Shifrat e numrit të të infektuarave me koronavirus duket se kanë nisur të kenë një tendencë në ulje. Ditën e djeshme është shënuar një rënie e numrit të të infektuarve. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive. “Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz. Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitivë me Covid-19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq ditën e djeshme kanë humbur jetën 3 persona. Viktimat ishin një 52-vjeçar nga Tirana, një 57-vjeçar nga Kukësi dhe një 59-vjeçar nga Korça. “Në 24 orët e fundit 3 qytetarë në terapi intensive, të intubuar kanë humbur jetën te Infektivi. Një 52-vjeçar nga Tirana, një 57-vjeçar nga Kukësi dhe një 59-vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Më tej, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ftuar qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura, në transportin publik dhe kudo ku nuk ruhet dot distancimi fizik. “Higjiena dhe zbatimi i protokolleve është detyrim ligjor për çdo biznes, për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga përhapja e Covid-19. Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Koronavirusi, duhet të izoloheni dhe të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19”, thuhet në njoftim.








































