Taksa e banesës në Tiranë rrezikon të dështojë sërish. Që prej më shumë se një viti Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka shtyrë disa herë vjeljen e taksës së banesës dhe me sa duket ende nuk po gjen zbatim. Afati i vendosur fillimisht ka qenë 15 shtatori, më pas UKT vendosi t’u japë dhe një muaj kohë qytetarëve duke e shtyrë afatin për në 30 tetor. Ndërkohë së fundmi burimet nga UKT njoftojnë se ky problem nuk ka gjetur ende një zgjidhje, pasi një pjesë e madhe e banorëve kryeqytetas nuk kanë dorëzuar ende të dhënat e vetëdeklarimi të banesës. Sipas të dhënave zyrtare të UKT-së, deri në muajin nëntor, ky numër arriti në 70 mijë, ndërkohë që në total numërohen rreth 190 mijë abonentë. Si pasojë, deri më tani janë hasur një sërë vonesash në drejtim të vjeljes së taksës sipas formulës së re, ndërkohë që gjatë muajit dhjetor duket se UKT ka nisur të faturojë një pjesë të banorëve me formulën e rishikuar. Për këtë arsye ky institucion ka vendosur që të nxjerrë në terren 40 punonjës për verifikim e saktë të të dhënave që janë deklaruar deri më tani, si dhe nxjerrjen e të dhënave për ata banorë që nuk janë paraqitur për deklarimin e banesës. Për të realizuar këtë qëllim sa më shpejt dhe në rrugë transparente UKT synon të zhvillojë një aplikacion android për regjistrimin e të dhënave të terren, që do të shërbejë për përllogaritjen e taksës së ndërtesës. Kështu që nëpërmjet një procedure tenderuese, që parashikohet në vlerën e rreth 8.2 milionë lekëve, UKT kërkon të 40 punonjësit të zotërojnë pajisje gjatë veprimit në terren. Në këtë mënyrë do të merren në mënyrë automatike koordinatat e vendodhjes së ndërtesës dhe aplikimi duhet të bëjë kontrollin e pikës ku plotësohet formulari dhe të gjejë në mënyrë të automatizuar zonën për llogaritjen e taksës. Procesi i përllogaritjes së taksës nisi me vetëdeklarimin e të dhënave nga qytetarët. Verifikimi i të dhënave në terren është faza e katër që zbaton UKT për vjeljen e taksë së banesës, por që nuk është zbatuar akoma në tërësi, pasi fazat e para nuk kanë rezultuar efektive. Ndërkaq, pas kalimit të fazës së vetëdeklarimit dhe analizimit të të dhënave për përputhjen e tyre me të dhënat në kadastër, tashmë duket se UKT po kalon në fazën e tretë, që parashikon pikërisht verifikimin në terren të të dhënave. UKT në çdo njoftim të saj sqaron se verifikimi i të dhënave në terren është një proces i rëndësishëm, duke qenë se me formulën e rishikuar kjo taksë paguhen në varësi të vlerës së pronës.
Përllogaritja e taksës
Për ndërtesat që shfrytëzohen për banim, sipërfaqja e ndërtesës do të shumëzohet me 0.05%. Për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike sipërfaqja do të shumëzohet me 0.2%. Ndërsa për sipërfaqet ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë brenda afatit shumëzimi do të bëhet me 30. Nëse në informacionin e marrë nga ZVRPP-ja konstatohet se për ndërtesën/njësinë pronësore është kryer një transaksion shitblerjeje gjatë 3 viteve të fundit, atëherë si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë midis transaksionit dhe vlerës të regjistruar në ZVRPP. Ndërkohë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të kryejnë edhe verifikime në terren për objektet e taksueshme për të identifikuar ndërtesat që nuk janë hedhur në sistem apo edhe për të bërë ndryshime. Përderisa një pjesë e konsiderueshme nuk e kanë bërë deklarimin e të dhënave, qytetarët kanë akoma pamundësi të paraqesin të dhënat e banesës së tyre. Ndërkaq çdo qytetar duhet të ketë: kartë identiteti; dokumentin e pronësisë (certifikata e pronësisë me kartelën e pasurisë, ose kontratën e shit-blerjes, dhurimit apo shkëmbimit, ose akt-privatizimin apo vetë-deklarimin e ALUIZNI-t, si dhe rivlerësimin e fundit të pasurisë nëse e dispononi) dhe librezën e ujit ose faturën e muajit të fundit. Shembull: (Apartament me sipërfaqe 70 m² x çmim vlerësues 60.000 lek/m²) x 0.05% = 2 100 lekë/vit 2 100 lekë (Taksa Vjetore): 12 muaj = 175 lekë/muaj Vlera e Taksës mbi Ndërtesën përfshirë në faturën mujore do të jetë 175 lekë.
Esmeralda Hida