Gorge Soros duket se ka nisur tentativat për të qetësuar luftën mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Edhe pse Meta e akuzoi Soros se ishte pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër tij dhe se kishte ndihmuar PS të kapte reformën në drejtësi, dje është ulur në një tryezë me Aleks Soros, djalin e filantropit George Soros. “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta priti në një takim me kërkesë të tyre Zëvendëspresidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, z.Aleksandër Soros dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së Fondacionit në Shqipëri, z.Andi Dobrushi. Presidenti Meta i njohu me shqetësimet e Tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”, njoftoi Presidenca. Por Meta duket se ka gëlltitur atë që ka pështyrë. Deri dje Soros ishte armiku i tij numër një dhe sulmet ishin të përditshme, por takimi i djeshëm tregon shumë. Edhe pse Presidenca e cilësoi si takim normal, aty tregohet se Meta i ka varur shpresat te Soros. Kryeministri Rama e ka pranuar se ka marrëdhënie të mira me Soros. Dhe fakti që tani ka hyrë në mes, do të thotë se po gatuhet diçka më e madhe. Dyshimet janë se Meta po tenton që të zbusë gjakrat me qeverinë përmes Soros. Mazhoranca ka nisur një proces shkarkim (i cili po zvarritet nga dita në ditë), ndërkohë që SPAK mori jetë dhe SHBA ka vendosur që të dërgojë ambasadoren e saj në Tiranë, Juri Kim. Pra sinjalet janë se reforma do nis goditjet dhe SHBA do të marrë në dorë situatën. Nëse Meta shkarkohet, do jetë i dobët para SPAK dhe si duket presidenti po luan kartën e fundit: Futja në lojë e Soros.
Dyshimet
Si për koincidencë dje u mblodh komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit dhe pati surpriza. Dje u miratua shtyrja me 4 muaj të tjerë e afateve dhe në veprimet e këtij komisioni u përfshi dhe hetimi për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Por socialistët e shfrytëzuan këtë për të kërkuar sërish ndihmën e Venecias. Relatorja Klotilda Bushka zbuloi se socialistët do t’i drejtohen për herë të dytë Komisionit të Venecias, për t’i kërkuar mendim nëse kreu i shtetit shkeli ose jo Kushtetutën me emërimin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, të Marsida Xhaferllarit. Sipas deputetes Bushka, Komisionit të Venecias do t’i drejtohen me 5 pyetje, por që mund të shtohen edhe të tjera pas shqyrtimeve të nevojshme. “A mundet presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai apo ajo në kuptim të ligjit konsiderohen, të emëruar? Në këtë rast a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari Kushtetues të ushtrojë detyrën? Emërimi i një gjyqtari Kushtetuese tejet afatit ekskluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të organit kompetent të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, a e cenon parimin e gjykatës së krijuar me ligj”, janë disa nga pyetjet që do marrin përgjigje nga Venecia, që listoi zonja Bushka. Dje presidenti Meta foli në media, ku u pyet për aksionin në mbrojtje të Kushtetutës, por u tregu mjaft i rezervuar. Ndërkohë që mazhoranca zvarrit hetimet dhe hyn në lojë Soros. Të gjitha këto tregojnë se shkarkimi po shkon drejt kalendave greke.
Rigels Seliman