Komisioneri Publik, Dariel Sina dhe drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka paraqitën ditën e djeshme konkluzionet përfundimtare lidhur me shkaqet e ankimit të kryer kundër konfirmimit të tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sina u tërhoq nga qëndrimi i tij lidhur me shkaqet e ngritura në ankim për aspektin profesional dhe etikën, ndërkohë që kërkoi shkarkimin e Pekës për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Sipas Komisionerit Publik, Peka nuk mbulonte me burime financiare një pjesë të shpenzimeve për udhëtime jashtë shtetit të bëra që nga viti 2004. Sina la në Kolegj shkaqet fillestare të ankimit ndaj subjektit që lidheshin me një kredi të butë për strehim. Sina u tërhoq edhe nga ankimi për punësimin e një të afërmi të pakualifikuar të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Ai gjithashtu u tërhoq nga tre denoncimet që kishin ardhur kundër subjektit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Prokurori Peka deklaroi se nuk kishte balanca negative në analizën financiare nga udhëtimet, por pranoi që në deklarimit vjetore pranë ILDKP nuk kishte deklaruar gjendjen cash. Ndryshe nga sa Komisioneri Publik, Darjel Sina pretendoi në parashtrimet e tij, se prokurori Dritan Peka kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia duke përfituar një kredi të butë si i pastrehë ndërsa kishte pasur një shtëpi, gjatë konkluzioneve përfundimtare ai u shpreh se kredia me kushte lehtësuese ishte përfituar sipas ligjit. E pyetur nga relatorja e çështjes Rezarta Schuetz për më shumë detaje lidhur me këtë qëndrim, Sina u shpreh se kishte vlerësuar të rëndësishme mënyrën e përfitimit të kredisë duke e konsideruar të bazuar në ligj dhe në mungesë të konfliktit të interesit. “Mënyra e përfitimit është shumë e rëndësishme dhe e lë në çmim të Kolegjit”, përfundoi Sina lidhur me këtë shkak të ngritur fillimisht prej tij. Në konkluzionet e tij, prokurori Peka shpjegoi se aplikimi për kredinë, i kryer nga bashkëshortja, nuk ishte gjetur asnjëherë me shkelje. Sipas tij, aplikimi nuk ishte kryer si i pastrehë, por për shkak të statusit të veçantë të bashkëshortes në detyrën që ajo ushtronte. Gjithashtu, Sina i cilësoi bindëse shpjegimet e prokurorit Peka edhe lidhur me një praktikë për punësimin e kunatit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në Prokurorinë e Apelit Tiranë, për të cilën fillimisht konsideroi se kishte qenë e parregullt, pasi ishte rekrutuar pa shpallje, ishte pa arsim përkatës dhe se ishte paguar gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.