Sekuestrimi i 5.5 mln eurove të moshuarit nga Lezha, prokuroria pushon hetimet, paratë u dhuruan nga biznesmeni suedez

0
308

Kur ka kaluar gati një vit nga sekuestrimi i 5.5 milionë eurove një të moshuari, para që dyshohen se ishin përfituar nga aktiviteti kriminal, Prokuroria e Lezhës ka pushuar hetimet. Vendimi për pushimin e çështjes është marrë disa ditë më parë nga ana e organit të akuzës. Prokurori i çështjes mbylli këtë çështje, pasi pas realizimit të veprimeve hetimore doli në konkluzionin se paratë nuk e kishin prejardhjen nga aktiviteti kriminal. Sipas organit të akuzës eurot e ardhura nga Zvicra dhe Suedia, në drejtim të të moshuarit Pjetër Voci nga Gjadri i Lezhës, nuk ishin financa të përfituara nga aktivitet kriminale. Gjatë hetimit 12-mujor familja Voci, arriti të siguronte prova, si kontrata dhe balance financiare të disa kompanive në Zvicër dhe Suedi, që vërtetonin se këto para ishin të ligjshme. Kjo sasi e madhe në euro, vinte në Shqipëri nga miliarderi suedez Sten Aken, 78-vjeçar dhe përfituese ishte familja Voci nga Gjadri. Me vendim gjykate në janar 2019, familjes Voci i janë vendosur në sekuestro preventive gati 5,5 milionë euro dhe shumë apartamente të blera së fundmi nga persona dhe kompani të ndryshme. Më datën 22 janar, prokuroria nisi procedimin penal të referuar nga policia për pastrim parash dhe më 23 janar gjykatësi Artan Hajredinaj pranoi vendosjen në sekuestro preventive të llogarive bankare të Pjetër Vocit dhe bashkëshortes së tij, dy bashkëshortë të moshuar. Në emër të 83-vjeçarit Pjetër Voct, suedezi Sten Ake Lindholm ka bërë disa transferta bankare, më e madhja është 3.8 milionë euro, duke dhënë shpjegimin se është dhuratë për mikun e tij të dashur. Ka rezultuar se sapo ka marrë paratë, familja Voci ka blerë një apartament të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka në Shëngjin. Po kështu ata kanë blerë disa prona edhe nga Flamur Hoxha, vëllai i ish-deputetit të PD, Bedri Hoxha në Tiranë. Tashmë pas një vit hetime, prokuroria ka vendosur të pushojë këtë çështje, pasi nuk u arrit të siguroheshin prova për akuzën e “Pastrimit të parave”.

Hetimet

Hetimet nisën menjëherë pasi në llogaritë e hapura nga Shqipe Pali mbërritën nga Zvicra në një kohë të shkurtër, shuma të mëdha parash. Pasi tërhiqeshin nga banka, me këto para 50-vjeçarja, sëbashku me të atin Pjetër Voci blinin prona të paluajtshme. Kaq ka mjaftuar që mbi llogaritë e hapura të vendosej sekuestro si dhe mbi apartamentet në Lezhë e Tiranë. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se ka dyshime të arsyeshme se paratë janë dërguar nga kunati dhe vëllai i Shqipes që jetonin në Zvicër. Policia ka nisur hetimet dhe po bashkëpunon me homologët në Zvicër për të mësuar prejardhjen e parave të sekuestruara. Ato dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Ndaj me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka vendosur sekuestrimin e llogarisë në bankë dhe të pasurive të patundshme. Për sekuestrimin e kësaj pasurie të madhe parash burime zyrtare nga Prokuroria bëjnë me dije se më datë 22.01.2019 Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 57 viti 2019 për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë më 23.01.2019 ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare me vlerë 5.269.551 euro, 7 apartamente në Lezhë si dhe disa apartamenteve në Tiranë në pronësi të shtetasve Shqipe Pali e ditëlindjes 28.08.1969 dhe shtetasit Pjetër Voci i ditëlindjes 01.07.1936 të dy banues në Lezhë. Mësohet se Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim të datës 23 janar 2019. Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milionë Euro dhe 7 apartamente.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here