Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës del para KPK, përplasje me komisionerët mbi këstin për apartamentin

0
215

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Valbona Vata u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për Vatën kryesohet nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni evidentoi pamundësi financiare për një pjesë të vlerës së këstit të parë të një apartamenti në Tiranë, të porositur në vitin 2010. Relatorja Çiftja shpjegoi se gjyqtarja Vata e kishte porositur apartamentin në Tiranë në vitin 2010 kundrejt vlerës 6.3 milionë lekë që ishte shlyer me dy këste, i pari në shumën 1.3 milionë lekë në momentin e nënshkrimit të kontratës dhe vlera 5 milionë lekë në 2011-ën. Komisioni i ka gjetur të sakta deklarimet e gjyqtares Vata për këtë pasuri, por konstaton pamundësi për shlyerjen e këstit të parë. Çiftja pohoi se gjyqtarja Vata ka deklaruar si burim për këstin e parë kursimet, por se në deklaratat periodike nuk ka pasqyruar kursime në cash. Sipas Komisionit, nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 389 mijë lekë për shlyerjen e këstit të parë. Për pagesën e këstit të dytë, gjyqtarja Vata ka deklaruar si burim një kredi në shumën 5 milionë lekë. Sipas BIRN, Çiftja tha se ka rezultuar se subjekti e ka shlyer rregullisht kredinë dhe se ka pasur burime financiare të mjaftueshme. Gjyqtarja Valbona Vata shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se ajo kishte jetuar së bashku me familjen e origjinës dhe se llogaria kishte qenë e përbashkët. Ajo kërkoi që analiza financiare të kryhej edhe bazuar në të ardhurat e krijuara nga prindërit dhe motra e saj dhe këmbënguli se kishte pasur burime të mjaftueshme për pagesën e këstit të parë. Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e një autoveture në vitin 2010 kundrejt shumës 320 mijë lekë. Gjithashtu, ka rezultuar se ajo ka pasur burime të mjaftueshme edhe për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2009, që ia ka dhuruar po atë vit motrës së saj. Relatorja Çiftja tha se Komisioni kishte hetuar pasuritë e bashkëshortit para martesës, por nuk ishin gjetur indicie për pasuri të fshehura. Ajo shtoi se analiza financiare e përgjithshme që përfshinte periudhën 2001-2018 kishte rezultuar në përgjithësi pa probleme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here