Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me debate të fortë ditën e sotme. Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje ka folur për mediat edhe përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi.
Ish-deputeti u shpreh se mazhoranca është tërhequr nga deklaratat e kryeministrit Rama një ditë më parë, ndërsa opozita vazhdon t’i qëndrojë idesë për një qeveri tranzitore.
“Sot u mblodh Këshilli Politik. Debatet ishin shumë të forta për shkak të deklaratave të djeshme të kryeministrit Edi Rama. Rama deshi të minojë progresin me reformën. I bëmë të qartë maxhorancës se kushtet tona janë aty, ne nuk tërhiqemi prej tyre. S’mundet që në asnjë mënyrë që kryeministri të marrë në xhep administratën zgjedhore, duke emëruar militantë politikë të veshur si të pavarur, e po ashtu as Kolegjin Zgjedhor për t’ju vënë vulën manipulimeve. Kjo është e pandryshueshme. Pavarësisht se kush ka qenë në opozitë, ose jo. Ne do t’i shtojmë procesit zgjedhor garanci të tjera, që do të bëjnë të vështirë manipulimin. Në debatin tonë, bëmë të qartë qëndrimin tonë. Maxhoranca u tërhoq nga ato qëndrime që dje në mënyrë provokative Edi Rama bëri. Ai prononcim, pikërisht kur këshilli politik po fillonte punën. Duket qartë se tentohet që të nxirret nga binarët. Ai kërkon që të miratojë me votat e tij kodin zgjedhor dhe jo me opozitën. Kolegji zgjedhor të jetë i përzgjedhur prej tij. Ne nuk e lejojmë dhe në këtë këshill nuk pranohet. Sot debati ishte i fokusuar tek kjo çështje, jo tek detajet e propozimet konkrete. Ajo që bëjmë të qartë ne është se maxhoranca s’do e bëjë vetëm ndryshimet në kodin zgjedhor. Ne u përpoqëm që të inkuadronim bazat e kompromisit të të janarit. Ai që është mëkatari i madh jo vetëm politik, që është dhe për zgjedhjet, është kryeministri dhe i fundit që mund të flasë për standardet dhe zgjedhjet e shqiptarëve.”, tha Bylykbashi.