Atentati ndaj prokurorit Ndoja/ tre të mitur dëshmitarë, plani ishte ekzekutimi i të tre personave, zbardhen detaje të reja nga ngjarja

0
33

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin me armë zjarri ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje kjo e ndodhur më 1 nëntor 2019 në Shkozet të Durrësit. Referuar dosjes hetimore të SPAK personi i cili ishte në rolin e ekzekutorit, Redjan Rraja që prej fillimit kishte në shënjestër 3 persona, prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, mikun e tij, Aleksandër Laho i njohur me nofkën Rrumi dhe shoferin e familjes Andi Maloku. Mësohet se Rraja gjithashtu ka krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim ekzekutimin e tyre. “Autorët kanë patur në shënjestër të tre personat që udhëtonin në automjet, për faktin se cilësitë e Arjan Ndoj si prokuror ishin të njohura”, thuhet në dosjen hetimore të SPAK. Po nga dosja hetimore theksohet se, qëllimi i eliminimit fizik të 3 personave të sipërpërmendur, vërtetohet nga përgatitja e autorëve për ngjarjen ku secili prej tyre mësohet të ketë studiuar lëvizjet e të dëmtuarve, si dhe nga fakti që ata qëlluan në drejtim të automjetit të prokurorit me armë zjarri shumë të fuqishme, si automatik model 56, mesa duket organizimi i këtij plani mafioz ka qenë i mirëmenduar. “Intensiteti i sulmit tregon qartë se autorët nuk kanë qenë përzgjedhës në shënjestrën e tyre, por kanë patur objekt automjetin, ku ndodhej prokurori dhe dy personat e tjerë”, thuhet në dosje. Më tej, në dosjen hetimore të SPAK rezulton se ish-dentisti i burgut Rraja ishte në rolin e ekzekutorit, ndërsa Arjol Halilaj ndihmës, për faktin se siguroi automjetin që u përdor dhe largoi nga vendi i krimit atentatorët. Gjithashtu në dosje theksohet se, ekzekutori Rraja gjithmonë ka mohuar lidhjen me krimin, megjithatë një palë syze të gjetura në makinën e braktisur në Shkafanë si dhe një kampion ADN që u përftua në një kapuç janë dy nga provat kryesore të cilin e kanë nxjerrë zbuluar personin në fjalë. Prokuroria thotë gjithashtu se Rraja gënjen edhe lidhur me lëvizjet që ka bërë ditën e ngjarjes, pasi ai mësohet të ketë thënë se ka shkuar në Durrës të kolaudonte makinën, ndërkohë që veprimet i kreu Arjol Halilaj. Ish-dentisti deklaron gjithashtu se drejt Tiranës u rikthye rreth orës 17.00 të datës 1 nëntor, por në fakt nga pamjet filmike rezulton se automjetin e tij e drejtonte një person tjetër. E ky varg hetimesh duket se nuk e kanë bindur ende Redjan Rrajën, për të pranuar përfshirjen në ngjarje dhe bashkëpunimin me drejtësinë. Duhet theksuar sërish se, prokuroria deri më tani nuk ka mundur të zbardhë motivin e krimit, me një person të vrarë e dy të plagosur.
3 të mitur dëshmitarë
Megjithatë justifikimet e vazhdueshme të Rrajës për mospërfshirje në këtë ngjarje, rrëzohen edhe nga familjarët e tij. Konkretisht, bashkëshortja ka dëshmuar se për rreth një muaj nuk ishte takuar me të, pasi Redjani i kishte thënë që ndodhej jashtë vendit, ndërsa e merrte në telefon dhe pyeste vazhdimisht me fëmijën. “Nga kjo del qartë se Redjan Rraja në përpjekje për ndërtimin e një alibie ka përgatitur familjarët e tij se do të ikte jashtë shteti”, thekson prokuroria. Ndërkohë, një tjetër provë e fortë ndaj tij pritet të jenë dëshmitë e tre vëllezërve të mitur, të cilët panë atentatorët teksa braktisën makinën në pronën e familjes së tyre. Kështu, njëri prej të miturve mësohet të ketë thënë se personat ishin të maskuar dhe mbanin armë. Ndërsa në sediljen e pasme kishin lënë automatikët. Djali tregon se teksa largoheshin, pranë tyre u afrua një automjet tjetër dhe njëri nga personat që ndodhej në të i kërcënoi duke iu thënë “pse se përfunduat punën, do tju pres fytin”. E në këtë rrjedhë hetimesh, lidhur me Redjan Rajën, SPAK është duke vijuar gjithashtu hetimet për të identifikuar jo vetëm atentatorin e dytë, por edhe urdhëruesit e krimit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj