Deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni, gjatë seancës së sotme parlamentare ka hedhur akuza ndaj PD dhe PS se po përgatisin një pakt të fshehtë në kurriz të shqiptarëve, por sipas tij kjo nuk do të lejohet nga opozita parlamentare. Ai foli edhe për ftesën e Palmer për dialog me opozitën .
“Sot problemi i Shqipërisë janë çunat problematikë që tallen me vjedhje e votës së qytetarëve të Shqipërisë. Ka qytetarë që kanë besim se do votojnë dhe se vota e tyre do numërohet. Po nuk e bëjnë dot këtë gjë se ka çuna problematikë. Është vonuar reforma në drejtësi sepse shpresojnë për një marrëveshje dashuriçke me Bashën. Por nuk e kanë menduar ndonjëherë se sa fuqi ka vota jonë kundër pazareve tona. Na injoruat. Ja ku e keni Gjermaninë që e ka kushtëzuar hapjen e negociatave për përmbushjen e Reformës Zgjedhore. Unë dua t’i them të gjithë shqiptarëve se ne si opozitë e vërtetë me të drejtë vote jemi të gatshëm t’i përgjigjemi thirrjes së Palmer për tryezën e Reformës Zgjedhore. Tryeza e parë do të zhvillohet me 25 shtator. Mazhoranca ka pranuar të marrë pjesë. Ne si opozitë i shtrijmë dorën asaj opozite që doli nga Kuvendi që të vijë të japë mendimin e saj për Reformën Zgjedhore. Ndaj të nderuar kolegë. Të nderuar shqiptarë. Ata atje në rrugë le të hidhen pupthi bashkë me ata në parlament. Nuk do ketë asnjë pazar pa votën tonë. Jo një tryezë por 10 tryeza jemi të gatshëm të bëjmë. Unë iu garantoj, nëse nuk arrijmë të reformojmë sistemin zgjedhor nuk e shoh më të nevojshëm prezencën time këtu në parlament. Kjo është beteja ime e fundit për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Do na akuzojnë se jemi bërë palë me çunat problematikë”, u shpreh Ralf Gjoni.