Ndonëse gjatë këtij muaji organet e vetingut kanë marrë pushimet, duket se nuk ka ndodhur e njëjta gjë me organet e ankimimit. Ditën e djeshme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik kanë dalë kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelit, që konfirmoi në detyrë gjyqtaren në Gjykatën Administrative të Apelit, Alkelina Gazidedja. Përmes një njoftimi, Komisioneri Publik bën me dije se ky vendim është marrë duke u bazuar edhe në rekomandimin e ONM-së dhe shprehet se gjyqtarja nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. “Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 273, datë 10.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alkelina Gazidedja, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit. Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhet në njoftim. Më tej, Komisioneri Publik bën me dije se të njëjtin qëndrim me të ka pasur edhe ONM, duke shtuar se KPA duhet të marrë në shqyrtim me prioritet në kohë këtë ankim, me qëllim parandalimin e vendimmarrjeve eventuale nga organe të tjera të inspektimit të zakonshëm, mbi çështjet e transferuara. “Komisioneri Publik ndan të njëjtin qëndrim me rekomandimin e ONM-së dhe kërkon që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim me prioritet në kohë këtë ankim, me qëllim parandalimin e vendimmarrjeve eventuale nga organe të tjera të inspektimit të zakonshëm, mbi çështjet e transferuara, që do të mbivendosnin shqyrtimin e tyre nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit brenda procedurës së rivlerësimit dhe, në përfundim të gjykimit në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 273, datë 10.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.
Ja ankimimi i ONM në KPA
Pak ditë më parë ONM paraqiti rekomandimin për të ankimuar në KPA konfirmimin në detyrë të gjyqtares Alkelina Gazidedja. Në lidhje me këto rekomandime, Komisioneri Publik e paralajmëroi pak ditë me parë ankimimin e këtij vendimi. Komisioneri tha se sapo të zbardhet vendimi, do të depozitojë ankesë në KPA për vendimin e marrë nga KPK. “Në datën 10.7.2020, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit. Sot, më datë 30.7.2020, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja. Komisionerët Publikë, pasi të njoftohen me shkrim për vendimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komisionerit Publik pak ditë më parë.