PD nuk pranon listë të përbashkët kandidatësh me LSI dhe PDIU/ Idrizi drejt koalicionit me Kryemadhin, ja prapaskenat

0
193

Opozita e bashkuar pritet që të shkojë e ndarë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Prej disa ditësh partitë politike kanë zbritur në terren dhe kanë ndezur “de facto” motorët e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sipas draftit të Partisë Socialiste ka shkaktuar konfuzion në radhët e opozitës joparlamentare. Kjo e fundit ende nuk e ka marrë një vendim se si do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme, për shkak se i kishte sytë nga presidenti Ilir Meta sa i takon Kodit Zgjedhor. Por tani që presidenti Meta i ktheu ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë nuk hapi rrugë dhe e rivotoi atë sipas variantit fillestar të paraqitur nga mazhoranca, situata ka ndryshuar.

PD nuk pranon listë të përbashkët me LSI e PDIU

Burime të sigurta nga selia blu i pohuan gazetës se fakti që në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 partitë politke do të shkojnë me Kodin e ri Zgjedhor, i cili më herët është kontestuar nga opozita dhe kreu i shtetit, ka trazuar ujërat brenda minorancës joparlamnetare. Sipas informacioneve, mësohet se Partia Demokratike nuk pranon që të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me listë të përbashkët kandidatësh me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Madje, sikundër theksuan të njëjtët burime nga PD, kjo e fundit ka gjasa që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shkojë me lista të përbashkëta me aleatët e saj tradicionalë. Në këtë kontekst, mësohet se Basha pritet të fusë në listat e PD krerët e partive aleate, si Dashamir Shehin e Lëvizjes Për Zhvillim Kombëtar, Agron Dukën e Partisë Agrare Ambientaliste, Fatmir Mediun e Partisë Republikane dhe Vangjel Dulen e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ndërkohë që iu ka mbyllur derën Monika Kryemadhit të LSI-së dhe Shpëtim Idrizit të PDIU-së. Madje, mësohet se lideri demokrat iu ka mbajtur dorën e zgjatur për bashkëpunim aleatëve të tij tradicionalë, teksa mësohet se në listat e PD, mund të pranojë që të fusë edhe 2-3 emra kandidatësh për deputetë të propozuar nga ato, duke qenë se listat janë të hapura dhe qytetarët mund të zgjedhin kë të duan, duke mos dëmtuar kështu Partinë Demokratike, pasi është garë transparente dhe fiton ai që merr më shumë vota. Kështu që në kushtet kur do të hyjnë në lista të përbashkëta dhe zgjedhjet e ardhshme nuk diktojnë që të luftosh që të hysh në lista në vendet e para, pra fituese, por mjafton të jesh në listë të përbashkët, gjasat janë që PD të shkojë në zgjedhje vetëm me aletatët e saj tradicionalë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht, pasi edhe kreu i PAA, Agron Duka në disa deklarata ka paralajmëruar se opozita duhet të dalë në 2 ose tre lista në zgjedhjet e ardhshme.

Idrizi drejt koalicionit me Kryemadhin

Por të ndodhur përpara kësaj situate, ku kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu ka mbyllur “derën” të paktën për momentin, Monika Kryemadhit dhe Shpëtim Idrizit, mësohet se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, pritet të shkojnë drejt koalicionit me njëra-tjetrën. Burime nga fronti opozitar i pohuan gazetës se PDIU dhe LSI mund të hyjnë me listë të përbashkët kandidatësh për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pra, të gjitha këto zhvillime tregojnë se gjasat janë që opozita e bashkuar të shkojë në zgjedhje me dy lista.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here