Pjesë e një rrjeti që trafikonin kokainë bëjnë pjesë edhe dy shqiptar që janë arrestuar në flagrancë në Mikonos në ishillin grek. Sipas mediave greke gjithçka nisi në portin Rafina në Athinë ku u lokalizua një vajzë flokëkuqe 19-vjeçe me sjellje të dyshimtë e cila i hipi tragetit për në Mykonos, ndërsa nga kontrolli iu gjet 207 gr kokainë.
Vajzën e ndoqën agjentët deri në hotelin ku kishte planifikuar të qëndronte. Pasi arriti ajo komunikoi me drejtuesin e grupit nga burgu që pseudonimin e kishte “doktori i kokainës”, i cili për t’u siguruar që ishte vetëm i kërkoi që telefonata të ishte me video.
Më pas i kërkoi që të zbriste poshtë hotelit për të dorëzuar “zonjën e bardhë”, vajza u bind dhe doli. Jashtë ishte një “Fiat” i bardhë me dy shqiptarë brenda që po e prisnin. Njëri prej tyre zbriti dhe iu afrua vajzës dhe sapo kokaina ndryshoi duar, agjentët e mbërthyen.
Shqiptari tjetër që drejtonte makinën shtypi gazin, por në tentativë për t’u arratisur u bllokua.
Në njërin nga celularët e tyre u gjetën udhëzimet e udhëheqësit të madh me pseudonimin “doktori”. E ndërsa të arrestuarit kanë kyçur gojën, hetimet vazhdojnë për të zbuluar kush është “doktori i kokainës” që komandonte nga burgu famëkeq i Korydallos.