistemi i drejtësisë 60% apo 70% e trupës gjyqësore apo prokurorëve. Të gjithë menduan se në kuadër të procesit të vlerësimit kalimtar do të largoheshin nga sistemi i drejtësisë 20% apo 30% e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Por mënyra se si u vetuan gjyqtarët dhe prokurorët në të treja shkallët si integriteti, pasuria dhe ana profesionale, la shumë për të dëshiruar, pavarësisht se nuk u arrit të kuptohej se kush ishin gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr, të cilët ende nuk po kuptohen, pasi sa i del apo njihen me datën që do të dalin para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nxitojnë dhe japin dorëheqjen. Amnistia për gjyqtarët dhe prokurorët që dëshironin të dorëhiqeshin nga sistemi i drejtësisë pa hyrë në procesin e vetingut ka qenë data 5 mars e vitit 2019, ndërkohë që çdo javë do kemi largime masive gjë që nuk i shërben sistemit të drejtësisë. Unë me këtë rast përfitoj që nëpërmjet gazetës suaj t’i bëj thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të mos pranojë më dorëheqje nga prokurorë dhe gjyqtarët që duan të shmangin procesin e vetingut. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që janë pjesë e sistemit duhet të vetohen. Nuk shkon dhe është absurde që këta magjistarët sa njihen me datën që do të japin llogari përpara KPK për pasurinë, integritetin dhe anën profesionale, japin dorëheqje dhe aty bëhet pushimi i gjykimit. Nuk ka logjikë kjo, aq më tepër që kemi shumë gjykata dhe prokurori që po shuhen për shkak të këtyre dorëheqjeve nga frika e vetingut. Jemi drejt shuarjes së gjykatave të themelit, ndërsa gjykatat e Apelit janë më në nevojë, pasi në kanë ngelur jofunksionale, me përjashtim të asaj të Tiranës, që ka 5 gjyqtarë nga 30 që duhet të ketë dhe Shkodra nga 15 që duhet të ketë ka ngelur me 5 gjyqtarë. Kurse gjykatat e Apelit në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër janë tërësisht jashtë funksionit.

-Një debat i javëve të fundit është ai i ndryshimit të hartës gjyqësore. KLGJ ka hedhur idenë që të kemi gjykata të Shkallës së Parë vetëm në nivel qarku dhe vetëm një gjykatë Apeli në rang vendi. Si e shihni këtë ide?

Kjo është një ide e hedhur për shkak të kushteve në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë, për shkak të largimeve masive që ndodhen në kuadër të procesit të vetingut, i cili deri më tani ka përjashtuar gati 200 prokurorë dhe gjyqtarë. Por për mendimin tim kjo ide është e gabuar, pasi në qoftë se para 20 vitesh u ndërmor një nismë ku u shkrinë disa gjykata në rrethe si Librazhdi apo Gramshi, etj., sollën një risi, pasi ishin gjykata jofunksionale. Por për mendimin tim nuk duhet të bëhet harta pa marrë mendimin e të gjithë aktorëve të drejtësisë, që nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët, universiteti i drejtësisë dhe fakultetet e juridikut, pra nuk duhet të jetë një vendim i njëanshëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor pa u marrë mendimi i të gjithë aktorëve që janë subjekte të procesit penal apo sistemit të drejtësisë.

-Padyshim risia e kësaj reforme ishte Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit. Kjo e fundit nisi punë pak ditë më parë. A ka politikanë që duhet të tremben nga SPAK dhe BKH? Dhe a prisni ju që akuzat penale të këtyre organeve të shkojnë deri në nivelet më të larta?

Patjetër që ka politikanë që i tremben drejtësisë së re. Nga kjo pikëpamje unë besoj dhe shpresoj se shtatori do të jetë akoma edhe më i nxehtë, pasi në qoftë se njerëzit u trembën temperaturave të larta të diellit që kanë shkuar në 40 gradë, ka politikanë dhe subjekte bashkiakë që do t’iu shkojë temperatura 400 gradë nga momenti i fillimit të procedimeve penale dhe arrestimeve të udhëhequra nga SPAK dhe BKH. Nga ana tjetër në burg nuk do të bien vetëm “fukarenjtë” që merren me hashash, por do të shohim ata që me një firmë fitojnë miliona euro.

-Një tjetër çështje që ju keni ngritur është fakti se pothuajse të gjithë të shkarkuarit nga vetingu janë bërë avokatë. SPAK ka dërguar për gjykim 3 gjyqtarë, por shumë të tjerë vijojnë ende punën si avokatë. A duhet të ketë ndjekje penale për ata që kanë rezultuar me fshehje pasurie gjatë vetingut?

Unë e kam thënë edhe më herët për ju që e vërteta është se të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë shkarkuar nga procesi i vetingut kanë parimin thelbësor, siç është e drejta për të jetuar. Ne nuk mund t’iu heqim këtë liri që pse iku nga gjyqtar apo prokuror, mund të mos punojë avokat. Ne kemi ngritur zërin që gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu nuk duhet të punojnë pedagogë në një fakultet juridik, pasi nuk ka çfarë t’iu mësojë studentëve një njeri që është larguar nga reforma. Por që të punojë avokat një ish-gjyqtar apo një prokuror, prevalon e drejta për të jetuar.

-Zoti Vishaj në shtator “rihapen” gjykatat, por prej afro një viti seancat gjyqësore zhvillohen të mbyllura. Ju si kreu i Avokatëve Penalistë i keni dërguar dhe një shkresë KLGJ ku kërkoni të mbahen seanca të hapura. Mund të thoni më shumë mbi këtë kërkesë?

Unë kam pasur kontakte me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zonjën Naureda Llagami dhe më ka mbështetur dhe në muajin shator do të urdhërojë të gjitha gjykatat në vend që të rihapin seancat gjyqësore për familjarët dhe të afërmit e të pandehurit, të cilët do të hyjnë në seancë gjyqësore vetëm nëse do të kenë me vete certifikatën e vaksinimit anti-Covid. Kjo do të jetë edhe një mundësi e mirë që të gjithë që kërkojnë të takojnë të afërmit në paraburgim, burgje apo që duan të ndjekin seancat gjyqësore të jenë të vaksinuar.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj