Pas PD edhe LSI në sulm ndaj reformës, zbardhja e aferës me byzylykët e të burgosurve alarmon partinë e Presidentit

0
455

Pas Partisë Demokratike edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar të trembet nga ngritja e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. PD sulmoi pak ditë më parë drejtpërdrejt kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja dhe prokurorin e kësaj prokurorie, Altin Dumani. Ndërkohë që, sulme ndaj organeve të reja të drejtësisë dhe procesit të reformës në drejtësi në tërësi, ka artikuluar edhe LSI. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Vasili ka sulmuar reformën në drejtësi dhe shefen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Xhenoveva Ruiz Calavera, duke i kujtuar kësaj të fundit se organet e reja të drejtësisë, sipas tij, janë kapur nga qeveria. Sipas tij, trupa e ONM, KLP dhe KLGJ nuk e meritojnë që të jenë pjesë e këtyre institucioneve. “Calavera ka përgjegjësi dhe paguhet për funksionimin korrekt të ONM që ajo drejton e për të cilën edhe paguhet jo pak. Ajo duhet të shqetësohet, shumë fort, bile duhet të ulërasë, se përse një tufë kandidatësh të kontestuar nga vetëONM-ja e saj, u bënë anëtarë dhe drejtuese të KLGJ dhe KLP dhe Calavera s’tha asnjë gjysmë fjale për këtë. Të shqetësohet se pse anëtarë të ONM që mbajnë të indinjuar fjalime patetike për kandidatë të caktuar pas 24 orësh votojnë krejt të kundërtën sikur s’ka ndodhur asgjë”, deklaroi Vasili. Po përse trembet Lëvizja Socialiste për Integrim? Ashtu si PD që i frikësohet SPAK edhe LSI ka frikë nga SPAK, pasi shumë dosje që nuk kanë gjetur zgjidhje pritet të hapen ose hetohen nga kjo strukturë. Mes shumë shkeljeve që zyrtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë bërë gjatë kohës që kanë qenë në pushtet, bien në sy aferat në Ministrinë e Drejtësisë, sidomos sikundër është tenderi për byzylykët dhe regjistri elektronik përmbarimor. Për këtë të fundit janë konstatuar shkelje nga auditi që ka bërë Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë që, sa i takon tenderit për byzylykët për të burgosurit, auditi i Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave gjeti shumë shkelje. Këto shkelje sipas ministrive, ishin kryer në kohën kur Ministria e Drejtësisë drejtohet nga ministrat e LSI, Petrit Vasili dhe Ylli Manjani. Pra, duket qartë se zbardhja e aferës me byzylykët e të burgosurve ka alarmuar partinë e presidentit Ilir Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here