Situata pas tërmetit, shemben 7 pallate në Laç, në Ishëm ka filluar ndërtimi i shkollave dhe qendrave shëndetësore

0
300

Në 16 dhjetor, në qytetin e Laçit janë shembur 7 pallate 5 katësh që ndodheshin përballë bashkisë së këtij qyteti, ku banorët e 143 apartamenteve janë vendosur në shtëpi me qira ose hotele. 5 ditë pas shembjes së këtyre objekteve vijon puna për pastrimin e inerteve ku banorët kanë treguar mirëkuptim dhe në këto ditë dimri e me shi janë larguar nga ajo zonë. Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit kanë qenë të mëdha në këtë qytet ku ende 65 pallate të shpallur të pabanueshëm janë në pritje të një kontrolli tjetër më të detajuar, ku në fund do të marrin përgjigjen nga ana e Institutit të Lartë të Ndërtimit nëse shtëpitë e tyre do të shemben njësoj si 7 pallatet përballë Bashkisë së Laçit apo do të rikonstruktohen. Një tjetër fakt që vlen të përmendet në Laç është edhe se si godina e bashkisë së qytetit gjendet në një situatë tepër të rëndë, megjithatë punonjës të kësaj bashkie shprehen se është realizuar kontrolli i duhur dhe përgjigjja që i është dhënë bashkisë është se mund të vijojnë punën pasi themelet nuk janë dëmtuar dhe mbetet që në vijim godina të rikonstruktohet. Por zona më e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit ishte Durrësi. Deputeti i PS, njëherësh drejtuesi qendror i Zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, Bledi Çuçi ishte ditën e djeshme në Ishëm ku vizitoi banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore. Çuçi u shpreh se fillimisht do të ndërtohen institucionet shtetërore, siç janë shkollat dhe qendrat shëndetësore. “Kjo është një nga shkollat më të dëmtuara, të cilën ekspertët e kanë nxjerrë jashtë funksionit. Do të prishet tërësisht për të ndërtuar një të re sepse kjo ka goditje në strukturë. Për nxënësit janë marrë masa me transport të siguruar të shkojnë në shkollën e Lalzit. Ndërsa për nxënësit e ciklit të ulët do të sistemohen tek ambientet e xhamisë, e cila është e sigurt. Ne do ta fillojmë rindërtimin me institucionet shkollore dhe shëndetësore. Çdo gjë këtu është nën kontroll për sa i përket njohjes së problemeve dhe nevojave ku i kemi. Mbetet problem dinamik zëvendësimi i çadrave verore me çadra dimërore. Por janë duke ardhur pjesë të tjera të çadrave dimërore. Këtu shumica e banorëve kanë zgjedhur të qëndrojnë nëpër çadra pranë banesave të tyre sepse kuptohet që kanë edhe bagëtitë”, tha ministri Çuçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here