“Lepenica 2019”, projekt kërkimor shkencor për “Shpellën e Shkruar”

0
401

Piktura parahistorike në strehën shkëmbore të fshatit Lepenicë e njohur ndryshe dhe si “Shpella e Shkruar”, është një nga sitet më të rëndësishëm të artit shkëmbor në vendin tonë dhe njëkohësisht një ndër sitet arkeologjike më të dëmtuara nga aktet vandale ndër vite. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, shprehet se për të eksploruar mundësinë e konservimit shkencor të sitit dhe rikuperimin e atyre pjesëve të dëmtuara, në mënyrë që të rritet shikueshmëria e figurave të pikturës, Instituti i Arkeologjisë së Tiranës, Escola Superior de Conservacion e Restauracion de BBCC de Galicia dhe DRKK, po bashkëpunojnë në projektin kërkimor shkencor “Lepenica, 2019″, dokumentimi dhe vëzhgimi arkeologjik në një strehë me art shkëmbor parahistorik (Shpella e Shkruar, Lepenica), miratuar nga KKA me vendim nr. 63, datë 18. 3. 2019. Për DRKK Vlorë, me shumë rëndësi do të jetë shpalla e këtij siti monument kulture. “Projekti synon gjithashtu ri-dokumentimin sipas metodave bashkëkohore si dhe vëzhgimin arkeologjik në territorin përreth. Produkt i rëndësishëm i këtij projekti do të jetë edhe hartimi i dosjes për ta shpallur këtë sit të rëndësishëm monument kulture”, bën me dije Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë. “Shpella e Shkruar” e Lepenicës ndodhet në rrjedhën e mesme të Lumit të Vlorës, 800 metra mbi nivelin e detit, në faqen lindore të malit të Lepenicës. Ajo u bë e njohur për studiuesit dhe vizitorët pas viteve 1970. Në vitin 1930 është vizituar nga Shtjefën Gjeçovi i shoqëruar nga patrioti vlonjat Tol Arapi. Në faqet e brendshme të shkëmbit tavanor gjenden të vizatuara 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike. Vizatimet janë realizuar me bojë minerali ngjyrë kafe dhe datohen në mijëvjeçarin e tretë para Krishtit. Ato flasin për një nivel të lartë të artit neolitik në vendin tonë. Për “Shpellën e Lepenicës” kanë shkruar e bërë studime profesor Muzafer Korkuti, profesor Dhimitër Shuteriqi, dr. Shpend Bengu, etj. Kjo shpellë vizitohet nga studiues të ndryshëm, por edhe nga turist të huaj, që kërkojnë të njihen me natyrën dhe historinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here