Publikohen dokumentet tepër sekrete të komunizmit/ Ramiz Alia në Byro: Sigurimi në gjumë, me vagabondët s’mbahet Shqipëria!

0
44

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga një dosje voluminoze e Arkivit Qëndror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë prej kohësh të deklasifikuara, ku ndodhet një proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së e mbajtur në janarin e vitit 1989, ku është marrë në analizë ngjarja e jashtëzakonëshme e ndodhur më 6 janar të atij viti, ku peshkarexha “DukatI”, teksa doli për gjueti në det të hapur në ujrat e Adriatikut, u morr peng nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili, pasi mbajti peng shtatë pjestarët e ekuipazhit të saj, mbërriti në portin e Brindizit në Itali, edhe me tetë shokë të tij që i kishte fshehur në hambarët e anijes që në Portin e Durrësit.

Të gjitha debatet e acaruara në mes antarëve të Byrosë Politike në atë mbledhje maratonë që u zhvillua nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku “shokët e udhëheqjes” kanë bërë akuza të ndërsjellta, deri për probleme të brendshme familjare të tyre, gjë e cila shkaktoi një furtunë të vërtetë, duke u marrë masa drastike me arrestime dhe shkarkime nga detyra të rreth 30 funksionarëve e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga nënoficeri që s’kishte ushtruar si duhet kontrollin në anije, drejtori i Portit Detar, Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme Agron Tafa, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Durrësit, Qirjako Mihali, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, e deri te ministri i Brendshëm, Hekuran Isai.

“Kam të dhëna që fëmijët e tu Qirjako, madje dhe shoferi yt, hyjnë në port lirshëm, marin varkat dhe dalin për gjah në det? Çdo njeri mund të hyjë në port, Qirjako? Pse duhet hyjnë fëmijët e tu dhe të tjerët nga porti për të dalë në det për peshk ose për shëtitje? Porti është zonë kufitare”?! Kështu është shprehur në mes të tjerash Ramiz Alia duke i’u drejtuar Qirjako Mihalit, sekretarit të parë të komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, në një mbledhje të Byrosë Politike të mbajtur në janarin e vitit 1989, pas ngjarjes së jashtëzakonëshme të ndodhur në datën 6 janar të atij viti, ku peshkarexha “Dukati”, teksa kishte dalë për gjueti në ujrat e Detit Adriatik, u morr peng nga kapiteni i saj, Enver Meta, dhe tetë shokët e tij që i kishte fshehur në hambarët e anijes, duke mbërritur në portin e Brindizit, me shtatë pjestarët e ekuipazhit të saj të mbajtur peng. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë që jo vetëm shkaktoi probleme të mëdha në mes Tiranës zyrtare dhe shtetit Italian, por tronditi edhe regjimin komunist duke bërë që të merreshin masa drastike me arrestime, shkarkime, e dënime, të rreth 30 funksionarëve e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga nënoficeri që s’kishte ushtruar si duhet kontrollin në anije, drejtori i Portit Detar, Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme Agron Tafa, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Durrësit, Qirjako Mihali, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, e deri te ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, etj., jemi njohur në pesë numra rradhazi të botuar nga Memorie.al. Ndërsa në disa numra në vijim, po publikojmë proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, që është mbajtur dhe ka analizuar atë ngjarje të rëndë, (madje nga më të pazakontat deri në atë kohë për regjimin komunist të Tiranës), ku “shokët e udhëheqjes”, jo vetëm që kanë diskutuar “me partishmëri dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie” për atë problem që ishin mbledhur, por kanë bërë akuza të ndërsjellta edhe për probleme familjare të tyre.

Vijon nga numri kaluar

Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”

ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ne kemi shkuar herë pas here në port, shoqja Lenka.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Pse nuk paska efektivitet puna që bëni ju, shoku Qirjako?!

SHOKU RITA MARKO: Pse nuk keni marrë masa për zbatimin e rregullave e të vendimeve që janë marrë për thurjen e portit?

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ne kemi qëndruar në këtë problem, shoku Rita, bile ndaj kuadrove që nuk kanë bërë detyrën është mbajtur dhe qëndrim. Drejtorin e NN-së të Portit për zvarritje të problemeve para dy muajsh e shkarkuan nga detyra dhe vumë një tjetër.

SHOKU PROKOP MURRA: Drejtoria e Peshkimit dhe sot i shkel me të dyja këmbët rregullat, shoku Qirjako. Ja me dt. 16 BUD-i ndali anijen “Shkodra” që kishte hyrë në Himarë pa njoftuar fare dhe do t’i ndalim, në qoftë se shkelin rregullat e kufirit.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në një raport që më ka dërguar Jovan Bardhi, thuhet se peshku jepet pa e shkarkuar nga varkat. Për këtë ka përgjegjësi dhe vetë Jovani.

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Që të shitet peshku para se të shkarkohet në port, këtë gjë unë nuk e di, por që u jepet peshk njerëzve kemi pasur raste. Policët kanë kapur njerëz me trasta me peshk jashtë Ndërmarrjes së Peshkimit. Këtë e kemi bërë problem.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Fenomene të tilla nuk ndodhin vetëm në anijet e peshkimit, por në tërë portin. Porti është bërë si han, ku njerëzit hyjnë e dalin si të duan. Pse nuk është rrethuar porti, Qirjako? Kanë munguar investimet?

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Investimet për rrethimin e portit janë dhënë. Puna ka filluar dhe do të vazhdojë dhe në vitin 1989. Ne kemi përgjegjësinë tonë këtu, por të fillojë ndërtimi i një objekti, siç është zgjerimi i portit, pa u bërë rrethimi, kjo nuk më duket e drejtë. Ne ndërtojmë një ndërmarrje të thjeshtë dhe bëhet rrethimi, pastaj ndërtohet objekti.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos i shikoni fenomenet të shkëputura, Qirjako, mos e reduktoni problemin në ikjen e 9 vetave. Në esfelt shkofshin këta 9 veta dhe 90 si këta! Me vagabondët s’mbahet Shqipëria. Por kjo tregon një gjë tjetër që nuk zbatohen rregullat, ligjet dhe normat që kemi. Në bazë të rregullores të miratuar nga katër ministrat, anija e peshkimit çdo dy orë duhet të njoftojë ku ndodhet. Kurse unë them që anija duhet të njoftojë në çdo orë. Po radarët pse nuk dhanë sinjal që të dilnin anijet luftarake ta kapnin. Ç’bëhet kështu? Pse nuk zbatohen ligjet e rregullat?

SHOKU PROKOP MURRA: Ju kini shumë të drejtë shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëhere vini rregull në dikasterin tuaj, Prokop. Problemi duhet parë më thellë. Duhen gjetur shkaqet që çuan në këtë ngjarje. Asnjeri nuk e di si u futën këta 9 veta në varkë ditën për diell dhe u arratisën në Itali pa u diktuar fare. Këta njerëz kanë qenë në mardhënie pune, por asnjë organizatë – bazë partie nuk u shqetësua pse nuk ka shkuar në punë iksi apo ypsyloni, vetëm kur e dha televizioni Italian, bile ai deklaroi që kapiteni është kthyer për të marrë vagabondët, gjë që nuk na është thënë nga këta tanët. Kjo flet qartë se të gjithë kanë fjetur, që nga Sigurimi i Shtetit, Ushtria, forcat e kufirit, organizatat e Partisë, kufitarët dhe deri marinarët. Kjo flet për dobësi të mëdha të punës së Partisë në rrethin e Durrësit, të organeve të Sigurimit, të kufirit dhe të Ushtrisë. Për ruajtjen e kufirit ka rregulla, por ato thyhen dhe asnjë nga këto organizma nuk mban përgjegjësi.

Kryesorja është të zbatohen ligjet e rregullat që keni miratuar. Ministria e Punëve të Brendëshme të zbatojë rregullat e veta, kufiri të vetat dhe ushtria të vetat, asnjë lëshim të mos bëhet. Ty të ka vënë Partia për Ushtrinë, Prokop, prandaj vendos rregull atje, mos pyet për kërrkënd. Po të jap urdhër që të nxjerrësh katret dhe t’i kapësh anijet që shkelin rregullat, qofshin civile, qofshin ushtarake. Qirjako thotë nuk është rrethuar porti. Pse me tela me gjemba do t’i mbajmë njerëzit, shoku Qirjako. Nuk është kjo rruga për parandalimin e fenomeneve negative. Parimisht kjo është e gabuar. Kryesorja është edukimi ideologjik i punonjësve, zbatimi i ligjeve e rregullave, rritja e vigjilencës në punë e kudo.

Vazhdo Qirjako!

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Shoku Manush pyet si u mbyllën 7 marinarët në anije. Ne nuk dimë gjë, veç shpjegimeve që na kanë dhënë peshkatarët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për këtë asnjë nuk di gjë të saktë. Në raport thuhet që në orën 17 e 40 anija ka dalë në det dhe ka marrë me radio, pas kësaj nuk është ndjerë, por me gjithëatë nuk u shqetësua as njeri për këtë, megjithëse të gjithë e dinë që, në bazë të rregullores, anija çdo dy orë duhej të lidhejme radio me drejtorinë e peshkimit.

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Këtu është gabimi, shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këtu nuk është punë gabimi. Kjo tregon që kur shkelen rregullat nuk bëhet asnjë alarm. Për rastin konkret këtë e shfrytëzoi armiku dhe organizoi arratisjen. Pra shkelja e rregullave është një nga problemet që na shqetëson më shumë.

Tani e ka fjalën shoku Ferit Zeneli.

SHOKU FERIT ZENELI: Kjo ngjarje, përsa e kemi analizuar dhe gjykuar, në rradhë të parë e ka burimin te moszbatimi i normave, te liberalizizmi i kuadrove që lidhet pastaj dhe me mungesën e kontrollit nga ana jonë në atë thellësi dhe gjerësi që kërkohet.

Po i përgjigjem shkurt pyetjes se si u futën ata në anije. Atë ditë që ndodhi ngjarja, ushtari ka kthyer tre civilë me dokumente të pa rregullta dhe dy të tjerë që nuk kishin dokumente, pikërisht pse ishin në kundërshtim me rregullat. Po me ndërhyrjen e kryenxhinierit, siç thotë ushtari, nënoficeri i thotë atij që t’i lejonte këta njerëz të hynin në port. Ky fakt tregon që porosia që dhatë ju një vit më parë në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të Partisë, që u bë për arratisjen e armikut Minella Andoni, nuk është kuptuar nga kuadrot tanë vartës.

Përgjegjësinë për ngjarjen, në rradhë të parë, e kam unë, komisari i forcave të kufirit dhe vartësit tanë. Kjo ngjarje e shëmtuar ndodhi pikërisht se vartësve tanë nuk u është bërë edukatë zbatimi i rregullave.

A kemi bërë kontrolle? u bë një pyetje. Komanda e forcave të kufirit ka bërë shumë kontrolle në pikat në kufitare, bile dhe në orën 2 të natës dhe për mangësitë që janë vërenjtur, këta 3 – 4 vjetët e fundit kemi shkarkuar dy komandantë të kësaj pike të kontrollit të kalimit, kemi lëvizur me dhjetra ushtarë. Ndaj nënoficerin që e shkeli në mënyrë flagrante rregullat janë marrë masa. Po kështu, për të shmangur ndërhyrjet dhe ndikimin nga jashtë ndaj efektivit, kemi bërë dublimin e rojeve kufitar. Por e keqja është pikërisht këtu se shkelen rregullat e normat e nuk zbatohen urdhërat. Këtu është përgjegjësia jonë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse nuk e keni punuar e detajuar rregulloren e firmosur nga katër ministrat në çdo repart, anije atj?

SHOKU FERIT ZENELI: Urdhërin e katër ministrave ne e kemi zbërthyer e detajuar me kuadrot e komandot e postave të kufirit. Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, bashkë me shokun Kiço, jemi mbledhur e kemi diskutuar disa herë këtë problem.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse nuk kontrollohet zbatimi i tij?

SHOKU FERIT ZENELI: Për rastin konkret e keni fjalën, shoku Ramiz?

SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk e kam vetëm për rastin konkret, po në tërësi urdhëri i firmosur nga katër ministrat nuk është zbatuar.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Nuk u lidh me radio anija me Degën e Punëve të Brendëshme?

SHOKU FERIT ZENELI: Dega e Punëve të Brendëshme nuk lidhet me mjetet lundruese.

SHOKU PROKOP MURRA: Anija duhej të lidhej me radio me Drejtorinë e Peshkimit dhe ta njoftonte se ku ndodhej.

SHOKU FERIT ZENELI: Në bazë të rregullores të miratuar nga katër ministrat, nëqoftë se anija nuk njofton çdo dy orë me radio, Drejtoria e Peshkimit duhet të njoftojë menjëherë BUD-in dhe jo Degën e Punëve të Brendëshme.

SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë ti, si komandant i Kufirit, nuk mund të dish ç’ndodh në det, në qoftë se nuk të njofton Drejtoria e Peshkimit? Atëhere gabimi është që në rregulloren e firmosur nga katër ministrat. Anija duhet medeomos të njoftoje çdo dy orë pikën e kontrollit të kalimit dhe BUD-in, ndryshe nuk mund të kontrollohet ruajtja e kufirit.

SHOKU FERIT ZENELI: Më falni, shoku Ramiz, ta shpjegoj këtë. Me Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, kemi vendosur një rregullore që brenda tre miljesh në ujrat e brendëshme, do të përgjigjet komanda e kufirit dhe të gjitha njoftimet i merr ajo.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ti the që Ndërmarrja e Peshkimit nuk e njofton Degën e Punëve të Brendëshme! Nga e merr vesh komanda e pikës së kontrollit të kufirit që anijet nuk kanë dalë jashtë ujrave teritorriale? Kush e njofton atë?

SHOKU FERIT ZENELI: Ne kemi të dhëna për të gjitha mjetet e peshkimit që janë në zonat, ku kemi vendosur radarët. Jashtë kësaj rrezeje, ne nuk marrim vesh, veçse kur na njofton BUD-i.

SHOKU RAMIZ ALIA: BUD-i nuk ka si të njoftojë, se peshkimi nuk e njofton BUD-in.

SHOKU KIÇO MUSTAQI: Më falni ta sqaroj pak, shoku Ramiz. Në rregullore thuhet që ndërmarrja e peshkimit njofton pikën e kontrollit të kufirit. Kjo pastaj njofton BUD-in. BUD-i duhet të njoftojë Ministrinë, flotën e kështu me rradhë. Kur e kishte ushtria kufirin, njoftonte atë dhe BUD-in. Pra këtu ka shkelje të rregullave edhe nga ana jonë. Ne kemi bërë analizë për këtë problem.

SHOKU FERIT ZENELI: Kështu është siç thotë shoku Kiço. Pra sa herë që dalin dhe kthehen mjetet e lundrimit njoftojnë pikën e kontrollit të kufirit dhe BUD-in.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kë duhet të njoftojë anija çdo dy orë?

SHOKU FERIT ZENELI: Çdo dy orë anija duhet të njoftojë Ndërmarrjen e Peshkimit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo qenka një rregullore e çuditshme! Përse duhet ta njoftojë anija çdo dy orë Ndërmarrjen e Peshkimit, që t’i thotë se ka zënë peshk?!

SHOKU FERIT ZENELI: Duhet ta njoftojë që ajo të dijë se ku ndodhet anija.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ja, që anija nuk e njoftoi fare Ndërmarrjen e Peshkimit dhe pika e kontrollit të kufirit nuk e mori vesh, kur ajo doli nga ujrat territoriale.

SHOKU FERIT ZENELI: Ashtu ndodhi, shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti je ngarkuar për të mbrojtur kufirin, Ferit, por ti nuk e ke organizuar punën në mënyrë të tillë që të informohesh çdo dy orë për anijet që janë në det. Rregullorja këtë e ka gabim.

SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk është puna të kapemi pas rregulloreve, shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht te rregulloret duhet kapur, prandaj mos i nënvleftëso këto gjëra, shoku Hekuran.

SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk kemi mungesë rregulloresh, po ka pasur thyerje të tyre. Në bazë të rregullores, çdo dy orë anija duhet të njoftojë se ku ndodhet. Por ka pasur që nuk kanë njoftuar dhe nuk janë marrë masa për t’i kthyer anijet që thyejnë rregullin. Kjo nuk është bërë dhe u bë e zakonshme tani.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ku e di ti se anijet e tjera nuk kanë njoftuar se ku ndodhen?

SHOKU HEKURAN ISAI: Regjistrimet tregojnë që nuk kanë njoftuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po kush i kontrollon ato rregjistrimie?

SHOKU HEKURAN ISAI: Nga një kontroll që u bë, për një ditë u gjetën 11 anije që nuk kishin njoftuar se ku ndodheshin gjatë peshkimit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Rregullorja, po e përsëris, thotë që një anije në det të hapur njofton Ndërmarrjen e Peshkimit në çdo dy orë vendodhjen e saj, por në fakt anijet nuk e bëjnë këtë. Pikërisht këtu është gabimi i rregullores, shoku Hekuran. Anijet duhet të kontrollohen çdo orë nga pika e kontrollit të kufirit, që të jetë në dijeni kufiri, cila anije hyn në port dhe cila del dhe ku ndodhet secila. Nuk i kushton gjë radistit e Ndërmarrjes së Peshkimit që të njoftojë pikën e kontrollit të kalimit. Në qoftë se ai thotë që X anije nuk është, atëherë pika e kontrollit do të njoftojë BUD-in që X anije në këtë kuadrat mungon, prandaj kontrolloje me radar. Po kjo duhet të jetë në rregullore. Prandaj rregulloret e kufirit duhet të jenë shumë të rrepta.

SHOKU FERIT ZENELI: Po ne nuk i mbajmë dot nën kontroll anijet me radarët që kemi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Anijet duhet t’i kontrollojë me radar BUD-i. E njoftoi pika e kontrollit në port BUD-in që kjo anije nuk është në kuadrat?

SHOKU FERIT ZENELI: Anija nuk njoftoi as pikën e kontrollit të kalimit dhe as BUD-in.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht këtë po them unë që ky është një defekt i madh i rregullores. Thuaj këtë që nuk ka rregulla, po vetëm familjaritet dhe “shoqëri” dhe kjo është bërë e zakonshme tani. Çfarë kishe tjetër, Ferit?

SHOKU FERIT ZENELI: Pas ngjarjes që ndodhi vitin e kaluar dhe porosive që na dhatë ju…

SHOKU RAMIZ ALIA: Lere ngjarjen e vitit të kaluar. Na flit për ngjarjen e anijes “Dukati” dhe të anijes “16 Shkurti” që ndodhën tani.

SHOKU FERIT ZENELI: Ajo e anijes “16 Shkurti” ndodhi në dhjetor. Në atë kohë unë isha në Kukës dhe Dibër.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk ka fare rëndësi se ku ndodheshit. Rëndësi ka ç’masa ka marrë Drejtoria e Kufirit për forcimin e kontrollit të kufirit?

SHOKU FERIT ZENELI: Shoku Hekuran dërgoi një shok nga ministria në analizën që bëri Dega e Punëve të Brendëshme të Durrësit për ngjarjen që ndodhi në anije “16 Shkurti”. Por me ngjarjen që ndodhi në anijen “Dukati”, e gjykojmë që analiza nuk ka qenë e thelluar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Konkretisht, çfarë masash u morën? Këtë duam të dimë ne.

SHOKU FERIT ZENELI: Ndaj kuadrove u mbajt qëndrim, shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk flet kjo ngjarje që kontrolli në kufi është kaq i dobët, saqë njerëzit mund të hynë e të dalin si të duan e kur të duan në port!! Këtë konkluzion nuk e nxorrët? Prandja u thashë mos u bëni si zjarrfiksat që shuajnë një zjarr dhe ikin. Për ngjarjet që ndodhin duhet nxjerrë konkluzione të përgjithshme.

SHOKU FERIT ZENELI: Ne u munduam që t’i futemi sa më thellë problemit për këtë ngjarje. Për anijen “16 Shkurti” rregullin e shkeli nënoficeri. Ky ishte komunist dhe sekretar i organizatës –bazë të Partisë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po çfarë konstatuat?

SHOKU FERIT ZENELI: Ne konstatuam që nuk bëhet kontroll i imët në anje që dalin në det. Ndaj kuadrove që kishin shkelur rregullat u mbajt qëndrim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po çfarë duhet bërë që të mbrohet kufiri?

SHOKU FERIT ZENELI: Ne kishim menduar që brenda 10 ditëshit të parë të janarit, të bëhej analizë në Degët e Punëve të Brendëshme dhe repartet e tjera të kufirit për ngjarjen që ndodhi në anijen “16 Shkurti”. Po disa mangësi shokët i korrigjuan në vend.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për ngjarjen e anijes “16 Shkurti” duhet të kishit nxjerrë konkluzione për tërë repartet e kufirit, Ferit!

SHOKU FERIT ZENELI: Kontrollin e imët në anijen “16 Shkurti” e neglizhoi nënoficeri.

SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë fajin e ka nënoficeri?!

SHOKU FERIT ZENELI: Ne kemi fajin tonë, shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk është kështu, Ferit. Po të ishte çështja që fajin e ka një njeri, ja e hoqët atë, u zgjidh problemi?

SHOKU FERIT ZENELI: Jo, nuk zgjidhet.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Nuk vihet alarmi kur shkelet kufiri?

SHOKU FERIT ZENELI: Vihet, shoku Manush.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në tokë kemi klonin dhe një njeri të tentojë të kalojë jepet alarmi nga posta kufitare. Po në det çfarë mjetesh ka që të sinjalizojë që anijet po largohen nga ujrat territoriale?

SHOKU FERIT ZENELI: Për detin nuk kemi mjete. Alarm, në kuptimin që tha shoku Ramiz, nuk bëhet, pra dhe vërejtja qëndron plotësisht.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Kur anija nuk njofton çdo dy orë se ku ndodhet, atëhere si e kontrollon pika e kontrollit të kalimit në port?

SHOKU FERIT ZENELI: Anija njofton çdo dy orë Ndërmarrjen e Peshkimit dhe jo pikën e kontrollit të kalimit në port. Tani do ta vëmë në rregullore që të njoftojmë pikën e kontrollit në port, ashtu siç tah shoku Ramiz.

Shoku Hajredin bëri një pyetje, përse nuk është zbatuar studimi që është bërë për forcimin e kufirit në port. Pas ngjarjes që ndodhi në Han të Hotit, t’ia themi hapur Byrosë Politike, ne e përqëndruam vëmëndjen në Portin e Durrësit. Masat e para që u morën ishin rrethimi i portit, ku puna vazhdon, dhe disa masa të tjera për forcimin e kufirit. Për rrethimin e portit na ndihmoi dhe shoku Qirjako me një vendim që mori Komiteti i Partisë i rrethit. Propozuam të bëheshin disa shtesa në organikë për kalatën lindore të portit që po ndërtohet, duke menduar se me këtë do ta siguronim më mirë portin.

SHOKU RAMIZ ALIA: Me rrogë apo pa rrogë janë nënoficerët e pikës së kontrollit?

SHOKU FERIT ZENELI: Me rrogë janë, shoku Ramiz.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po nga Durrësi janë?

SHOKU FERIT ZENELI: Vetëm një është nga Durrësi. Një është nga Tepelena.

SHOKU RAMIZ ALIA: Vetëm dy nënoficerë janë në pikën e kontrollit?

SHOKU FERIT ZENELI: Për kontrollin e mjeteve të brendëshme të anijeve janë tre nënoficer.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po oficerët çfarë detyre kanë?

SHOKU FERIT ZENELI: Oficerët kanë detyrë të kontrollojnë anijet e huaja dhe anijet tona tregtare që shkojnë e vijnë nga jashtë.

Studimi për portin ka përfunduar në muajin dhjetor të vitit që shkoi, po ministritë e tjera patën debate për rrethimin e portit, dikush pranonte e dikush nuk pranonte të thurej porti. Debate pati dhe për vëninen e rojeve. Si përfundim , ranë dakord të tërë, po studimin akoma nuk e kemi paraqitur në qeveri.Ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë. I shpreh Byrosë Politike që, pa u trembur nga presioni që na bëjnë armiqtë, qoftë të jashtëm dhe të brendëshëm, nuk do të na mungojë as devicioni, as besnikëria e as ndërgjegja për të kryer detyrën. Partia, Byroja Politike ka poltësisht të drejtë jo vetëm të më kërkojë llogari deri në një për këtë , pod he të më shkarkojë nga detyra. /Memorie.al

Leave a Reply