Prokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, nuk i shpëtoi ankimimit. Dje Komisioneri Publik njoftoi se ka ankimuar vendimin e KPK për prokurorin Besim Hajdarmataj, 2 muaj pas konfirmimit të tij, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra. Ky qëndrim i Komisionerit ka ardhur pasi u njoh me vendimin e zbardhur të Komisionit dhe rekomandimin e ONM-së. “Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të KPK, për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë. IKP, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit. IKP kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj”, thuhet në njoftimin e IKP-së.
Gjetjet e Komisionerit
Teksa ka ankimuar për vendimin e marrë nga KPK për prokurorin Hajdarmataj, Komisioneri Publik ka parashtruar disa gjetje të KPK-së, për të cilat sipas IKP-së, prokurorit i është kaluar barra e provës dhe ky i fundit nuk ka arritur të provojë të kundërtën. Në fokus është vendosur hetimi në kriterin e aftësive profesionale dhe pasurisë. Lidhur me këtë të fundit, për një çështje në Kurbin, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik” dhe “Vetëgjyqësia”, në të cilën subjekti ka pasur rolin e drejtuesit dhe prokurorit, sipas denoncuesit, Hajdarmataj ka ndikuar që dosja në fjalë të mos hetohej, duke e mbyllur çështjen në favor të të dyshuarit kryesor. Gjatë detyrës së tij te Krimet e Rënda, si kryeprokuror, IKP evidenton veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, që Hajdarmataj e ka shpallur moskompetencë, duke e kaluar çështjen në Prokurorinë e Përmetit. Për këtë çështje, KPK në seancë tha se prokurori nuk ka kryer asnjë hetim për të evidentuar organizatorët e aktivitetit, nuk kishte kryer një hetim proaktiv dhe se nuk e kishte orientuar hetimin. Lidhur me këtë, IKP tha se Hajdarmataj nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës. Ndërsa për pasurinë, pasi evidentoi pasuritë e deklaruara nga prokurori, IKP pretendon se konkluzionet e KPK, se Hajdarmataj ka provuar se ka mundësi për burimin e krijimit dhe se ka pasur të ardhura të mjaftueshme financiare, nuk qëndrojnë. “IKP, në kuadër të vlerësimit të elementeve përbërëse të analizës financiare të KPK, vlerëson se në analizë nuk duheshin marrë në konsideratë pretendimet e subjektit në parashtrimet e rezultateve të hetimit dhe pretendimet e paraqitura vetëm pas kalimit të barrës së provës, lidhur me të ardhurat nga bonusi i karburantit dhe shpenzimet e jetesës”, thuhet në ankimim.
Ornela Çelpica