Vazhdojnë hetimet për zhdukjen e biznesmenit turk, Sevgin Yavuz, ndërkohë që jahti i tij luksoz u gjet 12 milje larg bregut në Portin e Shëngjinit.Familjarët e biznesmenit turk kanë mbërritur në Shqipëri dhe pritet të japin të dhëna të reja lidhur me zhdukjen e 31-vjeçarit. Sipas burimeve, ata do të tërheqin mjetin lundrues. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë, hetimet janë në dorë të Krimeve të Rënda dhe është i përfshirë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Dyshimet e para janë për një ngjarje aksidentale, por nuk përjashtohet as skenari më ekstrem për një eliminim të mundshëm të 31-vjeçarit nga grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Pista e parë, sipas burimeve, përforcohet në faktin se në jaht janë gjetur pajisje peshkimi dhe kjo ka ngritur dyshimin se biznesmeni mund të ketë fikur mjetin për të peshkuar, por në rrethana aksidentale mund të ketë rënë prej tij dhe ka humbur gjurmët. Ndërsa pista e dytë përforcohet nga fakti se mjeti lundrues është i mbushur me karburant për udhëtim të gjatë. Por, sipas burimeve që mbeten të rezervuara, brenda jahtit nuk ka shenja të dukshme dhune, që mund të ngrenë dyshime për një vrasje të mundshme. Jahti me flamur turk, me vlerë 2 milionë euro, u evidentua nga një peshkarexhe 12 milje në det teksa lundronte me motor të fikur dhe pa asnjë person në bord.








































