Mesi “pushton” botën, rrëmben trofeun “The Best” nga FIFA

0
355

Holandezi Virgjil Van Dajk braktisi mbrëmë sallën në Milano ku zhvillohej ceremonia gala e FIFA-s për dhënien e çmimeve për më të mirët e këtij viti në futboll. Kjo pasi kuptoi që nuk do të ishte ai fituesi. Dhe fituesi dihet: ai është Lionel Mesi, i cili mposhti në finale holandezin Van Dajk si dhe rivalin e tij të përhershëm Kristiano Ronaldo. Kjo ishte hera e gjashtë që Mesi fiton çmimin e më të mirit të vitit, duke thyer çdo rekord dhe duke qenë padyshim më i miri që ka parë ndonjëherë historia e futbollit. Në mbrëmjen gala të FIFA-s, argjentinasi ishte në sallë dhe priti i qetë dhënien e çmimit. Ai kishte udhëtuar së bashku me familjen dhe pritej një fitore e tij në rivalitetin me dy lojtarët e tjerë. Padyshim që ky është një kulminacion i Mesit në karrierën e tij dhe një sinjal që mund të fitojë “Topin e Artë”, ku me gjasë do të ketë sërish përballë Van Dajkun dhe Ronaldon. “Çmimet individuale janë në plan të dytë, e pra është ekipi. Për mua, është natë speciale. Dua të falënderoj gruan time, fëmijët e mi që gjithashtu janë pjesë të këtij trofeu. Fëmijët e mi janë të dashuruar në futbollin dhe janë të turpshëm teksa po i shohin idhujt e tyre. Faleminderit të gjithëve për këtë çmim”, tha Leo. Ndërkohë, Jurgen Klop fitoi dje çmimin si trajneri më i mirë i vitit, pasi drejtoi Liverpulin në suksesin e madh në Ligën e Kampioneve. Një sukses që i ka dhënë atij trofeun e “The Best” që organizohet nga FIFA dhe ku ai garonte përballë dy emrave të tjerë shumë të njohur si Mauricio Poçetino dhe Pep Guardiola. Gjermani, me stilin e tij unik, sapo mori trofeun nuk ngurroi të bënte batutat e zakonshme të sinqerta para sallës të mbushur me yjet e futbollit botëror. “Poçetino, më vjen keq. Ju humbët finalen dhe ne e fituam. Kjo është arsyeja pse tani jam këtu. Dua të falënderoj shumë njerëz, pronarët e klubit që më dhanë në dispozicion një ekip të jashtëzakonshëm. Kam nderin të drejtoj një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm. Ajo që më bën krenar është që bëj pjesë në “Common Goal” (organizata e krijuar nga Huan Mata ku sportistët dhurojnë një pjesë të rrogave të tyre për bamirësi)”, ishin fjalët e Klop para sallës. Për çmimin e dhënë për portierin më të mirë, trofeu shkoi për brazilianin e Liverpulit, Alison Beker. Ai shkëlqeu në vitin 2019, duke fituar Champions League dhe Superkupën e Evropës me Liverpulin, si dhe Kupën e Amerikës me Brazilin. Alison mposhti Edersonin e Mançester Siti dhe Mark-Andre ter Shtegen të Barcelonës. “Faleminderit të gjithë, familjes, shokëve të skuadrës, trajnerit. Jam shumë i lumtur për këtë çmim”, tha Alison. Ndërkohë, Mesi nuk ka arritur të fitojë çmimit për Golin më të mirë për vitin 2019. Atë e ka fituar Daniel Zsori për golin e shënuar në Hungari në mes të Debrecen FC v Ferencvaros TC (Liga e Parë e Hungarisë, 16 shkurt 2019). Po dje, në mbrëmjen gala të FIFA-s, është zbuluar më në fund formacioni më i mirë i vitit. Befasisht, Marcelo ka zënë vend pas një sezoni jo të mirë me Realin, derisa mbrojtja përbëhet me tre qendërmbrojtës, Ramos, De Ligt dhe Van Dijk. Formacioni i vitit: Alison, Marcelo, Ramos, Van Dijk, De Ligt, Modriç, De Jong, Hazard, Mbape, Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Çmimi i lojtares më të mirë femër shkoi për amerikane Megan Rapinoe që u shpall kampione e botës me Shtetet e Bashkuara.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here