Drama “Natën ma” me regji nga Ema Andrea, në skenën e Prishtinës

    0
    412

    Drama “Natën ma” me regji nga Ema Andrea këtë mbrëmje do të shfaqet në Prishtinë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Vepra teatrore shkruar autorja e njohur Marsha Norman është me interpretimin e dy aktorëve të njohura. Në role kryesore në dramën “Natën ma” interpretojnë aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Lajmin për këtë vepër teatrore, që do të shfaqet këtë mbrëmje në Prishtinë bëhet me dije pranë teatrit “Metropol”, por “Natën ma” është një shfaqje që ka njohur suksesin e saj që në premierën në Tiranë, në vitin 2018. Premiera u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të shumta nga publiku. Shfaqja i dhuroi publikut që kishte mbushur sallën një përzierje emocionesh, ndërsa këtë ditë të fundit të muajit tetor do të jetë në skenën e Prishtinës. Vepra me regji nga Ema Andrea tregon fatin e një nëne, Thelma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa teatrore “Natën ma” që është shkruar nga Marsha Norman nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thotë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar, që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që vjen nën konceptin e regjisores Ema Andrea, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta. E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983, kjo dramë ka fituar “Pulitzier” dhe është nominuar për çmime të rëndësishme. Jo vetëm në skena të ndryshme teatrore, por “Natën ma” është shfaqur dhe në festivale të ndryshme, ku është mirëpritur nga publiku me lojën e dy aktorëve të njohura. Në vitin 2018 ishte hera e parë që kjo vepër u ngjit në skenën e një teatri në Tiranë, por më parë ishte vënë në skenën teatrore të Prishtinës.

    Vepër emocionuese

    “Natën ma” është një shfaqje dramatike mjaft emocionuese. Drama amerikane nga Marsha Norman fituese e çmimit “Pulitzer”, që erdhi në regjinë e aktores dhe regjisores Ema Andrea ishte me një aktrim i jashtëzakonshëm të aktores së njohur nga Kosova Ilire Vinca dhe aktores së talentuar Egla Ceno. Vepra është me muzikë nga Bojken Lako. Skenografia e veprës është realizuar nga Enio Shehi dhe identiteti vizual nga Vincenzo Giannattasio. Më herët teatri “Metropol” shkruante se “Natën ma” është një histori me fund tragjik, por me mesazhe shumë të forta rreth jetës dhe vdekjes. “Mos e humbisni”, shprehej teatri kur kjo vepër erdhi premierë në skenën teatrore të Metropolit në Tiranë. Si regjisore dhe aktore Ema Andrea ka një aktivitet me vlerësime në jetën e saj artistike. Një nga artistet e dashura për publikun, që gjithmonë e ka vlerësuar dhe duartrokitur për atë që ka sjellë, në skenat tona teatrore. Ema Andrea është nderuar me çmime në festivale të rajonit dhe Evropës. Në vitin 2018 u shpall aktorja më e mirë në “FIAT Festival” në Sarajevë. Ndërsa është vlerësuar me role të ndryshme në shfaqje, në “Natën ma” Ema Andrea mori vlerësimin si regjisore. Po ashtu dhe aktorja Egla Ceno është një emër i dashur për publikun, me role të ndryshme dhe që vazhdon të vlerësohet dhe duartrokitet me rolet e saj në drama dhe komedi. Nga Kosova me rolet e saj, Ilire Vinca është këtë herë në dramën me regji nga Ema Andrea. Një aktore që ka marrë pjesë në festivale të ndryshme dhe që ka marrë edhe vlerësimin e kritikës dhe publikut. Nga teatri Metropol u bë me dije se “Natën ma” do të jetë sonte në Prishtinë, por gjatë kësaj kohe në Tiranë nuk kanë munguar dhe shfaqjet e tjera të këtij institucioni që janë dhënë për publikun jo në skena, por në mjedise të tjera jashtë duke iu përshtatur dhe kushteve për shkak të pandemisë.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here