Frika e një izolimi të dytë/ Shqiptarët rrisin me 291 milionë euro kursimet

0
249

Shqiptarët rritën me 291 milionë euro kursimet nga fillimi i pandemisë. Izolimi i parë i vendit për shkak të shpërthimit të koronavirusit i gjeti të papërgatitur financiarisht shqiptarët. Kështu, duke qenë se vendi është ende nën ndikimin e pandemisë qytetarët i druhen një mbyllje të dytë prandaj dhe kanë rritur vlerën e depozitave të tyre. Sipas të dhënave, të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë bëhet e ditur se vetëm në 6 muaj shqiptarët i kanë rritur me 291 milionë euro kursimet. Sipas Bankës ky është niveli më i lartë i kursimeve të depozituara nga qytetarët në 10 vitet e fundit. “Depozitat bankare shënuan tjetër rritje të ndjeshme për muajin shtator, duke vijuar një tendencë të qëndrueshme kursimi, e cila është konstatuar që pas fillimit të pandemisë së Covid-19. E ardhmja e pasigurt po nxit kursimtarët të lënë para mënjanë për kohë të vështira. Që nga fundi i muajit shkurt, stoku i depozitave në vend është rritur me 291 milionë euro, pra +3.5% më shumë. Rritja është shumë më e fortë, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur nga shkurti 2019 deri në shtator 2019, kursimet u rritën me vetëm 6.5 miliardë lekë, ose gati 6 herë më pak. Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, kjo është rritja më e lartë për periudhën kohore në referencë, që nga viti 2011”, thuhet në raportin e BSH. Ndërkohë, studimet për situata të tilla në të shkuarën sugjerojnë se në kohëra krizash ekonomike, fatkeqësish natyrore apo epidemish, mund të priten ndryshime strukturore në sjelljen e ekonomive familjare. Efekti i pasigurisë për të ardhmen mund të mbizotërojë atë të rënies së të ardhurave në ecurinë e pritshme të kursimeve; kjo nënkupton se individët mund të priren edhe më shumë drejt kursimit, duke ulur më tej konsumin. Duke llogaritur edhe depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë, totali i depozitave bankare në Shqipëri arriti në rreth 1.25 trilionë lekë, ose rreth 10 miliardë euro. Depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të Bankës së Shqipërisë janë ato me maturim mbi dy vjet, si dhe depozitat e qeverisë qendrore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here