Olsian Çela fundos zyrtarët/ Marrëveshje me ILDKP për të hapur dosjet e pasurisë, premton përshpejtim të hetimeve

0
311

Ngushtohet më shumë laku i zyrtarëve dhe funksionarëve të tjerë të administratës shtetërore që janë të përfshirë në afera korruptive. Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë është institucioni i cili ka në dorë dosjet e pasurisë të të gjithë zyrtarëve dhe ndonëse çdo vit kallëzon me dhjetëra zyrtarë, vetëm një numër i vogël ka përfunduar në hetim, ndërsa pjesa tjetër ka përfunduar në kosh. Në këtë numër të vogël janë nëpunës të ulët, të cilët janë hetuar nga prokuroria. Por duket se kësaj situate po i vjen fundi dhe drejtësia po merr frymë. Kryeprokurori Olsian Çela ka nënshkruar ditën e djeshme një marrëveshje me ILDKP për të hapur dosjet e pasurisë së politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë, ku ka premtuar hetimin e tyre. Përmes kësaj marrëveshje do të bëhet i mundur bashkëpunimi në shkëmbimin e informacioneve për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, përmes të cilës dy institucionet angazhohen të intensifikojnë luftën kundër veprave penale të kryera nga zyrtarët e administratës publike në Shqipëri. Marrëveshja nxit bashkëpunimin për shkëmbimin e informacioneve për subjektet e deklarimit periodik të interesave private në ILDKPKI, marrjen e masave për plotësimin e rregullt të kallëzimeve penale, kryerjen e hetimeve paraprake, ushtrimin e ndjekjes penale, ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq në afate sa më të shpejta për shkeljet që përbëjnë vepër penale në fushën e deklarimit të pasurisë, konfliktit të interesave dhe veprave penale të tjera që lidhen me detyrën e subjekteve që kanë detyrim ligjor të bëjnë deklarim periodik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Bashkëpunimi i institucioneve

Qëllimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve të rëndësishme është bashkëpunimi dhe koordinimi i tyre për të vërtetuar nëse zyrtarët përbëjnë vepër penale si mosdeklarim, apo fshehje pasurie. Ky veprim është marrë pas denoncimeve të larta që kanë ardhur nga qytetarët, por edhe nga ultimatumi i ndërkombëtarëve për forcimin kundër korrupsionit në nivele të larta. “Institucionet angazhohen për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes tyre në luftën kundër veprave penale të refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim për deklarim, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal, i veprave penale të tjera që lidhen me to, si korrupsioni, falsifikimet, pastrimi i produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminale, etj. Marrëveshja vjen pas shqetësimit të opinionit publik shqiptar për nivelin e lartë të korrupsionit, vjedhjeve dhe shpërdorimeve të fondeve publike dhe kërkesave të organizmave ndërkombëtarë për forcimin e luftës kundër veprave penale të kryera nga zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, personat e zgjedhur dhe nëpunësit publikë në Shqipëri dhe është në përputhje me prioritetet e dy institucioneve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here