Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka planifikuar të rinojë skuadrën përfaqësuese hap pas hapi, në përputhje me filozofinë e tij në projektin katërvjeçar që ai ka me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke tentuar një revolucion ku shihen me përparësi të rinjtë që luajnë në klubet e njohura europiane dhe lehtësohen nga barra e përgjegjësisë veteranët kuqezinj, të cilët me kalimin e javëve dhe muajve duhet të hapin “krahun”. Ndër veteranët që shihen me pikëpyetje për duelet e radhës të Kombëtares, të cilat nisin në shtator dhe tetor me duelet e Ligës së Kombeve, Reja planifikon të “krasisë” disa emra të njohur në Kombëtare. Mavraj është thuajse jashtë ekipit, por mund të mbetet jashtë edhe portieri Etrit Berisha,pasi Strakosha po merr prioritet e portieri Selmani në Turqi është gjithashtu në formë të mirë. Në prapavijë po vijnë elementë të rinj të fuqishëm si Kumbulla, Ismajli e Kalaj, kështu që për Veselin dhe Hysajn do të ketë vështirësi në vijim. Në mesfushë lojtarë si Memushaj, Xhaka, Lenjani e ndonjë tjetër nuk do të ketë vend, pasi ka të rinj më premtues që do të sjellin jo vetëm freski, por edhe kualitet në roitje për shkak të performancës që ata kanë me ekipet e tyre. Bare është një prej tyre, por ka dhe lojtarë të tjerë që janë angazhuar tashmë në ekip dhe Reja i ka parë ata si të nevojshëm. Revolucioni i vërtetë pritet të ndodhë në sulm, pasi Sadiku, Cikalleshi e Balaj nuk e kanë efikasitetin e duhur dhe minutazhi i tyre nuk ka qenë në kuotat që pritej. Dëmtimet nga njëra anë dhe qëndrimi në stol në disa raste të tjera ka sjellë pakësimin e produktit të tyre, kështu që pritet ardhja e të rinjve premtues si Broja e ndonjë tjetër, por për këtë R$eja do të vendosë në kohën e duhur. Edhe Llullaku, me kthimin në Superiore, duket se nuk do të ketë shanse për të qenë në Kombëtare. Për të gjithë këta lojtarë mosha është problem, ndërkohë që Odise Roshi bën përjashtim, pasi luan rregullisht në Rusi, shënon gola dhe ka shpejtësi që i duhet ekipit. Një pikëpyetje e madhe mbetet padyshim Rei Manaj, prej të cilit pritet shumë, ndërkohë që Xhakomo Vrioni, duke u grumbulluar me ekipin e parë të Juventusit i ka dhënë vetes shumë pikë dhe nuk përjashtohet të ftohet nga Reja në grumbullimet e radhës. Edhe Florian Kamberi është një lojtar që do të marrë vëmendjen e teknikut italian, por formulimi i listës nga Reja do të ndodhë vetëm në fund të muajit gusht.
Kualitetet e kombëtareve të moshave
Skuadrat kombëtare të moshave kanë pasur teknikë shqiptarë deri tani. Tentativa ka qenë prej të paktën dy-tri vitesh që të ketë një model unik të përgatitjes së tyre dhe kësaj i ka mëshuar edhe trajneri Edi Reja. Pra që lojtarët të marrin ngarkesë të njëjtë, disiplinë të njëjtë taktike dhe të mësohen me skemat e duhura që në moshë të vogël në ekipet kombëtare të moshave. Është një model pune që Reja jo vetëm i ka mëshuar të zbatohet, por po e ndjek atë në distancë. Rënia e pandemisë dhe kufizimi fizik sollën ndërprerjen e përkohshme të projektit, por trajneri veteran italian i ka të qarta piketat që ka vendosur që në krye të herës, pasi ai po tenton të rinojë grupin, por edhe të hartojë një strategji ku lojtarët kualitativë që luajnë me ekipet kombëtare të moshave të njihen me modelin taktik që u mundëson atyre përshtatjen e shpejtë në ekipin e parë. Dy ndeshjet e Kombëtares në shtator, kundër Bjellorusisë më 4 shtator dhe ndaj Lituanisë më 7 shtator, do të jenë një gur i fortë prove për Rejën, në strategjinë që ai ka zgjedhur. Kuptohet, tekniku nuk mund të bëjë një lëvizje të shpejtë me emrat. Pra revolucioni i tij do të jetë i ngadaltë, pasi disa veteranë mund të shërbejnë në këtë fazë për arritjen e rezultateve të kënaqshme në Ligën e Kombeve, ku siç dihet, ekipi ynë ndodhet në grupin e katërt të Divizionit C. Skema taktike e Rejës e zgjedhur për ekipin tonë luhatet në varësi të kundërshtarit, por Reja, si shumë teknikë të tjerë italianë, është partizan i modulit 3-5-2, ndonëse për ekipin tonë ka zgjedhur më shumë një mbrojtje të ngjeshur të kujdesshme.