Festivali “Luleborë” këtë vit në edicionin e pestë

    0
    425

    Prej katër vitesh në Shkodër organizohet festivali i këngës qytetare “Luleborë”, një traditë e kthyer pas rreth 30 vitesh mungesë. Në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të kësaj tradite, Bashkia Shkodër organizon këtë vit edicionin e pestë të festivalit të këngës qytetare “Luleborë”. Para disa ditësh bashkia shpalli ftesë të hapur për pjesëmarrje për kompozitorë të rinj dhe të afirmuar, ku më datë 30 gusht do të publikohen këngët fituese të fazës së parë seleksionuese, të cilat do t’i nënshtrohen procesit të orkestrimit. Drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka si një prej organizatorëve bën me dije se festivali “Luleborë” këtë vit do të zhvillohet duke respektuar rregullat, që kërkon kjo kohë prej pandemisë. “Festivali do të zhvillohet më vonë, por ende nuk kemi vendosur një datë të saktë. Mendojmë ta zhvillojë në mjedis jashtë, por ende nuk kemi diçka konkrete, sepse një pjesë e kompozitorëve janë dhe me pushime për të diskutuar. Më vonë do marrim një vendim”, thotë Gjeka. Në festivalin e një viti më parë me çmim të parë u nderua kënga “Si atëherë edhe sot të them: – Të dua!”. Muzika nga Zef Çoba, teksti Xhahid Bushati, kënduar nga këngëtari i talentuar shkodran Loarjan Ejlli. Si një prej pjesëmarrësve në këtë festival, autori Xhahid Bushati thotë se festivali “Luleborë”, ndoshta është aktiviteti më serioz, që zhvillohet çdo vit në qytetin e Shkodrës. “Ka krijuar një traditë, që vazhdon e pasurohet. Ky festival është iniciativë e Bashkisë Shkodër. Në përmbajtjen dhe strukturën e tij muzikore, ky festival ka të mbrujtur traditën e këngës qytetare shkodrane, traditë që e pasuron dhe i jep frymë bashkëkohësie. Ndaj, për shkodranët ka zgjuar interes dhe është shumë i pëlqyer, sepse në tingujt e këtyre këngëve magjike ata gjejnë vetveten dhe integrohen në hapësirat e këtyre këngëve”, thotë autori Bushati. Sipas tij, kompozitorët që marrin pjesë janë jo vetëm vendas, por edhe nga rrethet e tjera, mjafton që të plotësojnë portretin e këtij festivali, pra në thelb të jetë kënga qytetare shkodrane. “Nga viti në vit prurjet janë interesante dhe pasurojnë me tipare të reja tipologjinë e kësaj kënge të dashur e të shtrenjtë, me të cilën krenohet Shkodra dhe shkodranët e duan aq shumë”, vijon më tej Xhahid Bushati.

     Përshkrimi i projektit

    Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngën qytetare, me motive shkodrane, duke i dhënë një dimension të ri asaj; duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “live” të çdo elementi të këtij festivali. Për rrjedhojë thuhet në njoftim, krijimtaria artistike, muzika dhe fjalët duhet t’i përshtaten kritereve të përcaktuara nga drejtuesit e këtij projekti, që do të jenë edhe njësitë matëse për vlerësimin paraprak të këngëve. Të gjitha materialet muzikore do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm profesionistësh, të cilët do të zgjedhin këngët pjesëmarrëse në festival. Njoftimi i bashkisë vijon se juria e festivalit do të jetë në nivelet më të larta profesionale, e përbërë nga emrat më të njohur të krijimit dhe interpretimit të muzikës. Kriter kryesor në aplikimet që u shpallën ishte që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. Publikimi i tyre në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të festivalit “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival. Data e fundit e dorëzimit të materialeve muzikore ishte 15 gushti, ku sipas njoftimit materialet muzikore do të kalojnë në fazën e parë të seleksionimit dhe një grup i përbërë nga profesionistë të sektorit të produksionit muzikor do të marrin në shqyrtim këngët nga një këndvështrim i përgjithshëm (muzikë, tekst dhe cilësi vokale). Ky proces përfundon me seleksionimin e këngëve, që do të marrin pjesë në edicionin e pestë të festivalit “Luleborë”. Ndërsa me datë 30 gusht do të publikohen këngët fituese të fazës së parë seleksionuese, sipas njoftimit ato do t’i nënshtrohen më pas procesit të orkestrimit. Afati i fundit i dorëzimit të orkestracioneve nga ana e autorëve është data 1 tetor, të cilat do të dorëzohen tek grupi organizator, ose tek drejtori artistik. Performimi muzikor do të mbahet nën interpretimin “live” të “Orkestrës Luleborë”, e cila përbën edhe themelin e suksesit të festivalit “Luleborë”.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here