Opera “La Boheme” u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve në mars të vitit që kaloi. Teatri i Operës dhe Baletit, që gjatë kësaj kohe po sjell në vëmendje projektet e vitit që lamë pas, shprehet se një ndër politikat më të rëndësishme të këtij institucioni është angazhimi i krijuesve dhe artistëve të rinj në një produksion operistik. “Ky produksion shënjon kulmin e kësaj nisme duke bërë bashkë me solistët e TKOB dhe këngëtarët e ftuar me famë ndërkombëtare. Premiera e operas “La Boheme” mund të quhet produksioni i radhës i artistëve të rinj shqiptarë, të cilët në tre vitet e fundit të TKOB, janë bërë pjesë e skenës më të madhe artistike në vend. Këtë herë, artistëve të rinj i bashkëngjitet dhe besimi që TKOB i ka dhënë krijuesve të rinj, regjia Ada Gurra dhe skenografi Renold Sula së bashku me to dhe emrat e mirënjohur si, kostumograf Ardi Asllani dhe dirigjent Lorenzo Tazzieri”, shprehte teatri. “ La Boheme” erdhi me një koncept regjisorial, i cili i adaptohet historisë. Ky produksion i ri atë kohë sipas institucionit ishte si një rrëfimi kinematografik, me ngjarjet të zhytura në jetën e artistëve impresionistë, në një përzierje të mrekullueshme dashurie dhe dëshpërimi, reale dhe ideale. “Mos e humbisni këtë super produksion krejtësisht të ri me një kast shqiptar dhe ndërkombëtar”, shkruante TOB për shfaqjen. Në skenë solistë ishin Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj dhe të tjerë artistë. Në Pallatin e Kongreseve kjo shfaqje bëri bashkë 5 trupa artistike dhe mbi 200 artistë pjesëmarrës. Në skenë në vepër u bënë pjesë dhe 20 fëmijë të dalë nga koret e shkollave të Tiranës, projekti i teatrit në kuadër të “Edukimit përmes artit”. Me veprën sipas teatrit kemi dhe këndvështrimin romantik bohemian të Puçinit në qytetin e Parisit, me muzikë të mrekullueshme dhe një histori dashurie e marrë nga jeta e përditshme. TOB bënte me dije se “La Boheme” është një nga veprat më të dashura të të gjitha operave dhe Puçini e himnizon dashurinë, e cila nuk vdes edhe me ikjen e njeriun në botën e përtejme. “Dashuria është lumturi që nuk mbaron, sepse dashuria lind me shpirtin dhe jo me materien. Dashuria jeton përgjithmonë. “La Boheme”, jeta e katër artistëve të cilët identifikohen në veprimet e jetës së përditshme, ku dashuria është vetëm një ndërhyrje e shkurtër deri në momentin kur ngjarja tragjike bie mbi ta, duke i shenjuar përgjithmonë. Këto dhe shumë të tjera në operën “La Boheme””, shprehej në mars TOB.