Rektori i ri i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, foli për herë të parë pas marrjes së detyrës për punët e para që ka bërë dhe ato që e presin në vijim.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, rektori Hoxha tha se deri më tani ka bërë disa punë, por e para zyrtare është emërimi i dekanëve të fakulteteve në Universitetin e Tiranës.
Mes të tjerash, rektori i UT u ndal dhe te viti i ri akademik, në kushtet e pandemisë, duke thënë se mund të ketë shkurtim të orareve, kryesisht të leksioneve, si dhe shtim të pedagogëve.
“Është hera e parë që dalë në studio si rektor. Dua të falënderoj të gjithë personelin pedagogjik dhe studentët, që morën pjesë në procesin zgjedhor, që ishte ndër më të mirët e zhvilluar në Universitetin e Tiranës. Dua të falënderoj edhe Presidentin e Republikës, që pjesën formale të emërimit e zhvilloi në mënyrë të menjëhershme, duke bërë që të jemi me organet dhe personelin e ri në fillimin e vitit shkollor. Unë kam bërë disa punë, por e para formale zyrtare është emërimi, ai formaliteti që bëhet, i dekanëve të fakulteteve të UT”, tha Hoxha.

































