KPA u mbyll derën gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr të kthehen në sistem, përjashtohet me 15 vite gjyqtari i 21 Janarit

0
278

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u ka mbyllur derën të dorëhequrve në gjyqësor që të rikthehen në sistem. Janë dhjetëra emra që kanë dhënë dorëheqjet përpara se të futen në veting, duke shmangur në këtë mënyrë njollosjen në publik dhe ndonjë hetim të mundshëm më vonë nga prokuroria. Por thuajse të gjithë kanë refuzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili i përjashton ata me 15 vite nga sistemi pas dorëheqjes. Dje në KPA ishte Agim Bendo. Edhe ky i fundit u dorëhoq nga sistemi, ndërsa kërkoi nga KPA që të hiqet pjesa e ndalimit për 15 vite. Por KPA e refuzoi duke lënë në fuqi vendimin. “Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.9/2020, datë 13.02.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Agim Bendo, kundër vendimit nr. 216, datë 04.12.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 216, datë 04.12.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Agim Bendo”, thuhet në njoftimin e KPA.

Qëndrimet e avokatit

Ish-gjyqtari Agim Bendo nuk u paraqit në seancën e të martës. Përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Bojken Bendo tha se ankimi është kryer për arsye morale, duke argumentuar se largimi nga detyra ishte bërë për shkak të daljes në pension dhe jo për t’iu shmangur procesit të rivlerësimit.

Avokati Bendo tha se ankimi ishte ngritur për arsye morale. “Lidhur me shkakun e parë të ankimit dua të sjell në vëmendje një artikull të para pak ditëve ku citohet: “Iku nga frika e vetingut, rebelohet “sheiku” Agim Bendo ndaj KPK”. Ai nuk ka ikur nga frika, por për shkak se doli në pension. Vërtetohet nga libreza e pensionit dhe një vërtetim i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë”, tha përfaqësuesi ligjor. Agim Bendo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992 dhe përgjatë dy dekadave të fundit ka punuar si gjyqtar në shkallë të parë dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në shtator 2013, Bendo ishte pjesë e trupës gjykuese që dha vendimin e diskutueshëm për çështjen e 21 Janarit, duke dënuar me vetëm 1 vit burg ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi dhe me 3 vjet gardistin Agim Llupo për vrasjen e 4 protestuesve përballë Kryeministrisë.

Emrat e tjerë

Gjatë javëve të fundit ka pasur shumë emra të dorëhequr që kanë tentuar të rrëzojnë KPK. Arjana Fullani, Evelina Qirjako dhe Eneida Civici u përballën me KPA dhe dështuan. Po ashtu emër tjetër ishte Arjana Liço. Edhe kjo u dorëhoq nga detyra dhe KPK e përjashtoi për 15 vite nga sistemi. Ajo që bie në sy është se KPA ka krijuar tashmë një precedent dhe kush është dorëhequr nuk kthehet dot në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë ka shumë nga ata që e kanë gjetur zgjidhjen, pasi kanë hapur zyra avokatie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here