Ish-i i Kombëtares “mosmirënjohës”, Valdet Rama: Në Shqipëri qëndrova sa për të marrë formën sportive

0
276

Lojtarët e Kombëtares, pasi e mbyllën me sukses angazhimin e tyre në Ligën e Kombeve, duke merituar vendin e parë në grupin e katërt të Divizionit C, po kalojnë një moment të mirë edhe me skuadrat e tyre në ligat e ndryshme europiane. Një pjesë nuk reshtin së vlerësuari mundësinë 2që u ka dhënë trajneri Edi Reja dhe FSHF, por ka dhe nga ata që vlerësojnë edhe kampionatin shqiptar nga kanë dalë apo që kanë luajtur në faza të caktuara. Çuditërisht nuk e ka këtë mendim një tjetër lojtar kuqezi, i shkëputur sigurisht nga grumbullimet e Kombëtares, i cili erdhi me bujë në kampionatin shqiptar një vit më parë, por më parë iku se u stabilizua në ekip, e tani nga liga e tretë në Gjermani ku ndodhet, shpreh mospërfillje për kampionatin, duke thënë se e shfrytëzoi thjesht sa për të kapur formën sportive. Dhe ky është mesfushori me tipare ofensive Valdet Rama, dikur nën De Biazin lojtar që erdhi me bujë dhe bëri disa ndeshje të mira, madje shënoi dhe gol, por vetëm kaq, pasi forma e tij nuk ishte stabile dhe minutazhi nuk përputheshin me objektivat madhore që kishte grupi.

Ardhja dhe largimi nga Kukësi

Sezonin e kaluar ai llogaritej si pikë e fortë e Kukësit në kampionatin shqiptar. Madje erdhi me pompozitet në merkaton e dimrit, për të rritur objektivin e verilindorëve e pati mjaft prej atyre që besuan se lojtari do të bënte diferencën e mund të rivalizonte, pse jo, për “Këpucën e Artë” të kampionatit. Ndonjë gol e bëri, por e përgjithshmja ishte se ai dështoi. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare ofensive, Valdet Rama, ish-lojtar i skuadrës kombëtare. Rama luan aktualisht në Ligën e Tretë gjermane me skuadrën e Mepen, mirëpo në të kaluarën e tij ia ka dalë të jetë pjesë edhe e La Liga, duke u aktivizuar me Vajadolid. Madje, ish-futbollisti i kombëtares ka mposhtur në atë kohë edhe Barcelonën e Lionel Mesit e Nejmar. Në një intervistë për “liga3online.de”, sulmuesi thekson se kërkon të vazhdojë ende të luajë edhe pse është 33-vjeç pasi ai ndihet si një 26-vjeçar. “Nuk dua të përcaktoj një vend. Kam pasur eksperienca të bukura dhe të rëndësishme kudo. Kur u transferova te Hanover 96 në 2009 dhe te Real Vajadolid në fillim të vitit 2013, përmbusha ëndrrën time të fëmijërisë. Kam dashur gjithnjë të luaj në Bundesliga dhe në La Liga. Kështu, ato ishin padyshim destinacione speciale për mua. Në kohën te Valadolid mbaj mend që edhe mposhtëm Barcelonën e cila kishte yje si Mesi, Nejmar dhe Çavi”, tha ai. Më pas bën një analizë të karrierës së tij. “Sigurisht që jo. Kam menduar shpesh nëse vendimet e mia kanë qenë të sakta, por nuk ka pasur asgjë që nuk do ta bëja sërish. Gjithashtu, kam bërë shumë miq, disa prej të cilëve jam ende në kontakt. Ka qenë një udhëtim shumë i bukur, por që ende nuk ka përfunduar”, theksoi Rama. Më pas vjen përgjigja për objektivat që ka me Mepen në Gjermani. “Doja vërtetë shumë të kthehesha në Gjermani, gjithashtu doja të isha afër familjes sime që jeton në North-Rine Uatsap. Angazhimi në Shqipëri ishte thjesht për të rifituar pak formën me praktikë. Para se të shkoja në Shqipëri, pas një aventure në Kinë, isha pa një klub për disa muaj dhe ishte e vështirë të fitoja formën në Gjermani. Shumë klube më thanë se isha i vjetër. Gjithsesi, ende e dija se kisha aftësi  dhe ato mund të bënin diferencën. Mepen tregoi interes gjatë kohës sime në Shqipëri dhe pak më vonë më dha mundësinë të luaja sërish në një ligë profesionale në Gjermani. I jam mirënjohës Mepen për këtë”, shtoi Rama, çuditërisht duke falënderuar gjermanët e jo Superioren tonë që e rriti në formë për të bërë kapërcimin që i duhej. Në fund ka koment edhe për planet pas futbollit. “Dua të luaj sa më shumë të mundem. Në këtë vit mbusha 33-vjeç, por unë ndihem si 26. Jam shumë i lumtur për këtë, por nuk e marrë për të mirëqenë që jam ende në formë dhe që mund të luaj në nivel të lartë. Ajo çfarë do të bëj pas karrierës si futbollist është ende e paqartë për mua”, përfundoi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here