“Shpia e Agës”, pjesëmarrës në festivalin e filmit në Suedi

0
333

Filmi “Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj do të prezantohet në festivalin e filmit në Goteborg të Suedisë. Ky film ka në role aktorë nga Kosova, si dhe nga Shqipëria. Festival në Suedi do të mbahet këtë vit nga data 24 janar e deri më 3 shkurt. “Shpia e Agës” sjell në ekran jetën e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë. Jeta e grave në film fillon me të qeshur, duke bërë shaka, kënduar e vallëzuar, mirëpo mbrapa këtij imazhi të lumtur fshihen akoma plagët dhe traumat që kanë këto gra. Burri i vetëm i shtëpisë në film është Aga (Arti Lokaj), një djalë 9-vjeçar. Ai kërkon vazhdimisht babën e vet për të cilin mendon se është hero dhe i burgosur në Serbi. Në mungesë të një roli, se si një burrë duhet të veprojë, Aga nxit shikuesit e filmit që të reflektojnë edhe mbi rolin e patriarkalit. Rolet i luajnë Art Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj hapi në vitin që lamë pas konkurrencën në “East of the West”, njëri nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari (Karlovy Vary) të Çekisë. Më herët regjisorja Zeqirja ka pohuar se realizimi i filmit nuk ka qenë i lehtë. “Na është dashtë shumë kohë, përpjekje e sakrifica. Ishte shumë sfiduese, por njëherësh edhe përvojë e mrekullueshme. Filmi do të shihet nga shumë njerëz dhe do të flasë me botën. Për mua kjo është ajo që më bën të ndjehem tanimë e shpërblyer”, pohon regjisorja Lendita Zeqiraj. “Shpia e Agës” është vlerësuar edhe me çmim nga FEDEORA- Federata e Kritikëve të Filmit të Evropës dhe Mesdheut. Në vjeshtën e vitit që lamë pas ky film u shfaq edhe në Tiranë. Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia, Sacrebleu productions nga Franca, si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here