Anton Martini, Prokurori i Krimeve të Rënda, kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, këtë të martë po përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Sipas gazetarit Elton Qyno, Martini mësohet të jetë shprehur se shtëpinë e ka marrë me dy kredi, jo sepse donte të bëhej i pasur por sepse donte të banonte në një shtëpi në një zonë që ishte në influencën e policisë.
Fjala e Martinit para trupës gjykuese
“Jam transferuar ne Shkodër me një vendim të paligjshëm. Nga gjithë puna ime kam vetëm një shtëpi dhe një garazh, që ende se kam marrë me letra. E kam marrë shtëpinë me dy kredi, pasi nuk doja te bëhesha i pasur por të blija një shtëpi në një zonë që ishte në influencën e policisë. Unë jam një prokuror që kam marrë shume kërcënime dhe sot e kësaj dite jam në ruajtje nga policia. Ju kam dorëzuar vendimet e ruajtjes. Me qira kam qëndruar pranë komisariatit nr.2 në Tiranë, vetëm për faktin që të kem garanci për sigurinë dhe familjen time.” mësohet të ketë thënë Martini.
Procesi i vetingut për Martinin po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja. Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Për të marrë emërimin në SPAK, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.