Detajet e 7 prillit 1939, ja si Italia nisi sulmet, beteja në Durrës dhe si Hitleri i dha dritën jeshile Musolinit, goditja që mori Zogu

0
434

Dalin në pah detaje nga pushtimi italian më 1939. Mediat e asaj kohe kanë raportuar për këtë çështje. Gazeta po tregon sot detaje nga raportimet mbi betejën e Durrësit dhe si nisën sulmet ndaj Ahmet Zogut. Po ashtu tregohet se Musolini mori dritën jeshile nga Hitleri për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri.

7 prill 1939

Italia merr kontrollin e porteve shqiptare

Trupat italiane kanë pushtuar sot disa pjesë të Shqipërisë, duke thyer një rezistencë të disa individëve të dëshpëruar, të cilët më pas u larguan drejt maleve të mbretërisë së vogël. Zbarkimi u bë me mbështetjen e rreth 400 avionëve gjuajtës dhe të skuadronit të parë të marinës italiane. Një komunikatë zyrtare thoshte: “Trupat tanë kanë zbarkuar në portet e Sarandës, Vlorës, Durrësit e San Giovanit mëngjesin e sotëm. Nuk ka pasur rezistencë që ia vlen të përmendet përveç në qytetin e Durrësit ku kishte disa tentativa rezistence nga disa banda që u neutralizuan shpejt. Popullata shqiptare është e qetë dhe e sjellshme. Katërqind avionë të skuadronit të Adriatikut po patrullojnë qiejt shqiptarë me urdhër për të mos bombarduar në qendrat e banuara për të kursyer jetët e njerëzve”. Avionët italianë kanë lëshuar qindra mijëra fletushka në qytetet e fshatrat shqiptare duke nxitur banorët të mos rezistojnë. Në to thuhet: Mos bëni rezistencë të kotë e cila do të eliminohet. Ushtarët e madhërisë së tij perandorit të Italisë kanë ardhur në Shqipëri për të qëndruar vetëm për kohën e nevojshme për rivendosjen e rendit, drejtësisë e paqes”.

Ambasadori britanik në Shqipëri bëri një vizitë urgjente në Ministrinë e Jashtme për të qartësuar qëllimet italiane dhe marrëveshjen italo-angleze për ruajtjen e statusquo-së në rajonin e Mesdheut. Radiostacioni i Tiranës njoftoi se trupat e ushtrisë shqiptare po i rezistojnë marshimit të trupave italiane. Por shtonte se megjithë rezistencën italianët po avancojnë drejt kryeqytetit.

7 prill 1939

Shqiptarët të famshëm për shpirtin e tyre luftarak lanë sot punën në fushë apo në dyqane për të luftuar ushtrinë italiane, që zbarkoi në brigjet shkëmbore të atdheut të tyre në mëngjes. Ushtarë, policë e civilë shqiptarë të armatosur sulmuan trupat që po zbarkonin në Durrës duke i detyruar fillimisht të tërhiqeshin në luftanijet e tyre. Avionët luftarakë italianë raportohet se bombarduan në Durrës, Vlorë e Sarandë pasi hasën rezistencë, njoftonte qeveria vendase. Ushtria shqiptare prej 12.000 trupash kundërshtoi zbarkimin e një forcë italiane prej rreth 30.000 vetash, me qindra avionë e luftanije prapa tyre. Fshatarët raportohej se qëllonin nga shtëpitë e tyre dhe lëshonin gurë të mëdhenj nga malet duke shpresuar të godisnin italianët. Forcat italiane pas tejkalimit të valës së parë të rezistencës po avanconin në mënyrë graduale me mbështetjen e avionëve, me tanket përpara dhe me rreth 100 mjete artilerie. Italianët zbarkuan në mëngjes me urdhër të pushtojnë vendin në më pak se 48 orë për ta kthyer në një protektorat të Italisë. Radio shqiptare transmetoi një deklaratë të mbretit Zog, ku thuhej se kërkesat e Italisë për Shqipërinë shkelnin sovranitetin kombëtar. Më tej aty thuhej: “Populli shqiptar nuk do të pranojë kurrë kërkesa të tilla. Ai do të luftojë pushtuesit me të gjithë forcën, deri në njeriun e fundit. Le të mos humbasim kurajën. Mbroni nderin e atdheut tuaj”. Më tej mesazhi në radio bënte thirrje për ndihmë nga Britania e Franca.

8 prill 1939

Pozita e Zogut në pushtimin e Shqipërisë

Qeveria e Shqipërisë po mblidhet në Pallatin Mbretëror në një kohë kur vijojnë raportimet se të tjera forca italiane po nisen nga Brindizi, Bari e Roma drejt Shqipërisë. Fillimisht ishte menduar se Zogu do të vazhdonte të qëndronte në fron, por tashmë Shqipëria është shpallur pjesë e perandorisë italiane dhe Roma po merr kontrollin e vendit në stil të ngjashëm me absorbimin e Çekosllovakisë. Gazetat në Romë njoftojnë me tituj të mëdhenj vazhdimin e dërgesave të trupave drejt Shqipërisë, ku gjithashtu kanë vazhduar demonstratat kundër pushtimit. Parlamenti shqiptar në një seancë të posaçme i ka deklaruar kërkesat italiane të papranueshme. Ndërkohë fluturimet e avionëve italianë mbi kryeqytet shkaktuan demonstrata të popullit para Parlamentit duke kërkuar armë për të mbrojtur vendin. Rreth 20 000 shqiptarë u mobilizuan brenda natës, por nuk ka konfirmime për rezistencën e organizuar prej tyre.

8 prill 1939

Rritet pasiguria në Shqipëri

Qeveria britanike tha dje se po ndiqte nga afër zhvillimet në Shqipëri edhe pse në Parlament kryeministri tha se vendi nuk ka interesa direkte në vend, por një interes të përgjithshëm për paqen në botë. Ai shtoi se ambasadori britanik në Itali ishte takuar me kontin Ciano, i cili i kishte sugjeruar se traktati aktual i miqësisë me Shqipërinë do të zgjerohet edhe pse për këtë kishin lindur disa vështirësi mes dy qeverive. Një mesazh nga Tirana thoshte se transporti ajror dhe ai detar mes Italisë e Shqipërisë është ndërprerë. Italianët që nuk kanë mundur të largohen nga Shqipëria janë strehuar në legatën italiane. Ata që kishin prenotuar në hotelin kryesor Kontinental kishin mbetur në rrugë me bagazhet e tyre pasi hoteli ishte mbyllur prej largimit të stafit italian. Legata shqiptare në Paris lëshoi një komunikatë ku thuhej: “Me qëllim që t’i jepet fund lajmeve të pabaza duam të theksojmë se Shqipëria nuk do të pranojë kurrë të heqë dorë nga pavarësia e saj, sovraniteti e integriteti, duke lejuar trupat e huaja të zbarkojnë në territorin e saj”. Komunikata thotë se aleanca e mbrojtjes me Italinë e nënshkruar në 1927 në asnjë mënyrë nuk autorizon Italinë për të ndërhyrë ushtarakisht për ruajtjen e rendit në Shqipëri, siç deklarohet nga ushtria italiane për zbarkimin.

8 prill 1939

Aprovimi i Gjermanisë, paralajmërim për kombet e tjera

Mesazhet nga Roma e Berlini në mënyrë të njëjtë justifikojnë pushtimin e Shqipërisë nga Italia pas dështimit të negociatave mes Musolinit dhe mbretit Zog. Është e qartë se Hitleri ka aprovuar planet e Musolinit dhe ka urdhëruar takimin mes kreut gjerman të ushtrisë Keitle dhe gjeneralit italian Pariani, të zhvilluar në Insbruk. Gjermania beson se lëvizja italiane ndaj Shqipërisë do të ketë ndikim të Jugosllavia e Greqia, të cilat kohët e fundit nuk konsiderohen më si shtete miqësore nga aksi Romë-Berlin, prandaj pushtimi italian është një paralajmërim për to kundër bashkimit në aleancë me Britaninë.

8 prill 1939

Shqipëria pushtohet nga agresioni i Italisë

E pushtuar nga trupat italiane dhe e goditur me artileri nga luftanijet e avionët, Shqipëria po lufton për mbrojtjen e pavarësisë së saj në agresionin më të fundit në Europë. Megjithë mohimet e Romës nga Shqipëria vijnë raportime për luftime të ashpra me vendasit. Roma thotë se negociatat italo-shqiptare për evitimin e dhunës kishin dështuar dhe mbreti Zog kryesoi të mërkurën një takim emergjence të kabinetit. Ndërkohë Italia insistonte në pushtimin e disa pjesëve strategjike të Shqipërisë duke përfshirë baza ushtarake dhe aerodrome, por kërkesat e Italisë u refuzuan nga qeveria e Zogut, e cila deklaroi se nëse është nevoja do të mbrojnë vendin e tyre deri në njeriun e fundit. Ata i interpretuan kërkesat italiane si një ultimatum prandaj dhe refuzuan.

8 prill 1939

Emigrantët shqiptarë apelojnë te Britania për ndihmë kundër pushtimit

Kostandin Çekrezi, i cili ka drejtuar një revolucion në Shqipëri kundër mbretit Zog në 1935, i ka shkruar ministrit të Jashtëm britanik, Lord Halifax mesazhin e mëposhtëm: “Jam ngarkuar nga përfaqësia e emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit për të informuar qeverinë e Madhërisë tuaj se emigrantët shqiptarë megjithëse kundërshtojnë regjimin e mbretit Zog, bashkohen me të në këtë kohë të caktuar për të protestuar kundër pushtimit italian që kërcënon atdheun tonë. Për llogari të të gjithë emigrantëve politikë shqiptarë, i bëjmë apel qeverisë tuaj të ndihmojë popullin e bashkuar të Shqipërisë për t’i rezistuar agresionit dhe për ruajtjen e pavarësisë kombëtare të vendit tonë. Mesazhe të ngjashme janë dërguar nga Dr. Çekrezi dhe për udhëheqësit e Rumanisë, Greqisë, Jugosllavisë e Turqisë.

8 prill 1939

Italia pushton Shqipërinë, bombardon portet

Italia ka pushtuar Shqipërinë duke bombarduar portin e Vlorës dhe duke mundur rezistencën në Durrës. Porti jugor i Vlorës u bombardua rëndë mbrëmë nga luftanijet ndërsa luftime sporadike vazhdonin në afërsi të tij. Në dy tentativat e para të italianëve për të zbarkuar në Durrës ata ishin detyruar të tërhiqen nga rezistenca vendase. Pas bombardimit, italianët kishin zbarkuar në Vlorë, edhe pse radio shqiptare tha se kishte rezistencë të ashpër dhe se “gjaku derdhej rrëke” në afërsi të Vlorës. Avionët italianë fluturonin mbi Tiranë duke lëshuar fletushka ku njoftohej për zbarkimin dhe ftojnë popullatën të mos rezistojnë ndaj paqes që do të vendoset nga perandori.

Italia shpresonte që pushtimi të përfundojë brenda 48 orëve dhe plani parashikon vazhdimin e fronit të mbretit Zog, por përfshirjen e Shqipërisë në perandorinë e Italisë.

Agjencitë italiane raportojnë se trupat kanë zbarkuar pa asnjë rezistencë dhe se janë mirëpritur nga populli vendas, ndërsa mesazhet nga Tirana thonë se në të tre pikat e zbarkimit vazhdojnë luftime të ashpra. Vlora u zgjodh si pikë zbarkimi pasi porti dhe rrethinat e tij dominohen nga artileria e rëndë që ndodhet në ishullin italian të Sazanit.

8 prill 1939

Efektet e pushtimit të Shqipërisë në Jugosllavi

Prej disa muajsh tashmë Musolini dhe Hitleri po manovrojnë për pozitën e tyre duke fortifikuar pikat strategjike dhe duke shfrytëzuar hezitimin e Anglisë e Francës. Kështu dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia mund të jetë një paralajmërim që Jugosllavia të mos hyjë në aleancën anti-agresion të sponsorizuar nga Britania. Trupa gjermane janë përqendruar në kufirin Austri-Jugosllavi dhe e ka bërë qeverinë vendase nervoze. Lajmet nga Tirana ashtu siç pritej janë konfliktuese, mbi faktin sesa ka pranuar Zogu nga kushtet italiane dhe sa është detyruar të pranojë në lidhje me mbrojtjen e interesave italiane në Shqipëri, por nëse Jugosllavia beson se kërcënohen interesat e saj armiqësia mes Romës e Beogradit mund të shpërthejë. Shqipëria e vetme nuk mund t’i rezistojë presionit të Italisë për vendosjen e kushteve të saj. Dominimi i plotë i Shqipërisë nga Italia do të ishte një problem serioz për Jugosllavinë pasi harta e pjesës veriore të Shqipërisë formon një “gjuhë” që depërton brenda Jugosllavisë. Italia mund të marrë nga Shqipëria pranimin e gjithçkaje dëshiron dhe çështja e ardhshme është nëse Jugosllavia që aktualisht është e rrethuar nga vende armike do të kërkojë ndihmë nga Perëndimi për të rezistuar, ose gradualisht do të bëhet pjesë e aksit nazist.

8 prill 1939

Turmat presin të përshëndesin Duçen, Zogu shkarkohet nga froni

Pak para mesditës turma të mëdha ishin mbledhur sot për të përshëndetur Duçen për guximin e tij në kompletimin e aventurës në Shqipëri. Pushtimi është parashikuar të kompletohet për 48 orë. Mediat italiane shkruanin se aktivitetet e mbretit shqiptar Zog kishin tensionuar marrëdhëniet mes vendeve muajt e fundit “pasi ai dëshironte të udhëhiqte si një kryetar fisnor feudal, pa u merakosur për mirëqenien e qytetarëve. Ai është i etur për para për kapriçot dhe ambiciet e tij, është një agjitator i konflikteve ndërkombëtare dhe intrigave të brendshme”. Mediat shtojnë se mbreti Zog është armik i shqiptarëve që nuk i përkasin bandës së tij politike dhe se ka kthyer të gjithë asistencën financiare italiane në shërbim të qëllimeve personale. Ato thonë se sipas fjalëve Zogu ka planifikuar një grusht shteti në Jugosllavi, me qëllim që të përkeqësojë marrëdhëniet e saj me Italinë. Më tej, ai i ka kërkuar Italisë të dërgojë trupa në Shqipëri, me qëllim që t’i përdorë kundër Jugosllavisë. Vatikani është i shokuar nga pushtimi i Shqipërisë prej Italisë dhe Papa ka urdhëruar që të gjitha lajmet të vijnë drejtpërdrejt te ai dhe thuhet se ka planifikuar ndryshimin e fjalimit që do të japë të dielën, pas ngjarjeve në Shqipëri.

Zhurmat e përhapura për përqendrim të forcave ushtarake italiane e gjermane në Itali pranë kufirit me Francën, kanë bërë që të gjithë vizitorët britanikë të largohen. Zhurmat raportohen se janë të rreme, siç ishte dhe lajmi se shkollat janë zbrazur me qëllim strehimin e trupave ushtarake. Luftanijet franceze e britanike janë ankoruar në Mentone, por kjo është vetëm një vizitë rutinë e periudhës së Pashkëve. Në të dy anët e kufirit ka qetësi.

8 prill 1939

Zogu kërcënon të dalë në mal për luftë guerile

Ambasadori francez në Tiranë raportoi sot se mbreti shqiptar Zog tha se do të tërhiqet në mal për të nisur luftë guerile kundër italianëve nëse është e nevojshme. Ndërkohë avionët italianë nuk kanë mundur të shfrytëzojnë bazat shqiptare për arsye të rezistencës që vazhdon dhe po kryejnë sulmet e tyre me fluturime të përditshme nga Italia. Luftanijet italiane po tërhiqen nga porti i Durrësit për të mbështetur zbarkimet në vende të tjera. Mbreti Zog raportohet se ka dërguar mbretëreshën Geraldinë dhe trashëgimtarin e porsalindur në Greqi, ndërsa vetë është duke mobilizuar rezervistët, të cilët shpreson të arrijnë në 120 000. Në një deklaratë të legatës shqiptare sot thuhej: “Në emër të qeverisë dhe popullit të Shqipërisë ne protestojmë me forcë ndaj pushtimit barbar të Italisë. Parlamenti shqiptar ka refuzuar unanimisht kushtet e vendosura prej tyre që janë të papranueshëm për çdo popull të lirë. Forcat detare po bombardojnë qytetet tona, duke masakruar gra e fëmijë”. Në Tiranë një njoftim gjysmë-zyrtar mohonte raportimet italiane se për zbarkim të suksesshëm e pa rezistencë. Radio shqiptare deklaronte se: “Asnjë ushtar italian nuk do të mbetet në territorin tonë pasi ne do të rezistojmë me të gjitha forcat”. Njoftimi shtonte se morali i popullit është i lartë, megjithë pabarazinë në përballjen me forcat italiane. Raportimet nga Beogradi thonin se radio shqiptare fliste për disfatën fillestare të italianëve në zbarkim. Më tej italianët kishin avancuar drejt Bashkisë së Durrësit, ku u përballën me një kundërsulm të fuqishëm nga rezistenca shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here