Koncerti “Imazhi Jazz i Gjon Milit” çel sezonin artistik në teatrin Metropol. Koncerti vjen mbrëmjen e së shtunës për publikun, por ka për qëllim të promovojë figurën e Gjon Milit, si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe artistike nëpërmjet rrymës muzikore xhaz. Gjon Mili, si mjeshtër dhe inovator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për drejtuesin artistik të këtij koncerti Andi Kongo, shumë e veçantë ka qenë lidhja dhe dashuria, që ai ka pasur për muzikën xhaz. Drejtues artistik i koncertit në Metropol, Kongo shprehet se në aktivitetin e tij fotografi i njohur Gjon Mili këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40 – ’60, si “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”. “Me filmin “Jammin the Blues” ai arriti të bëhej një nga pionierët e videoklipit muzikor. Teknikat stroboskopike, dritë-hijet, intimiteti fotografik me muzikantët që interpretojnë në këto filma, studiohen ende sot dhe merren si bazë në kinematografinë botërore. Mili ndikoi artistikisht në muzikën xhaz edhe me fotografitë e realizuara në studion e tij fotografike gjatë “Jam Sessions” (koncerte të improvizuara me muzikantë të njohur të skenës Jazz të viteve ’40), të cilat u botuan në revistën “Life”,” pohon Kongo. Këto fotografi shoqëruan edhe pllakat muzikore “Victory Disks” (V-Disc), të cilat u shpërndanë gjatë Luftës së Dytë Botërore si mjet motivues për ushtarët amerikanë dhe popujt e pushtuar, në luftën kundër nazistëve. Ato tregonin qartazi realitetin demokratik dhe inter-kulturor që karakterizonin mbrëmjet muzikore xhaz, duke bashkuar publikun, muzikantët dhe balerinët me kombësi të ndryshme, në kundërshtim me ligjet dhe krimet raciale që ushtronte fashizmi dhe nazizmi.
Ura lidhëse, me historinë e muzikës xhaz
Emrat e muzikantëve xhaz me të cilët Gjon Mili realizoi veprat e tij vizuale janë Duke Ellington, Lester Young, Count Basie, James P. Johnson, Dizzy Gillespie, Benny Goodman, Cosy Cole, Jo Jones, Billie Holliday, Charlie Parker, Coleman Hawkins, Gene Krupa, Buddy Rich, Dave Brubeck, Paul Desmond dhe shumë të tjerë. Andi Kongo, drejtor artistik i koncertit “Imazhi Jazz i Gjon Milit” shprehet se në sajë të respektit që shumë prej këtyre muzikantëve patën për Gjon Milin, duke i dedikuar edhe veprat muzikore të tyre, fotografi nga Korça mbetet e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar mund të ketë me historinë e muzikës xhaz, pikërisht në periudhën kur ky zhanër muzikor u përhap në mbarë botën, ndërkohë regjimi komunist në Shqipëri, e kishte ndaluar rreptësisht. Koncerti që do të zhvillohet të shtunën në Metropol, sjell para publikut artistët e formacionit muzikor “Blackie band”. Piano Andi Kongo, saksofon Ermal Rodi, bateri Emiljano Dhima, bas Arbin Alimeri, kitarë Kejdi Barbullushi dhe vokal Elona Islamaj. Koncerti do të përmbajë pjesë muzikore të zgjedhura nga filmat e Gjon Milit, por gjithashtu edhe krijimtari dhe përpunime të muzikës shqiptare, në vazhdimësi të “imazhit” xhaz, që Mili na ka lënë si trashëgimi. Gjon Mili përdori për herë të parë “fleshin elektronik” dhe “dritën stroboskopike”, të shpikura nga profesori Harold Edgerton më 1931, me të cilin ai bashkëpunoi gjatë. Në vitin 1937 mori titullin profesor. Ndërkohë Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikes, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër, përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin. Gjon Mili lindi 1904 në Korçë, vdiq më 14 shkurt 1984 në Stamford, Connecticut, SHBA.
Nga Julia Vrapi