Google search engine
Home Politike Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar...

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

0
300

Deputeti socialist Spartak Braho pak ditë më parë botoi librin “Masakroni Servet Pëllumbin”. Në këtë libër Braho ka futur pasazhe nga jeta e tij, intervista, shkrime deklarata dhe materiale të tjera. Sot gazeta po publikon disa pjesë sa i takon luftës së Kosovës, ku situata është sërish aktuale.

UÇK-ja ka vënë në dyshim Berishën dhe Bukoshin

-Janë dhënë shumë opinione për takimin Rugova-Millosheviç në Beograd. Për ju çfarë do të thotë ky takim?

Pa dyshim që për mbarë opinionin brenda e atë ndërkombëtar takimi Rugova–Millosheviç ka ngjallur diskutime të mëdha. Janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet. Unë personalisht i takoj atij opinioni që mendon se nuk kemi të bëjmë as me truk televiziv, as me montazh. Madje as me papërgjegjshmëri. Kemi të bëjmë me një fund pa lavdi të detyruar të Rugovës, të cilin Millosheviçi dhe strukturat e tij e përdorën si kartë të fundit në një moment delikat, për të manipuluar, për të spostuar vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, të institucioneve dhe të vet popullit të Kosovës. Nëse do të analizohen të tëra lëvizjet politike të Rugovës, në mënyrë kronologjike që nga 1989, vit që përkon me vënien e tij në krye të lëvizjes paqësore, me frytet baras me zero që solli kjo lëvizje, do të thosha që doktor Rugova nuk është tjetër veçse rreshter Rugova, ashtu siç do thosha se doktor Saliu nuk është doktor Saliu, por kapter Saliu si dikur kapter Ramiu, ashtu si zoti Bukoshi nuk është më Bukoshi Kryeministër, por tetar Bukoshi.

-Ç’lidhje ka Berisha dhe Bukoshi në këtë takim?

Tashmë ka ardhur koha t’i hiqen petët lakrorit. Shikoni faqet e shtypit të Partisë Demokratike: sulmohet hapur UÇK-ja, hidhet baltë mbi luftëtarët e lirisë, mbi qeverinë e sapoformuar të Thaçit, madje hidhet baltë edhe mbi qeverinë shqiptare, e cila në kushte kaq të vështira po përpiqet me të gjitha mënyrat t’i bëjë ballë kësaj katastrofe ndërkombëtare. Kujt i intereson më tepër se kaq, në dobi të kujt do të ishte të veprohej e të mbahej ky qëndrim? Vetëm Millosheviçi është i interesuar të shuajë rezistencën aktive të popullit të Kosovës. Të shuhet UÇK-ja, që Berisha e quante “marksiste” apo “të formuara nga UDB-ja”, si dhe të destabilizohej Shqipëria, e cila është një prapavijë e sigurt për popullin kosovar. Këta nënoficerë të zellshëm të zbulimeve serbe, natyrisht kanë vegjetuar për një kohë të gjatë dhe në mënyrë aktive, lidhur kryesisht me shkatërrimin e shtetit shqiptar. Nga 1991 ne kemi parë vetëm momente të shkatërrimit të shtetit shqiptar dhe strukturave të tij, veças të shtyllave që mbajnë një shtet si ushtria, policia, financat, ekonomia, organet e zbulimit. Në mënyrë logjike unë kam arritur në përfundimin se ngjarjet e janar–qershorit të ‘97-ës, më shumë se Berishës dhe klanit politiko-ushtarako agjenturor të tij, i interesonin Millosheviçit dhe UDB-së që të ndodhnin. Këto ngjarje pasohen dhe kanë lidhje me shtatorin e vitit të kaluar. Ka një fakt, i cili nuk është i përgënjeshtruar ende. Berisha për të realizuar grushtin e shtetit, kërkoi dhe ndihmën e mercenarëve, iu premtua kjo ndihmë dhe ai u përpoq ta siguronte dhe nëpërmjet infiltrimeve me drejtues të lartë të qeverisë kosovare, siç ishin bisedimet me Bukoshin, por që për shumë faktorë nuk arritën dot të finalizonin skenarin e përgatitur. Në sofrën e madhe të shtruar që e ka marrë “çështjen kosovare”, por që padyshim fuqitë e mëdha kanë vendosur të ndryshojnë hartën gjeopolitike të Ballkanit, ne shqiptarët jemi të ftuar jo vetëm si pjesëmarrës aktivë, por edhe për të marrë atë që na takon. Ky është një rast fatlum, gjë që na e dhuroi koha dhe që duhet ta shfrytëzojmë. Përballë këtij fakti me përjashtim të Berishës dhe PD-së forcat politike e kanë kuptuar dhe vlerësuar këtë moment vendimtar jo thjesht të shtetit shqiptar, por të kombit shqiptar. Po të analizosh me qetësi qëndrimet dhe deklaratat e Berishës që nga mesi i vitit të kaluar dhe deri tani e kupton qartë që ai, nëpërmjet zigzageve, nëpërmjet deklarimeve, herë të forta në dukje, herë të pakuptimta, herë të ashpra, herë pa bosht, e kupton se nuk është i interesuar për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare. Kjo është në vijën e tij politike, që mua nuk më çudit, pasi unë e kam thënë hapur që ai është një agjent i UDB-së, por tashmë jo një kapter në rezervë, por një kapter aktiv i Millosheviçit.

(“Shekulli”, 4 prill 1999)

Vendim i papritur i Brahos, do të shkojë në Kosovë për të luftuar

Një deputet socialist rreshtohet përkrah ushtarëve të UÇK-së. Gjestin e rrallë do ta kryejë Kryetari i Komisionit të Imunitetit dhe Mandateve, Spartak Braho, i cili ka deklaruar se do të shkojë të shtunën në Kosovë, ku do t’i japë mbështetjen e tij UÇK,-së dhe do të qëndrojë atje deri sa të ndryshojë situata. Braho shprehet se “bijve të partizanëve” u del për detyrë në këto çaste të vështira që po kalon populli i Kosovës të rreshtohen përkrah vëllezërve kosovarë, për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Duke e konsideruar veten ushtarë të kombit shqiptar, Braho thotë se çlirimi i Kosovës është një nga detyrat më imediate të kombit shqiptar “sepse sot nuk është vetëm Kosova që rrezikohet, por edhe Shqipëria dhe populli shqiptar”.Fillimisht, Braho do të shkojë në Kosovë për të dhënë mbështetjen e tij, por më pas ai mund të përfshihet edhe në aktivitetin ushtarak. Ai nuk harron të përmendë faktin që ka qenë ushtarak. “Kjo iniciativë më buron nga gjaku, nga historia e kombit shqiptar dhe nga fakti që po rrezikohet jo vetëm ekzistenca e popullit të Kosovës, por edhe Shqipëria”, tha deputeti . Ai kritikon qëndrimin e politikanëve shqiptarë, që konsiston vetëm në deklarata në Parlament dhe në shtyp.

Braho deklaroi se në iniciativën e tij ka shumë mbështetës, por nuk dihet nëse ndërmjet tyre ka edhe deputetë të tjerë shqiptarë. “U bëj thirrje jo vetëm atyre, por tërë intelektualëve, veçanërisht kuadrove të liruar të ushtrisë të kontribuojnë për Kosovën”, shprehet deputeti, duke bërë kështu thirrje për një mbështetje konkrete ushtarake për UÇK-në. “Unë çmoj se realisht sa kohë që Nano deklaron të bombardohet Serbia, opsioni im është që duhet të rreshtohem krah atij populli që po martirizohet, sepse 110 të vrarë në ditë nuk janë pak”, vazhdon më tej Braho.

Akti i tij nuk duket të jetë spontan, pas pohimit se ka marrë kontakte me kosovarë që luftojnë për çlirimin e Kosovës, në Shqipëri dhe me ata që janë në Kosovë nëpërmjet letërkëmbimeve dhe telefonatave. Luftën e UÇK-së, Braho e konsideron një luftë çlirimtare të tipit të luftës partizane nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe në Spanjë. Sipas tij, zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk ka alternativë tjetër, përveç grykës së pushkës, për të kërkuar lirinë. Qëndrimi i Brahos mund të konsiderohet më ekstremi nga qëndrimet e politikanëve shqiptarë, më radikalët nga të cilët kanë përshëndetur UÇK-në dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Nuk dihet sesa mund t’i kushtojë deputetit lënia në mëshirë të fatit të elektoratit të tij apo komisionit që drejton, të cilat ai do t’i braktisë derisa të marrë udhë zgjidhja e çështjes së Kosovës. Deklarimi i tij vjen, pas njohjes së UÇK-së si faktor në krizën e Kosovës dhe pas kontaktit me të, të amerikanit Hollbruk. Jo më vonë se dje, edhe parlamenti shqiptar bëri aktin e parë zyrtar të njohjes së UÇK-së, me anë te vizitës që Komisioni Parlamentar i Mbrojtjes i bëri ushtarëve të plagosur, në spitalin ushtarak në Tiranë. Nga ana tjetër një delegacion i BEP është shprehur po dje se asgjë nuk mund të arrihet në Kosovë, pa praninë ë UÇK-së si palë.

(“Koha Jonë”, e mërkurë, 22 korrik 1998)

Gjeneralët e Berishës kanë takuar Arkanin

Hap pas hapi, por pa u ndaluar, siç thotë populli, “lakrorit po i hiqen petët” pas lëvizjes njëzet vjeçare të Berishës, për disa e çuditshme, për të tjerë e dyshimtë në filtrimin e infiltrimin e tij me regjimin serb të Millosheviçit dhe UDB-së, që arriti kulmin në deklarimin e tij publik “Të mos firmoset marrëveshja e Rambujesë nga kosovarët”. Tashmë një tjetër fakt përforcon dhe zbulon këtë linjë. Sipas burimeve të afërta kosovare është fiksuar se në muajt e parë të këtij viti dy nga gjeneralët e Berishës janë takuar kokë më kokë me serbin kriminel Arkan në një nga kryeqytetet e Europës Qëndrore. Sipas po këtij burimi, janë këta gjeneralë, Agim Shehu, ish-gjeneral, zëvendës ministër i Brendshëm i ardhur në këtë detyrë pas karrierës si kufitar në rajonin e Peshkopisë aktualisht banues në Hessen të Gjermanisë pas arratisjes të vitit 1997 dhe Bashkim Gazidede, Kryetari i Shërbimit Informativ, i emëruar pa dekret Gjeneral i operacioneve të shtypjes së revoltave popullore gjatë marsit të vitit 1997, njëkohësisht i mirënjohur edhe si kreu i fundamentalistëve myslimanë në Peshkopi e kryetar i kësaj shoqate më pas, i cili pas arratisjes në vitin 1997 jeton në një vend aziatik. Përfundimisht nga ky takim i gjeneralëve të Berishës me serbin Arkan arrin në po atë konkluzion të cilin e kemi bërë të njohur edhe më parë. Millosheviçi e ka përdorur edhe do ta përdorë kartën e tij, nënoficerin Berisha.

(“Zëri i Popullit”, e premte, 4 qershor 1999)

Berisha përgatit tjetër “grusht shteti”!

-Si e komentoni stërvitjen e trupave të FARK-ut stemën e UÇK në territorin shqiptar, nga kush stërviten e a është një stërvitje e tillë ligjore. Çfarë precedenti mund të sjellë?

Ekzistenca e strukturave ushtarake jashtë ligjshmërisë, kam parasysh se për të legjitimuar ngritjen e strukturave ushtarake, për të legjitimuar jo vetëm…është përgjegjësi e strukturave shtetërore që kanë lejuar ngritjen e funksionimin e tyre. Në këtë mes unë nuk kam parasysh Ministrinë e Mbrojtjes por edhe Ministria e Rendit publik dhe sektorët përkatës, duhet të nxjerrin përgjegjësinë dhe unë e çmoj se është me mjaft dobi, me mjaft vlerë urdhri dhe pozicionimi i Ministrit të Rendit Publik, madje edhe të Ministrit të Mbrojtjes që këto struktura menjëherë të shpërndahen e me shpërndarjen e tyre kam parasysh që ato të atashohen pranë atij funksioni për të cilat janë ngritur, meqë propagandohen që janë ngritur për të vajtur e luftuar në Kosovë kur ishte koha për të luftuar, ose për të vajtur në Kosovë, tashti që është fjala për të ndërtuar strukturat e shtetit kosovar. Është mëse i evidentuar fakti që tani bota, Perëndimi, NATO, SHBA, qeveria dhe parlamenti shqiptar njohin vetëm një qeveri, vetëm qeverinë Thaçi. Kështu që ekzistenca paralele e këtyre strukturave që përfaqësohen gjoja nga ministri i Mbrojtjes, Bici i ish-qeverisë së Bukoshit, është ilegjitim dhe i papranueshëm për situatën në Shqipëri dhe Kosovë. Ana e dytë e problemit është se duke mos patur statusin juridik ligjor, duke qenë të papranueshëm, dhe në këtë rast unë do të thosha se ata urgjentisht duhet të shpërndahen, në mos shpërndarjen dhe në mosveprimin më forcë të shtetit shqiptar, përgjegjësia bie mbi Kryeministrin e organet që varen prej tij. Ata kanë vetëm një status, statusin moral, statusin politik që lidhet me atë angazhim që duhet të bëjnë këtë elementë nga diaspora e kudo për të vajtur në Kosovë.

-Por cila është përbërja e këtyre forcave që stërviten në Shqipëri ilegalisht?

Krahas ekzistencës së elementëve të ndershëm dhe patriotë unë kam këqyrur, kam biseduar, jam njohur që në përbërje të këtyre forcave ka elementë aventurierë, ordinerë, të inkriminuar, pjesmarrës në kryengritjen dhe grushtin e dështuar të shtetit të 14 shtatorit, kontingjente të cilat u përgatitën e morën pjesë aktive në këto situata më 14 shtator. Ata që i stërvitin këto kontingjente janë ish-oficerë të Ministrisë së Brendshme të Berishës. Ndër ta edhe shumë oficerë kontigjentë të UDB-së. Ky është kontingjenti real që angazhohet sot në të ashtuquajturin FARK.

-Mendoni që hyrja e këtij kontingjenti në mënyrë të pavarur me stemën e UÇK mund të krijojë incidente që mund t’i faturohen UÇK dhe qeverisë së Thaçit e si mund të parandalohet kjo?

Unë mendoj këtë që vazhdon i njëjti skenar. Berisha tentoi të bënte një grusht shteti në Shqipëri. Ai nuk ka reshtur së përgatituri për marrjen e pushtetit me anën e një grushti shteti. Ekzistenca, ngritja e mbajtja në këmbë e këtyre strukturave në aleancë me Bukoshin i bën këto struktura të rrezikshme. Jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri. Prandaj duhen denoncuar.

-Sipas burimeve, Bukoshi financon direkt Berishën për të ardhur në pushtet në mënyrë që t’ia shpërblejë me ndihmë për të ardhur Bukoshi në pushtet në Kosovë. Komenti juaj për këtë përpjekje?

Unë kam denoncuar faktin që Bukoshi ka biseduar me Berishën në prag të grushtit të shtetit më 14 shtator duke u vënë totalisht me mjete fizike, madje dhe me mjete monetare në funksion të realizimit të grushtit të shtetit për të realizuar atë synimin e tyre të përbashkët, Berisha në Tiranë dhe Bukoshi në Prishtinë. Kështu që Bukoshi është ai që financon Berishën, me 3 përqindëshin e kosovarëve Bukoshi që nëpërmjet Berishës financon me kapitale Shijak TV, ATV1, Radio Kontakt, gazetat “Albania”, “RD”, famëkeqen “55”.

(“Zëri i Popullit”, 17 qershor 1999)

Ju flas nga Prishtina e sapoçliruar

-Vizita e parë e deputetëve të parë shqiptarë në Prishtinë i përbërë nga Hamdi Jupe, Spartak Braho, Muhamet Bela dhe djali i tij Dardan, Edi Andoni, etj. të shoqëruar nga drejtuesi i Policisë të Kukësit, Jonuz Hyka?

Ishte kënaqësi veçanërisht e madhe që kur shkelëm në tokën kosovare pikën doganore në Morinë. Pamë krahas forcave të KFOR-it dhe ushtarë të UÇK-së. Prej aty ne udhëtuam përgjatë rrugës në Prizren. Ishte një dyndje e madhe automjetesh me kosovarë që ktheheshin me padurim në shtëpitë e tyre. Në të dy anët e rrugës pamë fshatra të djegur e të shkatërruar. Synuam të bënim një takim me prefektin e Prizrenit, por për shkak se ai i ishte përgjigjur një ftese për të vajtur në Kukës, ne nuk arritëm ta takonim. Qëndruam pak kohë në Prizren, takuam shumë njerëz atje, qëndruam e biseduam me ta pastaj u nisëm drejt Prishtinës. Ndalesën e parë e bëmë në qendrën e Kryeqytetit të Kosovës, një qendër ku ishte instaluar KFOR-i dhe e tërë media e huaj. Aty ramë në kontakt, telefonuam dhe kabinetin e Kryeministrit Thaçi, i cili na dërgoi shoqërues dhe prej aty shkuam në hotel “Peja”, hotel ky i një pronari shqiptar, i cili kishte vënë këtë ambient në dispozicion të qeverisë. Pra ky hotel ishte rezidenca e parë e qeverisë së Kosovës.

-U takuat me zotin Thaçi?

Në momentin që ne arritëm në hotel, kabineti dhe qeveria Thaçi ishin në një mbledhje, prandaj ne nuk i shqetësuam për pak kohë dhe mbasi e mbaruan mbledhjen, qëndruam rreth dy orë me tërë kabinetin Thaçi. Fillimisht raportoi Kryeministri Thaçi, raportuan ministrat e tij, shprehën kënaqësinë që morën takimin e parë me ne, përfaqësuesit e parlamentit shqiptar. Biseduam për hallet dhe shqetësimet e tyre.

-Çfarë kërkonin ata?

Problemi kryesor i tyre ishte që të përballohej me po atë përkushtim që populli e qeveria shqiptare bënë për pritjen e kosovarëve dhe kthimin e tyre në vatrat e veta. Sepse pavarësisht nga apeli dhe angazhimi i institucioneve ndërkombëtare, kosovarët po vrapojnë të rikthehen me shpejtësi individualisht. Diskutuam gjithashtu për problemet dhe nevojat që kanë ata veçanërisht për arsimin, kërkuan ndihmë nga qeveria shqiptare, nga ministria përkatëse. U diskutua për probleme të tjera të funksionimit të pushtetit lokal, të gjykatave, të marrëdhënieve të tyre, me përfaqësuesit e dërguar nga OKB-ja. Ai na informoi për bisedën që kishte bërë më parë me Presidentin Klinton, për nënshkrimin e marrëveshjes për çmilitarizimin e bërë me gjeneralin për daljen e tij në mënyrë demonstrative në rrugët e Prishtinës, i shoqëruar nga kabineti i tij.

-Zoti Braho, në mënyrë demonstrative në rrugët e Prishtinës ka dalë edhe zoti Bukoshi? A patë ndonjë gjurmë të tij atje?

Është e vërtetë që zoti Bukoshi para dy tre ditësh ka kaluar në Kukës pa qëndruar fare dhe ka arritur në Prishtinë bashkë me dy-tre ministra të tij, por nuk bëhej fjalë për ndikim të dukshëm të tij në kryeqytetin kosovar.

-Mirëpritet Thaçi në Prishtinë si kryeministër?

Veçanërisht UÇK-ja dhe qeveria e Thaçit janë tepër të mirëpritura në Prishtinë dhe në të gjithë Kosovën. Ata priten si çlirimtarë, përkrah trupave të NATO-s, pasi kanë qënë pikërisht ata që sollën këtë ditë.

-Zoti Braho, qeveria ishte e plotë në mbledhjen e saj, dmth mungonin vetëm LDK-ja?

Vetëm përfaqësuesit e LDK-së mungonin. I tërë kabineti ishte i pranishëm.

-Veç qeverisë funksionon ndonjë institucion tjetër në Kosovë si Presidencë, Parlament?

Jo. Veç funksionimit të qeverisë së zotit Thaçi në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Rambujesë dhe Rezoluta e OKB-së, asnjë institucion tjetër nuk funksionon, pasi janë inekzistentë dhe nuk kanë mbështetje, nuk kanë përkrahje, nuk janë të moduluar në marrëveshjet e përbashkëta me KFOR-in dhe institucionet ndërkombëtare.

U kthyem nga Prishtina pas dy ditë qëndrimi. Ishte e dyta herë për mua vajtja në Prishtinë. Në qershor të 1971 kisha qenë për herë të parë, si student në një grup studentor të Fakultetit Juridik të shoqëruar nga dekani i nderuar prof. Luan Omari.

Një grup deputetësh socialistë kanë përfunduar vizitën e tyre në kryeqytetin kosovar, vetëm dy ditë pas tërheqjes së trupave të KFOR-it dhe të qeverisë së përkohshme në Prishtinë dhe Kosovë. Kanë qënë deputetët socialistë Spartak Braho, Jupe, Koleci, Baci, Pandeli, Andoni, Bela dhe Faber, ata që kanë përfunduar vizitën në Kryeqytetin Kosovar. Gjatë vizitës në Prishtinë deputetët shqiptarë kanë pasur një takim me Kryeministrin e Qeverisë së përkohshme, Thaçi, me të cilin kanë shkëmbyer mendime në lidhje me projektet e ardhshme të Qeverisë së kryesuar prej tij për rikthimin e refugjatëve në Kosovë dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Thaçi kishte mbledhur qeverinë e paplotësuar ende nga ministrat e LDK-së, me të cilët ka diskutuar në lidhje me hapat e mëtejshme të Qeverisë së përkohshme për normalizimin e jetës në Kosovë. Deputetët socialistë me këtë udhëtim kanë prekur për herë të parë nga afër realitetin e dhimbshëm, por dhe plot shpresë, për Kosovën e pasluftës.

(“Zëri i Popullit”, 22 qershor 1999)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here