Sipas propozimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 ku duke filluar nga 20.08.2021 do të hyjnë në fuqi masat e reja.
Bazuar në të dhënat aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e IKShPK-së, Qeveria ka balancuar interesin e ruajtjes së shëndetit publik dhe interesit ekonomik, duke marrë masa të cilat në njërën anë mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, ndërsa në anën tjetër kontrollojnë dhe parandalojnë shpërndarjen e COVID-19.
Masat e ndërmarra përmes këtij vendimi nuk përcaktojnë, në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar me COVID-19, ose se personi është shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm.


















































