Nisin përplasjet e UEFA-s me vendet anëtare, Anglia kërkon anulimin e Champions League

0
319

Vetëm dy javë nga izolimi në Europë dhe vijnë përplasjet e para ndërinstitucionale të futbollit. Duke parë situatën e pazakontë që mbretëron në kontinentin “plakë” pas depërtimit të coronavirusit, UEFA po shqyrton skenarët që do të mundësonin përmbushjen e objektivave sipas kalendarit, qoftë kjo dhe me kosto të rënda. Për këtë po shqyrtohet mundësia që ndeshjet e Champions League të lihen pa tifozë, ose duke i transportuar ato në vende relativisht të qeta e të paprekura nga virusi.

Por ky skenar që po shqyrtohet si opsion final nga UEFA ka hasur në refuzimin e federatës angleze, e cila thotë se fluturimet, akomodimet dhe grumbullimet mund të nxisin prekjen masive të lojtarëve dhe stafeve nga virusi vdekjeprurës kinez, njohur tashmë me emrin famëkeq Covid19. Federata angleze madje ka shprehur një ide të qartë, por të dhimbshme. Ajo propozon që Champions League e këtij sezoni të anulohet plotësisht.

Megjithatë, vendimin final do ta marrë vetë UEFA, pavarësisht qëndrimit të britanikëve. Kjo pasi vende të tilla si Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja, që janë po ashtu në top-5 ligat e mëdha të futbollit europian, nuk kanë shprehur rezerva rreth qëndrimit të UEFA-s. por vendimi pritet të merret zyrtarisht në ditët e ardhshme. Rënia e numrit të të infektuarve në Itali po jep shpresë për një qetësim të situatës rreth mesit të muajit prill dhe kjo mund të nxisë UEFA-n të rifillojë veprimtaritë, por pa praninë e tifozëve. Kujtojmë që Champions League ka mbetur në fazën çerekfinale të saj.

Sidoqoftë, qëndrimi i federatës angleze zbulon për herë të parë përplasjet e UEFA-s me federatat anëtare dhe qeveria europiane e futbollit është e vetëdijshme se shumë federate do të dalin kundër në këtë moment, nisur nga paniku që ka mbërthyer Europën pas numrit të madh të të prekurve, por edhe viktimave, sidomos në Itali dhe në Spanjë, që kanë një numër të konsiderueshëm skuadrash në Champions dhe Europa League.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here