Nënkryetari i Partisë Demokratike në një intervistë për mediat ka deklaruar dje se opozita është e hapur për ndërmjetësim ndërkombëtar. Kujtojmë se Komisioneri i Parlamentit Evropian Edmond Kukan, ka bërë fajtore opozitën për ngecjen e integrimit të Shqipërisë në BE. Spaho ka akuzuar sërish kryeministrin e vendit Edi Rama, ku u shpreh se Rama ka ardhur dhe qëndron në pushtet falë lidhjeve me krimin. “30 qershori tregoi se kjo mazhorancë është e paaftë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, përndryshe do të binte nga qeveria. I vetmi mekanizëm me të cilin Rama ka ardhur në pushtet është lidhja me krimin. Ne do të vazhdojmë aksionin tonë politik dhe pushtetit të Ramës shumë shpejt do ti vijë fundi. Gjatë muajve të ardhshëm do të ushtrojmë presion që kjo qeveri të bjerë dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme me anë të një qeverie tranzitore”, ka deklaruar dje për mediat Spaho. Ai u shpreh se vendi ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme që të zgjidhet kriza politike, pasi kjo po pengon hyrjen e Shqipërisë në BE. Ndërkohë në lidhje me deklaratën e Kukan ai u shpreh se ndihet keq për lajmin që ai dha, pra që Shqipërisë nuk t’i jepet një datë për hapjen e negociatave. Por ndër të tjera tha se e vetmja rrugë është që të rrëzohet Edi Rama dhe vendi të ketë mundësi që të zhvillojë zgjedhje të drejta. Sipas Spahos vetëm kështu mund të hapet rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian, pasi kjo është ajo që do opozita shtoi ai. Nënkryetari i PD u pyet në lidhje me vizitën e zëvendës kryetares së Grupit Parlamentar të CDU/CSU, deputetes gjermane Katja Leikert dhe u shpreh se PD është e hapur ndaj çdo ndërmjetësimi ndërkombëtar. Ndërkohë kujtojmë se Leikert u takua edhe me kryeministrin Rama, çka u duk si një sinjal për dialog mes palëve. “Shqipëria ka shumë miq të huaj që janë të interesuar që kjo krizë politike të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi shprehur në favor të çdo ndërmjetësimi ndërkombëtar që mund të garantojnë që vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme pa Ramën në qeveri dhe parakusht të jenë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, ka thënë Spaho.