Partizani godet në merkato, rikthen Markun dhe rinovon me Bardhin

0
228

Partizani ka nisur të bëjë goditjet e para cilësore në treg dhe këto goditje vijnë pas momentit të largimeve të disa titullarëve që ishin bërthamë e grupit të kuq. E kishte paralajmëruar dy ditë më parë në një emision televiziv vetë Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, se një afrim cilësor dhe një rinovim cilësor do të ndodhnin brenda të enjtes dhe ashtu ndodhi. Pra, Partizani zyrtarizon goditjen e dytë në merkaton e kësaj vere. Pas Emiliano Mustës ka ardhur edhe firma e Herald Markut mesfushorit që spikati me Vllazninë në sezonin e fundit, i cili është rikthyer në shtëpi duke firmosur për 2 vite me skuadrën e Ilir Dajës. Lajmi që qarkullonte prej disa ditësh tashmë ka marrë formë zyrtare, me Partizanin që ka mbyllur marrëveshjen me një prej mesfushorëve më të mirë të sezonit që sapo u mbyll në Kategorinë Superiore. 25-vjeçari shkodran pas eksperiencave me Tërbunin, Kastriotin e Vllazninë rikthehet kështu në skuadrën ku hodhi hapat e tij të parë si futbollist pasi Marku jo vetëm që ka dalë nga akademia e Partizanit por edhe ka debutuar me të kuqtë në sezonin 2012-2013 në Kategorinë e Parë në ndeshjen ndaj Kamzës. Në sezonin e fundit Marku ishte një nga pikat kyçe të suksesit të Vllaznisë teksa u aktivizua në 34 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë me kuqeblutë duke realizuar dhe 5 gola, mes tyre edhe finalizimin ndaj Partizanit në javën parafundit, gol i cili i hoqi titullin nga duart skuadrës kryeqytetase. Në aventurën me Partizanin mesfushori do të mbajë veshur fanellën me numër 7 ndërkohë që menjëherë pas firmës 25-vjeçari ka udhëtuar drejt Ohrit për t’u vendosur në dispozicion të trajnerit Ilir Daja me Partizanin që po përgatitet për pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të kompeticionit më të ri europian Conference League.

Lëvizje të tjera të Partizanit

Dy lajme të mira nga Partizani brenda një ditë. Klubi i kuq ka zyrtarizuar nënshkrimin me Herlad Markun, ish-mesfushorin e Vllaznisë, si dhe ka zgjatur bashkëpunimin me xhevahirin e ekipit, Jurgen Bardhi, lojtar i rritur në akademinë e kuqe. 23-vjeçari, prodhim i akademisë së Partizanit do të vazhdojë të luajë një rol kyç në organikën e të kuqve nën drejtimin e Dajës. Gjatë sezonit të fundit Bardhi u aktivizua në 34 ndeshje të Superiore, ndër të cilat 32 si titullar, si dhe ka mundur të shënojë 5 gola. Ka qenë vetë klubi i kuq që ka njoftuar se Partizani ka rinovuar kontratën me Jurgen Bardhin. Sulmuesi do të mbetet pjesë e të kuqve edhe për sezonin e ardhshëm, teksa tashmë do të jetë i fokusuar për të luajtur në Kupat e Europës e më pas për të bërë mirë jë kampionat. Kështu, te klubi i kuq po kujdesen të mbajnë pranë edhe elementët e nevojshëm për trajnerin Ilir Daja, e të mos përqendrohen vetëm te merkato në hyrje, aty ku së fundmi janë zyrtarizuar afrimet e Herald Markut dhe Emiljano Mustës. “FK Partizani zyrtarizon zgjatjen e bashkëpunimit me Jurgen Bardhin. Klubi dhe lojtari kanë rinovuar kontratën dhe sulmuesi 23 vjeçar do të jetë pjesë e 16-të herë kampionëve të vendit edhe për një tjetër sezon”, shkruhet në njoftimin e klubit të Partizanit shpërndarë për mediat ditën e djeshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here