Miratohet ligji, policët e burgjeve paga dhe pensione të njëjta me efektivët e Policisë së Shtetit, ja diskutimet në komision

0
359

Komisioni Parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dhe miratoi dje nen për nen ligjin e ri për Policinë e Burgjeve. Mazhoranca dhe opozita ishin në unison sa i takon risive që sjell ky ligj, thelbi i të cilit është trajtimi ekonomik i policëve në burgje. Zëvendëskryetarja e Kuvendit njëherësh anëtare e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi sqaroi projektligjin si dhe u ndal tek pikat më të rëndësishme të tij, ku mes tyre ishin reforma në burgje si edhe trajtimi ekonomik i punonjësve të burgjeve. Hysi po ashtu theksoi në fjalën e saj se për hartimin e këtij projektligji janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet e shumë organizatave ndërkombëtare. “Ne e kemi hartuar këtë projektligj ku kemi marrë në konsideratë edhe rekomandimet që kanë ardhur nga Komisioni Europian. Nga 20 sugjerime që KE kishte dhënë, ne kemi marrë në konsideratë 15 plotësisht. Po ashtu edhe rekomandimet që erdhën nga EURALIUS janë marrë plotësisht në konsideratë. Rekomandimet e avokatit të popullit janë marrë 100%. Edhe ato të Komisionit të Helsinkit janë marrë plotësisht. Gjithashtu janë marrë në konsideratë rekomandimet e rregullores europiane për Policinë e Burgjeve”, deklaroi dje gjatë komisionit Hysi. Sa i takon nenit tre, u miratua dhe palët ranë dakord për një ndryshim, pra që termat, i burgosur, i paraburgosur dhe i dënuar të përmblidhen në një term të vetëm “i burgosur”. Teksa po diskutohej neni 4 i ligjit “Statusi i Policisë se Burgjeve”, pati një ndërhyre nga deputeti i opozitës Adriatik Alimadhi, i cili solli eksperiencën e tij disa vjeçare në këtë sektor. Alimadhi tha se për shkak të vështirësisë së punës që ka kjo kategori punonjësish, të trajtohen ekonomikisht njëjtë me punonjësit e policisë. “Punonjësit e burgjeve duhet të kenë paga më të larta se disa prej punonjësve nëpër administrata për shkak të vështirësisë së punës që kanë. Ata kalojnë gjysmën e jetës së tyre si të burgosur dhe jetojnë e punojnë me njerëz të rrezikshëm pra me kriminelë, e për këtë arsye mendoj se duhet të paguhen më shumë”, tha Alimadhi. Sakaq zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi iu përgjigj Alimadhit duke i thënë se ndante të njëjtin mendim, por kjo pikë do të shqyrtohej në nenin 17, i cili është thelbi i gjithë projektligjit. Ligji u miratua pa shumë debate duke qenë se palët ishin dakord për risitë e tij.

Trajtimi ekonomik

Sipas deputetëve, thelbi i gjithë projektligjit është neni 17, i cili unifikon trajtimin financiar të policëve të burgjeve me efektivët e Policisë së Shtetit. Aty thuhet se, punonjësi i Policisë së Burgjeve përfiton trajtimin ekonomik dhe financiar, ku përfshihen paga mujore, e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune. Po ashtu përfshihet trajtim ekonomik dhe financiar në rast pamundësie të garantimit të transportit në vendin e punës nga vetë institucioni, kompensimi për kostot shtesë për largësi nga vendbanimi, pagesat për transport apo qiranë e banesës. “Për aq sa nuk është e parashikuar në këtë ligj, punonjësit e Policisë së Burgjeve kanë të drejtën e përfitimit, sipas legjislacionit në fuqi për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri”, thuhet në nenin 17 të këtij ligi. Sakaq ky ligj parashikon edhe trajtim financiar për familjarët e punonjësve të cilët humbin jetën për shkak të detyrës. Në ligj thuhet se kur punonjësi i policisë humb jetën në krye apo për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë trajtim ekonomik e financiar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here