Presidenti takon “SOROS” dhe kërkon që SHBA-BE të qëndrojnë larg ndërhyrjeve, kërcënon se do ngrejë qytetarët për mbrojtjen e Kushtetutës

0
353

Presidenti Ilir Meta duket se ka vendosur t’i shpallë luftë të gjithëve. Pas sulmeve ndaj mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, dje Presidenca ka reaguar edhe kundër Partisë Demokratike. Ditën e djeshme presidenti Meta, përmes zëdhënësit të tij, ka sulmuar nënkryetarin e PD-së, Edi Palokën. Paloka, në një reagim në rrjetet sociale u shpreh pak ditë më parë me një postim ironik, se me paligjshmërinë totale të kësaj qeverie, nuk e kupton se përse Edi Rama nuk vijon brenda ditës me procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit. Paloka shtoi se nuk do ishte çudi sikur Rilindja të shkallmonte dhe derën e institucionit për të marrë Presidencën. “Nuk e kuptoj çfarë shqetësimi ka Rama për shkarkimin e presidentit?! Çfarë rëndësie ka çfarë thotë Kushtetuta? Çfarë rëndësie ka se në fund vendos Gjykata Kushtetuese ? Nuk e kuptoj pse nxjerr një herë Tao Pallën e një herë Spiropallën e çdo pallë tjetër të “rilindjes” që përpiqen me deklarata rrumpallë t’ju mbushin mendjen shqiptarëve se Rama dhe “rilindja” po luftojnë për drejtësi dhe në mbrojtje të Kushtetutës? Mblidh ata që i quan deputetë, futi një votim ne atë që e quan Parlament, shkarko presidentin Meta e zgjidh një nga pallat e tu. Eksperiencën e 30 qershorit e ke, prit sa të dali Meta nga zyra, shkallmo derën e zyrës dhe e zgjidh problemin”, ka shkruar Paloka duke ironizuar qeverinë dhe kryeministrin Rama.

Meta sulme ndaj Palokës

Por mesa duket presidenti Meta i ka marrë seriozisht deklaratat e Palokës dhe e ka sulmuar ashpër atë.Deklaratës së nënkryetarit të PD i është përgjigjur Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidencës. “Lidhur me sugjerimin e z.Paloka që Parlamenti (e përsërisim qartë se ka vetëm 82 deputetë legjitimë, sipas deklaratës së qartë që ka bërë Presidenti Meta në Pogradec në 20 mars 2019), të shkarkojë presidentin apo sugjerimi tjetër që të pushtojnë Presidencën kur presidenti Meta të mos jetë në zyrë, u bëjmë të qartë të gjithëve: Të mos shohin ëndrra të tilla, sepse të gjithë shqiptarët e dinë se presidenti Meta kudo që të jetë, në zyrë apo jashtë, do të jetë në krye të detyrës dhe është i bindur se populli shqiptar do t’i përgjigjet çdo thirrje dhe dekreti të tij në mbrojtje të Republikës dhe rendit kushtetues”, ka deklaruar Presidenca. Më tej Blushi ka shtuar dozën e kërcënimeve, duke përmendur për të disatën herë se Meta është komandat i Forcave të Armatosura. “Sqarojmë për të gjithë shqiptarët se z.Meta, jo vetëm është plotësisht i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tij kushtetuese, si kryetar i shtetit, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe kryetar i këshillit të sigurisë kombëtare, por mbi të gjitha ai është dhe do të jetë në rast nevoje ushtari i parë në mbrojtje të Republikës dhe Kushtetutës”, është shprehur zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Meta vendos shoqërinë civile kundër ndërkombëtarëve

Ditën e djeshme Meta ka vijuar turin e takimeve me shoqërinë civile. Pasdite në Presidencë u panë ekspertë të reformës zgjedhore, të disa organizatave dhe të Fondacionit SOROS. Edhe pse Meta e sulmoi këtë fondacion, dje e ftoi në tryezë. Në këtë takim Meta ka kërkuar që shoqëria civile të bëhet bashkë dhe të kërkojë që ndërkombëtarët të mos ndërhyjnë në punët tona të brendshme. Ishte Kristaq Kume ai që zbuloi detajet e takimit. “Kriza të zgjidhet nga ne, të mos i varim shpresat te ndërkombëtarët, pasi shpesh ato janë faktor pengues se zgjidhës. Ne na tha presidenti se është koha dhe nevoja që të komunikohet në mënyrë intensive me popullin shqiptar. Një thirrje për të gjithë aktorët politik brenda dhe jashtë parlamentit që të bëhemi bashkë dhe të bëjmë reformën e thellë legjislative, që nëse bëhet gjithëpërfshirëse është më e mira. Jemi dakord me presidentin Meta”, tha Kume.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here