Caktohet trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që do të gjykojë ankimin e gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri. Dje Kolegji ka caktuar Luan Dacin kryesues, Ina Ramën relatore dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdai dhe Sokol Çomo, pasi në datën 10 dhjetor u regjistrua ankimimi i Hasnezirit. Ky i fundit u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të këtij viti pasi iu konstatuan disa probleme mbi blerjen e një apartamenti dhe mosdeklarimin e refuzimit të një vize amerikane. Beteja e Hasnezirit me Komisionin nisi me probleme, që në nisje të procesit. Hetimi për gjyqtarin është bërë vetëm për dy kritere, atë të pasurisë dhe pastërtinë e figurës dhe këtë qëndrim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Haszneriri e ka cilësuar si të njëanshëm dhe paragjykues, ndërsa kërkoi përjashtimin. Seanca e parë dëgjimore u shty, për tu kthyer në të dytën, me të njëjtë trupë gjykuese. Por kush e fundosi gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri? Probleme u gjetën për pasurinë apartament të blerë në vitin 2006, paguar me një skemë të komplikuar që përfshin hua, kredi bankare dhe një kontratë noteriale. Në kontratë, është shënuar që shuma prej 5.9 milionë lekësh ishte paguar jashtë zyrës së noterit në cash dhe në deklaratën veting, gjyqtari kishte deklaruar se burimi i kësaj pasurie ishte një kontratë huaje më vëllanë për 6 milionë lekë e lidhur në janar të vitit 2007 dhe një kredi e marrë po në janar të vitit 2007 prej 5 milionë lekësh. Gjyqtari kishte deklaruar se huaja ndaj vëllait ishte shlyer plotësisht. 4.9 milionë lekë pas marrjes së kredisë dhe pjesa e mbetur me këste për disa vite. KPK tha se nuk kishte dokumentacion ligjor për të provuar marrjen e shumës hua nga vëllai dhe po ashtu nuk ishte provuar që kredia pas dispursimit t’i kishte kaluar të vëllait. Për kriterin e figurës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi problem në mosdeklarimin në formularin në kontrollin e figurës, për refuzimin e një vize për të udhëtuar në SHBA. Në fjalën e tij, Hasneziri tha se duke iu referuar faqes së Ambasadës së SHBA, ndalimi i hyrjes konsiderohej kthimi në një nga pikat e hyrjes edhe pse mund të kishe vizë dhe jo mosdhënia e vizës.