Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri duket se po ecën në gjurmët e Agron Tufa, edhe pse aktualisht ka një drejtues të ri. Gazeta ka siguruar raportin vjetor të vitit 2019 të Institutit të Krimeve të Komunizmit, ku në disa pasazhe të tij ky institucion që drejtohet nga Çelo Hoxha sulmon ashpër Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët. Kështu, në raportin e ISKK thuhet se deputetët e Parlamentit kanë ndikuar në punën e këtij institucioni, pasi përmes sulmeve dhe shantazheve kanë mundur që të “minojnë” punën, duke shtuar se qytetarët u ndikuan aq shumë sa nuk kishin besim tek Instituti i Krimeve të Komunizmit. Sipas ISKK, shumë dëshmitarë refuzuan që të japin dëshmi. “Fushata denigruese kundër ISKK e iniciuar në media nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një ish-komandant burgu dhe persona të tjerë në konflikt interesi me ligjin organik të ISKK, solli demoralizimin e bashkëpunëtorëve, stepjen e dëshmitarëve në dhënien e dëshmive audio-vizuale, intimidimin e tyre, deri edhe në humbjen e besimit tek institucionet, tek kauza e transparencës së krimeve të komunizmit në Shqipëri si pjesë e procesit të drejtësisë tranzitore. Kjo është arsyeja që video-regjistrimet e dëshmive, nuk arritën të kapnin kuotën e parashikuar”, thuhet në raport. Pra, kjo gjuhë e përdorur nga ky institucion është e njëjtë më atë që përdorej gjatë kohës që ISKK drejtohej nga Agron Tufa, duke treguar qartë se kreu aktual Çelo Hoxha po ecën në gjurmët e paraardhësit të tij.
Bllokohen librat që sulmojnë LANÇ
Por pavarësisht “luftës” që i ka hapur mazhorancës qeverisëse dhe Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri duket se ka bërë hapa pas. Në raportin vjetor të ISKK, thuhet se ky institucion ka bllokuar librat që sulmojnë LANÇ, sikundër janë plotë tre botime që datojnë para vitit 1944, kohë kjo kur kishte mbaruar lufta. “Tre nga titujt e librave të kolanës janë ndryshuar në mesin e muajit Shtator 2019 si rezultat i procesit të amendimit të ligjit të ISKK nga ana e Kuvendit, konkretisht Nenit 31 shkronja 1 mbi përcaktimin e objektit të studimit për ISKK të “periudhës së sistemit komunist”, pasi në kolanën e parashikuar të botimeve bënin pjesë libra që preknin periudhën e Luftës Nacional-Çlirimtare ose atë para vitit 1944. Si rezultat, në përputhje me zhvillimet e fundit parlamentare, u desh që këta 3 tituj (libra) të zëvendësoheshin me 3 tituj (libra) të tjerë, për të cilët u nevojit përsëritje e gjithë procesit të vlerësimit të dorëshkrimeve për botim, meqenëse dorëshkrimet vlerësohen në grup, dhe i gjithë riciklimi i procesit mori kohë plus, siç mori kohë plus edhe procesi i punës përzgjedhëse dhe përgatitjes për shtyp”, thuhet në raport. Më tej, në raport Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri shpjegon edhe disa detaje se përse u anuluan apo u zëvendësuan projektet që datonin para vitit 1944. “Procesi për amendimin e Ligjit të ISKK, pjesë e të cilit ishte kufizimi i periudhës studimore të këtij Instituti pas nëntorit të vitit 1944, një proces i cili filloi në mes të vitit, bëri që të anulohen ose të zëvendësohen projekte të cilat dilnin prej këtij fokusi, duke krijuar edhe vonesa ose moszbatime. Fjala vjen: anulimi i tre botimeve të tilla dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë, shtyu përtej limitit të lejuar kohën e tenderimit, duke e bërë të pamundur botimin e tyre për vitit, ndërkohë që librat janë të gatshëm për shtyp”, thuhet në raportin e ISKK.