Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mesditën e kësaj të premteje në qytetin e Vlorës, ndërsa policia njoftoi se autori kishte qëlluar me armë dhe më pas ishte larguar.
Mirëpo më pas doli informacioni se një person qëlloi ndaj një tjetri që ndodhej në një makinë luksoze. Pas kësaj pronari i makinës telefonoi bashkëshorten dhe i tha ‘Më qëlluan, shpëtova mirë’.
Mirëpo që pas kësaj telefonate ai humbi kontaktet me familjarët e tij. Pa kaluar shumë kohë nga ngjarja tronditëse që u dyshua se mund të kishim të bënim edhe me një pengmarrje, pronari i Porche, me iniciale E.V. është gjetur nga policia.
Ai ka pretenduar se ishte larguar nga vendngjarja, për shkak se ishte trembur nga të shtënat.
Shtetasi E.V është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje, ndërsa ende nuk është bërë e mundur identifikimi i personit që qëlloi armë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:40, ka ardhur një telefonatë se një person dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarr në ajër, në lagjen “10 Korriku” Vlorë.
Janë ngritur grupe të posaçme për kontrollin e territorit dhe po punohet për kapjen e autorit.
Bëjmë me dije se nuk ka asnjë person të dëmtuar.
Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.