Ermira Hysaj me Salomen e Oscar Wilde, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës

0
422

“Salome” kryevepra e Oscar Wilde mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes shfaqet për publikun në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vepra me regji nga Carlo Sciaccaluga dhe me një kast aktorësh të njohur deri tani ka qenë në skena të ndryshme të teatrit. Produskion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, kjo vepër vjen në skenë me interpretimin fantastik të aktorëve Ermira Hysaj, Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri, Yllka Mujo, Alesia Xhemalaj, Emiljano Bufazi, Ermir Hoxhaj, Ilia Kaçi, Ismail Shino, Kleivert Ibrahimllari, Marsel Greva dhe Urim Aliaj. “Salome” provokon emocione tronditëse dhe rrëqethëse të një pasioni të pazakontë. Salome është thjeshtra e mbretit Herod Antipas të Judesë. Ai është bashkëshort i Herodias, e cila është e mallkuar nga një profet me emrin Jokanaan (i njohur në Bibël si Gjon Pagëzori). Ky thotë se martesa e Herodit është e paligjshme, sepse Herodias është vejusha e vëllait të Herodit. Në Bibël, Salome e ndihmon të ëmën të marrë hak ndaj Gjon Pagëzorit, ndërsa në veprën e Wilde vendimet e Salomesë ndaj Jokanaanit vijnë si rezultat i dëshirës së saj për hakmarrje nga epshi. Për tmerrin e mbretit dhe për gëzimin e së ëmës, Salome kërkon kokën e Jokanaanit në një pjatë argjendi, si shpërblim për vallen e shtatë vellove, që ajo do të kërcejë para mbretit Herod. Aktorja Ermira Hysaj është e njohur për publikun në skenën e teatrit. Me role në shfaqje të ndryshme në skenë, këtë herë ajo vjen me rolin kryesor në këtë vepër, Salome. Më herët aktorja është shprehur se Salome është një rol karriere. “Është një rol që ta merr frymëmarrjen dhe e nxjerr me shumë vështirësi. Për mua është një rol shumë i bukur, është një rol karriere padiskutim, ndihem me fat që më është besuar”, thotë aktorja Ermira Hysaj. Vepra është përkthyer nga Kudret Mita, skenograf Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara. Kompozitori është Andrea Nicolini, koreograf Donald Martini dhe as/regjisor Mateo Dervishaj. Teatri Kombëtar Eksperimental vazhdon ti shfaq veprat për publikun edhe në skena jashtë Tiranës. Këtë herë është publiku i qytetit të Shkodrës, që do të ndjekë një nga veprat e Oscar Wilde.

Krijimtaria e dramaturgut irlandez

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Në skenën shqiptare, janë vënë dhe më parë veprat të tij, që janë vlerësuar për publikun. Oscar Wilde lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq më 30 nëntor 1900 në Paris. Wilde e shkroi “Salome” në frëngjisht në vitin 1891. Ajo u shfaq së pari si një pjesë teatrore në frëngjisht. Tre vjet më vonë u botua një version i saj në anglisht. Për publikun britanik u shfaq për herë të parë në vitin 1918, disa vjet pas vdekjes së Oscar Wilde. Jo më pak të njohura janë komeditë e tij, ku mund të veçojmë “Një grua pa rëndësi”, “Erashka e zonjës Uindëmiër”, “Një bashkëshort ideal” dhe atë që konsiderohet si kryevepër, “Rëndësia e të qenët i ndershëm”. Përveç dramave dhe novelës së vetme, krijimtaria e tij përmbledh edhe tregime, ku mund të përmendim “Krimi i lordit Artur Sevilit” dhe histori të tjera, botuar në vitin 1891, apo përralla si “Princi i lumtur”. Oscar Wilde ishte një shkrimtar i madh, një njohës dhe një admirues i shkrimeve të grekëve të lashtë. Besonte se qytetërimi i lashtë grek mishëronte bukurinë dhe harmoninë. Ishte jokonfromist dhe ekscentrik, por këto karakteristika nuk e penguan të studiojë filozofinë klasike. Veprat e tij mbeten të freskëta dhe aktuale akoma dhe në ditët e sotme.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here