Filmi “Bota” vijon rrugëtimin ndërkombëtar, shfaqet në muzeun e artit “Pera” në Stamboll

0
251

Gjashtë vjet nga premiera, filmi artistik “Bota” vazhdon që të prezantohet në botë. Filmi “Bota” me skenar e regji të Iris Elezit e Thomas Logorecit, u shfaq së fundmi në muzeun prestigjioz të artit “Pera”, në Stamboll të Turqisë. Në këtë muze arti prestigjioz, filmi shqiptar “Bota” pati dy shfaqje të tij. Në një reagim të saj për filmin, regjisorja Iris Elezi thotë se kanë kaluar gjashtë vjet nga premiera e filmit, por “Bota” po ecën shumë mirë. “Filmi u shfaq në muzeun prestigjioz “Pera” në Stamboll të Turqisë. Kishte një projekt në mos gaboj ndoshta 1-mujor, me ekspozita arti pikture dhe filma. Filmi “Bota” ishte një nga ata që u shfaqën. Gjashtë vjet më vonë që nga premiera, filmi po ecën shumë mirë. “Bota” vijon me rrugëtimin dhe këtë radhë në muzeun prestigjioz të artit “Pera”, në Stamboll”, shprehet mes të tjerave regjisorja Iris Elezi, për këtë film që ka marrë vlerësime të ndryshme, që nga koha kur u shfaq si premierë. Filmi “Bota” i përket zhanrit dramë dhe ka marrë 18 çmime, ku ndër vite ka qenë me vlerësimin e jurive, kritikës, por dhe publikut. Premiera botërore e filmit “Bota” me skenar e regji të Iris Elezit e Thomas Logorecit u dha në njërin ndër festivalet më të njohura në botë, “Karlovy Vary Film Festival” në republikën Çeke, ku bashkë me 11 filma të tjerë përbënin konkurrencën zyrtare të programit “East of the West”. “Karlovy Vary International Film Fest”, që zhvillohet në Çeki është një nga 12 festivalet kryesore ndërkombëtare të kategorisë A në botë. Regjisorët e “Botës” fituan “Feodora Award” në “Karlovy Vary International Film Festival” të vitit 2014 për këtë film. Me fotografi nga Ramiro Civita, editor Walter Vasano, muzikë nga Rudolf Stambolla dhe Anita Take dhe kostumografi të Emir Turkeshi, e me një set aktorësh të njohur ky film ka korrur suksese.

 “Bota”, ngjarjet dhe aktorët në film

Filmi “Bota” pak ditë më parë përfundoi me sukses dy shfaqjet e tij në muzeun e mirënjohur “Pera” në Stamboll, Turqi. Pas 18 çmimeve të ndryshme “Bota” po vazhdon të shfaqet me sukses nëpër botë dhe në film luajnë aktorët Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Erand Sojli, Guljelm Radoja dhe Alban Ujkaj. Filmi artistik “Bota” rrëfen Shqipërinë e ditëve të sotme, fokusohet në jetën e një komuniteti të vogël të ish të përndjekurve politikë të harruar nga koha dhe nga vetë ne, buzë një kënetë në Sektorin C. Skena ku regjisorja Iris Elezi ka vendosur filmin e saj është Adriatiku i Lushnjës, një fshat i vogël e i largët ku familjet e tre personazheve kryesorë kanë mbetur aty që kur ish regjimi i kishte internuar. Juli, Beni dhe Nora jetojnë në një fshat të izoluar ku familje të tëra kanë qenë të internuar gjatë komunizmit. Në skajet e tij gjendet një kënetë dhe pranë saj kafeneja magjepsëse “Bota”. Megjithatë, shpirti i vërtetë i saj është Juli, në fund të 20-ve, kameriere dhe kushërirë e Benit. Juli ëndërron të largohet për të ndjekur rrugën e artit, por qëndron për t’u kujdesur për të gjyshen, Nojën, të vetmen pjesëtare në familje që i ka mbetur. Mikja e saj Nora, është e përfshirë me pronarin e kafenesë, Benin, i cili është i martuar. Kur pranë kafenesë fillojnë ndërtimet, duket se gjërat do të ndryshojnë për këto personazhe. Projekti i filmit “Bota”, i aprovuar për financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ka marrë edhe mbështetjen e “Eurimages”, por dhe bashkëprodhuesve europianë. Iris Elezi, e diplomuar në New York University për Film & TV Production, është e njohur me punën e saj në fushën e kinematografisë. Ndër vite ajo ka realizuar edhe disa filma artistikë të shkurtër dhe dokumentarë si “Gjethja e fundit”, “Vetëvrasja”, “Rilindja”, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here