Plani i qeverisë, ja si do të bëhet dëmshpërblimi i banesave në fshat të prekura nga tërmeti, 20 milionë lekë kush e ndërton vetë

0
418

Kryeministri Edi Rama ka miratuar dje një propozim të bërë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në lidhje me dëmshpërblimin e banesave. Prej disa ditësh kryeministri është duke e thirrur Bashën që të ulen sëbashku për të folur mbi rindërtimin e Shqipërisë, por Basha nuk ka pranuar dhe janë përplasur në distancë. Sakaq në një deklaratë tjetër Rama është shprehur se ka ardhur koha që palët të bëhen bashkë dhe jo të fjalosen në distancë, dhe mesa duket hapin e parë e ka bërë ai vetë duke pranuar propozimin e Bashës. Po pavarësisht mospajtimit në tavolinë, duket se palët kanë një koordinim në distancë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në shumë takime që ka bërë në zonat e prekura nga tërmeti me banorët, ka kërkuar nga qeveria që të bëhet një vlerësim i shpejtë i banesave, kryesisht në fshatra, dhe qeveria t’u japë para në dorë banorëve, që të nisin rindërtimin e banesave të dëmtuar. Kryedemokrati kërkoi disa herë që ky propozim të merrej sa më parë nga qeveria, e ndërkohë ka ardhur edhe përgjigja e kësaj të fundit. “Do insistojmë të vijnë njerëzit të vlerësojnë banesat, se pas vlerësimit të banesave vjen vlerësimi i dëmit. E treta do insistojmë që dëmi të vij dhe ta dëmshpërblejnë financiarisht. T’i japin çdo familje lekët në dorë që të rindërtojnë shtëpinë. Ky është propozimi jonë”, është shprehur Basha gjatë një bashkëbisedimi me një banor në Ishëm. Sakaq në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të hartohet sa më shpejtë një plan, që banorëve që u është prishur banesa, kryesisht atyre në zonat rurale, t’u jepet në dorë një shumë prej 20 mln lekë të vjetra, që të fillojnë të rindërtojnë vetë banesat e tyre, duke rënë kështu në unison me Bashën. Po ashtu kreu i qeverisë siguroi, se rindërtimi nga banorët do të bëhet nën monitorimin e rreptë të ekspertëve, në mënyrë që punimet të jenë cilësore. “Të bëjmë gati planin për shtëpitë individuale, për pallatet 100% është barra e qeverisë dhe kompanitë të mëdha, për ato individuale duhet bërë harta e veprimit që të ndajmë me organizatat solidare, që tu japim hartën zonën, numrin që procesi të nisë. Familje në fshat që duan të rindërtojnë vetë shtëpitë tu japim financim, faktikisht me një financim në 20 mln lekë të vjetra mesatarisht ata janë gati që ta bëjnë vetë se fitojnë kohë dhe nuk presin që të vijë dikush, por kuptohet me supervizionim që të garantojë gjithë parametrat”, tha Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here