Festivali “MetroSounds” në Metropol, ansambli “Tirana” me një program të pasur folklorik

0
427

Ansambli folklorik “Tirana” do të vijë me një koncert para publikut, në një nga mbrëmjet e festivalit muzikor “MetroSounds”, që po zhvillon edicionin e dytë në teatrin e Metropolit. Trupa e ansamblit do të prezantohet para publikut me një program të pasur muzikor nga të gjitha trevat e vendit, ku do të interpretohen disa nga vallet dhe këngët më të njohura. Ansambli “Tirana” ka një aktivitet të vlerësuar artistik në skena të ndryshme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Artistët e ansamblit me aktivitetin e tyre artistik janë duartrokitur për programin muzikor popullor, që kanë përcjellë para publikut. Në mbrëmjen e datës 15 shkurt ata do të jenë në skenën e Metropolit, në kuadër të veprimtarisë së tyre artistike. Drejtori artistik i ansamblit “Tirana” Çlirim Denaj shprehet se programi muzikor është përzgjedhur, me disa prej perlave të folklorit popullor. “Në koncert do ketë repertor nga të gjitha trevat. Në program janë valle të Tiranës, valle e Skënderbeut, zylet, etj. Po ashtu do të ketë valle të Malësisë së madhe, vallja e Rugovës dhe të tjera nga veriu. Nga valle të jugut janë vallja Gorarçe, Dardhare dhe vallja e Osman Takës. Po ashtu në koncert do të kemi këngë të Labërisë, të Shqipërisë së mesme dhe veriut”, shprehet Denaj, drejtori artistik i ansamblit. Ky nuk është koncerti i parë i ansamblit “Tirana” për këtë vit, pasi sipas drejtorit artistik ai vjen në vijim të veprimtarisë së tyre artistike më parë. “Nuk është koncerti i parë. Në kemi dhënë koncert për 100- vjet Tirana kryeqytet në fshatin Zall Bastar, në fshatin Surrel, në Kavajë, Lushnje, Rrogozhinë dhe në Shijak. Ne jo vetëm që argëtojmë artdashësit, por e ruajmë të pastër folklorin për t’jua përcjellë brezave më të rinj”, shprehet drejtori artistik Çlirim Denaj. Drejtori artistik Denaj, tregon se artistët e ansamblit “Tirana” janë nderuar me çmime të para në festivalin e Çamërisë në Sarandë, në festivalin e këngës qytetare në Berat. Në Lushnje, në Prizren, Strugë, Kumanovë, Vlorë, Mitrovicë, etj, janë vlerësuar sipas tij po me çmime të para në aktivitetin e tyre ndër vite. Ansambli “Tirana” është vlerësuar me çmime të dyta, të treta në Turqi, Slloveni, Greqi, Poloni, etj.

Themelimi i ansamblit

Ansambli folklorik “Tirana” është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh, që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e mesme, repertori kryesor i ansamblit “Tirana” është i pasur dhe përfshin të gjithë traditat muzikore të mbarë vendit. Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor, për kryeqytetin. Ansambli “Tirana” është një laborator, ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë. Ansambli ka në përbërjen e tij valltarë, orkestrantë dhe këngëtarë. Në repertorin e këtij ansambli përfshihen një grup vallesh, një seksion instrumental, dhe një regjistër të solistëve dhe këngëtarë ansamblit. Shfaqjet e ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente muzikore, që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Fitues i shumë çmimeve ansambli “Tirana” zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të folklorit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here