“Berisha sjellje si burrë shteti”, ishte kjo deklarata e bujshme e bërë nga ish-ambasadori i SHBA-ve Alexander Arvizu në janar 2011 pas 21 janarit. Arvizu e ka shpjeguar sot në “Real Story” në Neës24 këtë deklaratë të tij dhe negociatat me Ramën e Berishën për të qetësuar situatën dhe ulur gjakrat në ditët që pasuan.
Deklarata e Arvizu në Real story
Java pas 21 janarit ishte shumë e tensionuar për mua, pasi nuk ishim të sigurt nëse dhuna nuk do të shtrihej edhe në ditët më pas. Java pasuese dhe 28 janari, dhe mundësia që njerëz të tjerë mund të vriteshin. Pata shumë takime me kryeministrin Berisha dhe kryebashkiakun Rama. Asnjë nga palët nuk tërhiqej. Rama më premtoi se protesta homazh do ishte paqësore. I kujtova se nuk kishte qenë e tillë, me gjithë premtimet ajo e 21 janarit, por më tha: “Kjo do jetë ndryshe!”. Berisha ishte shumë i axhituar dhe më tha se do të organizonte një kundër miting. Unë i thashë se ishte ide e tmerrshme, por ai nuk tërhiqej. Unë fola dhe me njerëz të tjerë. Phil Gordon, ndihmës sekretari i shtetit dhe Elliot Engel, ishin disa prej njerëzve me të cilët fola. Ata e morën në telefon që ai të tërhiqej. Më në fund, Berisha ra dakord. Debby Jones, zëvendës ambasadorja ime më kishte thënë se Berisha nuk do ta bënte kurrë këtë. Se ai nuk do tërhiqej, sepse do turpërohej në publik. Unë nuk e besoja këtë. Si pasojë e këtyre thirrjeve të përbashkëta ndaj kësaj ideje të keqe, ai u tërhoq dhe kur më pyetën në një konferencë shtypi unë u përgjigja.
Mund të kisha thënë thjesht: “Ne mirëpresim këtë vendim të Kryeministrit”. Por mendova sesa kishte vuajtur Berisha për të marrë këtë vendim dhe e quajta një sjellje si prej burri shteti, që na dëgjoi dhe u tërhoq. Jo nuk e kërkoi ai, ishte reagim spontan imi.
Të dyja palët u përpoqën të ndikonin situatën dhe në rastin e SHBA-ve, mendoj që për shkak se në fund të mandatit të tij, ambasadori i mëparshëm Ëithers, kishte raporte të vështira me Kryeministrin Berisha, dhe raport të mirë me Edi Ramën, kishte një perceptim se ai ishte më afër socialistëve. Megjithëse e kundërta ishte e vërtetë, ai ishte perceptimi, edhe në Departamentin e Shtetit, para se të mbërrija unë. Unë u përpoqa të jepja mesazhin se, unë e dija që kishte një perceptim të tillë. Shumë vetë, edhe kur besojnë një gënjeshtër, ajo fillon e duket e vërtetë. Kështu unë mendova se gjithçka kishte ndodhur para ardhjes time në 2 dhjetor 2010; duhet të forcoja besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar e çtensionuar situatën. Unë duhet të arrij që njerëzit të shohin tek unë, dikë që nuk bëhet palë. Sigurisht, ne punojmë me qeveritë, dhe kështu duhet të mbajmë një marrëdhënie të afërt me të, sigurisht dhe me opozitën…
Më kujtohet se Berisha i axhituar, ma bëri të qartë mua dhe Tom Countrymen, se nëse do kishte një përpjekje të dytë (nga Edi Rama), reagimi i autoriteteve do ishte edhe më i ashpër se në 21 janar.
E di që Berisha në intervistë në “Real Story” para dy vjetësh, ka thënë që do ta vriste Edi Ramën, por unë mbaj mend atë që thashë. I thashë se ajo që ndodhi në 21 janar ishte dite e dhimbshme për ata që humbën jetën, ditë e shëmtuar për Shqipërinë dhe se tani të gjithë duhet të ftohnin gjakrat. “Përfshirë dhe ju zoti Kryeministër”, i thashë atij direkt.
Nuk i thashë Ramës tekstualisht çfarë më tha Berisha, por sigurisht e perifrazova pa i ndryshuar kuptimin. “Ju e dini më mirë se unë, se nëse gjërat dalin sërish jashtë kontrollit, situata do të jetë edhe më e keqe se në 21 janar.”
Unë kujtoj se kishte disa zëra se pas 21 janarit, 28 janari do të ishte më keq. Se do kishte më shumë protestues. Kryeministri kishte anuluar antimitingun, por ai vazhdonte të ishte shumë i axhituar. Emocionet ishin të larta, sidomos pas vdekjes së protestuesve. Edhe jeta e Edi Ramës ishte në rrezik dhe mua më kujtohet se folëm me të, edhe për këtë.
Unë isha i ri në detyrë, po kështu edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, si dhe ambasadori i OSBE-së Volfart, nuk kishte shumë në këtë detyrë. Tani mendoj: a mund të ishte kjo një rastësi, apo disa faktorë politikë e përdorën këtë rrethanë?
Dhjetë vjet më vonë, a i qëndroj asaj thënieje? Disa njerëz e pëlqyen atë që thashë, Berisha dhe mbështetësit e pëlqyen. Na ndihmoi ne në ambasadë të kishim për pak muaj, një bashkëpunim të mirë me qeverinë. Për fat të keq, nuk zgjati shumë. Nëse do ta kisha thënë ndryshe? Ndoshta po. Por kishte një arsye, përse e thashë në atë kohë. Ndoshta nuk ishte perifrazimi më i mirë, por i qëndroj asaj që thashë atë ditë