Në takimin e zhvilluar me të rinj dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh ditën e djeshme se prioriteti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm do të jetë rindërtimi i shkollave, si dhe financimi i start-up për të rinjtë. Po ashtu, ai theksoi se ashtu si shkolla “Sami Frashëri”, puna po vijon edhe për ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të rindërtohen prej tërmetit. “Jemi një vit nga tërmeti shkatërrues i nëntorit, i cili na tregoi se shkollat e bëra në vitet ‘60-’70 ishin vetëm një tërmet larg, duke filluar nga shkolla ime e vjetër, “Sami Frashëri”, që nuk do bëhet në Paskuqan, por aty ku ka qenë, e tashmë janë hedhur themelet për t’u ringritur dy herë më e madhe, për të pritur fluksin me 1500 nxënës, si një nga shkollat më të kërkuara të Tiranës. Përtej histerisë që ngrihet për çdo projekt, “Samiu” është vetëm njëra nga 17 shkollat e reja që po bëjmë, bashkë me qeverinë, me projektin e rindërtimit të shkollave prej tërmetit. Ndërkohë, kishim një proces të nisur me 17 shkolla të tjera, në partneritet 50 me 50 në buxhet”, tha Veliaj. Ndër të tjera, kryetari i bashkisë u shpreh se puna do të vijojë edhe me shtimin e terreneve sportive, ndërsa theksoi se po ashtu do të fillojë puna edhe për ndërtimin e palestrave në natyrë. “Do të vazhdojmë me terrenet sportive. Kemi filluar me palestrat në natyrë, duke qenë se gjithmonë e më shumë gjëra do të bëhen në natyrë. Liqeni i Farkës pothuajse po mbaron konturin e vet, duam të jetë një park i dytë. Shumë nga shkollat tona po i inkurajojmë të dalin në park, ish-shkolla ime e vjetër “20 Dhjetori” fare mirë mund të përdori tani parkun “Rinia”, një tjetër produkt i histerisë kolektive, por që ja ku është sot, një bizhu në qendër të Tiranës”, tha ai. Veliaj po ashtu bëri me dije se një vëmendje të veçantë në buxhetin e ri i kushtohet edhe transformimit të Piramidës, për ta kthyer në qendrën më të madhe të inovacionit, ku të rinjtë dhe të rejat do të mësojnë gjuhën e kodimit. “Është bërë rrethimi i Piramidës, aty do të fillojnë punimet për ta kthyer në një qendër të madhe rinore. Megjithatë, tek “Arena Kombëtare” filluam kurset e Tumo-s për moshat 12-18 vjeç. Kurse, për moshën më të madhe hapëm Akademinë e Zhvillimit të Softuerëve, te Protik-u pas Kryeministrisë, që janë kurse më të specializuara. Një pjesë e madhe e buxhetit tonë për këtë vit do të shkojë tek Piramida. Një pjesë do të financohet këtë vit, pjesa tjetër do të financohet në 2022-shin”, sqaroi Veliaj.






































