Google search engine
Home Politike Plas sherri për zgjedhjet në PD, njerëzit e Berishës rrahin të dërguarit...

Plas sherri për zgjedhjet në PD, njerëzit e Berishës rrahin të dërguarit e Bashës, ish-kryeministri nis lëvizjet për të marrë në dorë partinë

0
335

Procesi i zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike është kthyer në arenë sherri mes mbështetësve të kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Prej disa kohësh PD ka hyrë në zgjedhje, ku në shumicën e tyre janë zgjedhur krerët e degëve, ndërkohë që janë në proces disa degë të tjera, veçanërisht disa që janë hapur të reja. Sipas informacioneve, në shumicën e degëve këto zgjedhje kanë prodhuar si kryetar njerëz të promovuar nga vetë Basha, ç’ka nuk po kapërdihet dot nga ish-kryeministri Berisha. Ky i fundit ka thelluar përplasjet me Bashën, pasi e akuzon se ka braktisur aksionin opozitar, ndërkohë që ka shtuar presionet ndaj liderit demokrat duke e “goditur” nga të gjitha anët. Rasti më i freskët ka ndodhur këtë javë, teksa gazeta ka mësuar se një incident i rëndë gjatë procesit zgjedhor për ngritjen e degës së re të Partisë Demokratike në zonën Nr.16 në Tiranë, te “Unaza e Re”. Burime nga mbledhja i pohuan gazetës se dy anëtarë të kësaj force politike që pretendojnë të marrin kryesinë dhe drejtimin e kësaj dege kanë dhunuar kryetarin dhe një anëtare të grupit të punës si dhe kryetarin e grup-seksionit të PD-së dhe kanë shkatërruar materialet zgjedhore në ambientet e një lokali te zona e “Astirit”, ku po zhvillohej procesi. Po ashtu, mësohet se anëtarët që provokuan këtë incident mësohet të jenë shprehur se Sali Berisha është lideri i vërtet i Partisë Demokratike dhe se ata nuk pajtohen me politikat e ndjekura nga kryedemokrati Basha. Në këto kushte, mësohet se procesi për këtë degë është shtyrë për një moment të dytë, duke qenë se situata është e nxehtë, pasi mbështetësit e Berishës janë aktivizuar dhe nuk pranojnë Bashën për kryetar partie. Ndërkohë, burime nga selia blu i pohuan gazetës se incidente të kësaj natyre ka pasur edhe në disa degë të tjera gjatë procesit zgjedhor për krerët e degëve apo grupseksioneve.

Berisha nis lëvizjet për të marrë në dorë partinë

Por sherret që kanë kapluar disa nga degët e Partisë Demokratike, janë një refleksion i fortë i sherrit në kupolën e PD, ku ish-kryeministri Sali Berisha po përpiqet me të gjitha mënyrat të mënjanojë kryedemokratin Lulzim Basha, me argumentin se është një “shtojcë” e kryeministrit Edi Rama. Mësohet se Berisha nuk po e kapërdin dot mënyrën se si Basha po bën opozitë përballë qeverisë, kështu që ka nisur të lëviz ujërat, për të rrëzuar atë. Madje, mësohet se rezerva të kësaj natyre Berisha i ka shfaqur edhe në mbledhjen që Basha zhvilloi dy ditë më parë me ish-deputetët dhe Kryesinë e Partisë Demokratike. Burime nga mbledhja i pohuan gazetës se ish-kryeministri Berisha i ka kërkuar llogari Bashës për braktisjen e aksionit opozitar, ndërsa më pas ka braktisur mbledhjen për arsye shëndetësore. Por këto përplasje janë një mesazh i qartë për kryedemokratin Basha, ç’ka tregon se mosmarrëveshjet mes lideri të PD dhe ish-liderit demokrat janë shtuar ndjeshëm. Megjithatë, mësohet se sherret pritet të vijojnë dhe në rrethe të tjera, ku më shumë se 60 për qind e degëve janë pa kryetarë dhe struktura drejtuese, ku përplasja mes mbështetësve të ish kryeministrit dhe kreut aktual të PD tashmë është e garantuar. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here